1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do ta bojkotojnë serbët regjistrimin e popullsisë në Kosovë?

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë do të bëhet nga 1 deri më 15 prill të vitit 2011. Ky do të jetë regjistrimi i parë zyrtar pas 30 vitesh. Bojkotimi i serbëve është pothuajse i sigurt, sidomos në veri të vendit.

default

Prishtina

Ministrja e Administratës Publike të Kosovës, Edita Tahiri thotë për Deutsche Wellen se regjistrimi i popullsisë është një projekt teknik, por është e vetëdijshme se nga një pjesë e serbëve ai konsiderohet si një çështje politike. "Sigurisht që mund të pritet që një pjesë e serbëve të mos dëshirojnë të marrin pjesë për arsye se ende nuk e kanë pranuar realitetin e Kosovës. Zakonisht janë serbët në pjesën veriore të Kosovës, por unë do t'i ftoja ata dhe do t`i thoja se e para regjistrimi është edhe në interesin e tyre sepse me këtë rast dëshmohet se ata janë qytetarë, banorë të Kosovës dhe e dyta kjo çështje nuk është politike por është vetëm grumbullim i shënimeve që i duhen çdo shtetie. Pra jo vetëm shteti ynë por çdo shtet i ka statistikat e veta", thotë Edita Tahiri.

Të regjistrohen edhe personat e zhvendosur

Rada Trajkoviq, një prej përfaqësueseve të serbëve të Kosovës vlerëson se pjesëmarrja e serbëve në regjistrimin e popullisë vihet në dyshim për shkak të numrit të madh të personave të zhvendosur. "Në rrethana të tilla për ne të gjithë është shumë me rëndësi që regjistrimi të përfshijë edhe regjistrimin e banorëve të cilët ndodhen jashtë Kosovës dhe Metohisë, në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni. Pa një regjsitrim të tillë për mua çdo formë tjetër e regjistrimit do të ishte legalizim i spastrimit etnik dhe askush prej serbëve nuk do ta pranojë atë", thotë Rada Trajkoviq.

Ministrja Tahiri megjithatë thekson se gjendja e rëndë politike në Kosovë nëpër të cilën ka kaluar Kosova ka sjell ë deri tek zhvendosja jo vetëm e serbëve por edhe e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera dhe ata do të përfshihen në regjistrim, por vetëm si qytetarë që jetojnë jashtë Kosovës. "Regjistrimi në fakt adreson popullsinë rezidente pra ata që jetojnë në Kosovë mirpo edhe për ata që nuk jetojnë në Kosovë është krijuar një listë suplementare ku anëtarët e familjes së tyre mund të deklarojnë se ku i kanë dhe ku janë familjarët e tyre. Dhe kjo inkuadrohet në kuadër të regjistrimit por jo si popullsi rezidente por si jorezidente", thotë zonja Tahiri.

Bindja e serbëve të veriut

Sipas mendimit të Edita Tahirit një bojkot i mundshëm i serbëve nuk mund të krahasohet me bojkotin e shqiptarëve në vitin 1991, për shkak se në atë kohë shqiptarët kanë qenë nën okupim ushtarak dhe shqiptarët e Kosovës kanë kërkuar të drejtën e tyre për vetëvendosje. Kjo kërkesë bazohej në gjendjen e krijuar dhe në padrejtësinë historike që u ishte shkaktuar atyre. Ajo vlerëson se një pjesë e serbëve janë inkuadruar ndërkohë në institucionet kosovare dhe se do të përdoren të gjitha rrugët demokratike që serbët e veriut të binden për të marrë pjesë në procesin e regjistrimit. "Me këtë rast dua të them se jemi duke punuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë veçmas me Bashkimin Evropian që të bisedohet me të gjithë aktorët e rëndësishëm që regjistrimi është në interesin e tyre", thotë Tahiri.

Rada Trajkoviq vlerëson se është e domosdoshme ndihma e bashkësisë ndërkombëtare e cila do të duhej të bisedonte me Beogradin, por shton se për një pjesë të serbëve as kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Ajo kujton se Serbia në regjistrimin e fundit nuk kishte përfshirë hapësirën e Kosovës për shkak se atëherë i përshtatej ashtu. "Përndryshe serbët në Kosovë shfrytëzohen sipas nevojës. Atëherë patën thënë se sipas rezolutës Serbia nuk ka të drejtë të organizojë regjistrim në këto hapësira por kur ishin zgjedhjet serbe atëherë Serbia kishte të drejtë të organizonte zgjedhje këtu edhe pse kjo binte në kundërshtim me rezolutën. Kjo mungesë e parimeve në Serbi shkakton konfuzion të madh në mesin e popullsisë ndërkohë që është normale që ne të gjithë duam që dikund të legalizohemi dhe legjitimohemi", thotë Rada Trajkoviq.

Autor: Zulfija Jakupi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 11.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P9gV
  • Data 11.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/P9gV