1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do ta bllokojë një fqinj tjetër Maqedoninë në anëtarësimin në strukturat euroatlantike?

Burgosja e një qytetareje me nënshtetësi maqedonase-bullgare tensionon marrëdhëniet politike mes Shkupit dhe Sofies. Mosrespektimi i te drejtave të pakicës bullgare në Maqedoni mund të sjellë veto bullgare për Maqedoninë

Shkupi mund të përballet me një veto të Sofies, nëse nuk respekton pakicën bullgare. Në foto: godina e kryeministrisë në Shkup

Shkupi mund të përballet me një veto të Sofies, nëse nuk respekton pakicën bullgare

Maqedonia me probleme të reja drejt anëtarësimit në BE

Pas ftohjes së skajshme të marrëdhënieve me Greqinë, si rezultat i kontestit të emrit kushtetues të Maqedonisë, qeverisë së Shkupit po i kanoset edhe një veto për anëtarësimin në strukturat euroatlantike. Ajo vjen nga fqinji i saj lindor Bullgaria. Çështjen e të drejtave të bullgarëve në Maqedoni, Sofia e paraqet si kusht për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Por arrestimi i qytetares me nënshtetësi të dyfishtë maqedonase- bullgare Spaska Mitrova ka bërë që të tensionohen marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve fqinje.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë pretendon se Mitrova është dënuar me burgim, meqenëse është deklaruar bullgare, sepse ka pasaportë bullgare dhe sepse synon të riaktivizojë një shoqatë bullgare në Maqedoni. Në notën verbale të Bullgarisë dhënë ambasadores së Maqedonisë në Sofie kërkohet lirimi i menjëhershëm i Spaska Mitrovës. Në të kundërtën Sofia ka kërcënuar se do të bllokojë integrimin evropian të Maqedonisë.

Shkupi e ka refuzuar notën bullgare me vërejtjen, siç thuhet, se dy shtetet nuk duhet të lejojnë keqpërdorimin e dyshtetësisë dhe pasaportave si alibi për qytetarët që kanë probleme të divorcit, siç është rasti me Spaska Mitrovën. apo raste të tjera që kanë të bëjnë me fshehjen e tatimit.

Keqëpërdorimi i nënshtetësive te dyfishta nga qytetarët


Analistët politikë vlerësojnë se qytetarët me shtetësi të dyfishtë shpeshherë e keqpërdorin këtë fakt për të mbuluar mosmarreveshjet familjare apo veprimet antiligjore që kryejnë. Këta persona i shfrytëzojnë deri në maksimum privilegjet e dyshtetësisë. Profesori i fakultetit juridik në Shkup Toni Deskovski thotë se nuk duhet të lejohet që qyetarët me nënshtetësi të dyfishtë të keqpërdorin aktet juridike të shteteve.

“Ekzistojnë mekanizma ndërkombëtarë për personat që bien ndesh me ligjin e që kanë shtetësi të dyfishtë. Ata mund të ndiqen penalisht edhe në shtet tjetër. Ky mekanizëm duhet të shfrytëzohet nga çdo shtet”, thotë profesori Toni Deskovski.

Analisti i çështjeve të Ballkanit, Mersel Bilalli vlereson se Maqedonia nuk duhet ta shtojë numrin e shteteve fqinje të cilat mund të përdornin veto për anëtarësimin e saj në strukturat euroatlantike.

“Qeveria aktuale duhet t'i trajtojë problemet me shumë maturi , posaçërisht marrëdhëniet ndërfqinjësore, sepse edhe pa këtë ajo ka probleme të mëdha me fqinjin jugor. Hapja e problemeve edhe me fqinjët e tjerë, mendoj se ka të bëjë me vetë strukturën që udhëheq shtetin. Ata akoma nuk dinë të nuhatin që standard i komunikimit diplomatik është fqinjësia e mirë, që është edhe kusht shumë i rëndësishëm për anëtaresim në Bashkimin Evropian”,- thotë Mersel Bilalli.

Sipas informatave jozyrtare 20 deri 30 mijë qytetarë të Maqedonisë posedojnë pasaporta bullgare.

Autor : Fatos Musliu/ Shkup

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 11.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J7Zn
  • Data 11.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J7Zn