1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do të takohen Nikoliq dhe Thaçi?

Një takim (jo)formal ndërmjet kryeministrit, Thaçi dhe presidentit serb Nikoliq, pritet të ndodhë në margjinat e asamblesë së përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Deri tani asgjë nuk është konfirmuar, por...

Tomislav Nikoliq

Tomislav Nikoliq

Qeveria e Kosovës, është duke e përgatitur një plan të ri, siç thuhet për integrimin e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Plani thuhet të jetë inicial, detajet e të cilit tash për tash nuk bëhen publike. Por thuhet se në hartimin e tij do të jetë i përfshirë edhe faktori ndërkombëtar. Kjo u bë e ditur nga zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, vetëm pak ditë pasi që Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha fund mbikqyres së pavarësisë. Ai pranoi se në veri të Kosovës, nuk është zbatuar plani i Marti Ahtisarit.

Plani për veriun ka nevojë për ide të reja

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi "i gatshëm për takime në të mirë të Kosovës"

“Plani është inicial. Ka nevojë për ide të reja edhe nga qeveria edhe nga ekspertët edhe nga opinioni publik. Por, mbi të gjitha, ka nevojë për receptorët tanë, nëse më lejohet ta them. Receptorë në këtë rast janë BE-ja dhe SHBA-ja. Nuk bëjmë ndonjë plan që pasdite del BE-ja dhe SHBA-ja dhe mbasdite shpallet i pavlefshëm”, thotë Kuçi.

Analistët politik nga ana e tyre, nuk presin që qeveria e Kosovës të ketë ndonjë plan serioz për veriun. Analisti politik nga qyteti i Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu, thotë se plani i qeverisë së Kosovës mund të jetë një plan vetëm por konsum të brendshëm, sepse e kaluara ka treguar se për veriun asnjëherë nuk ka pasur plane veprimi.

Në veri vështirë të ralizohen planet

“Në pamë që nga 25 korriku i vitit 2011, ku kishim një sulm me pasoja fatale në njerëz, me pasoja për sigurinë në vend dhe pasoja politike, të cilat të cilat u konsumuan së brendshmi dhe efektet ishin vetëm të dëmshme dhe jo të favorshme. Kështu që nuk pres që nga një plan i kësaj qeverie të rezultojë ndonjë sukses në veri”, thotë Nexhmedin Spahiu.

Edhe pse plani i Marti Ahtisarit që nga data 10 shtator nuk është më dokumenti më i lartë juridik në Kosovë, disa pika të tij janë inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës. Ato duhet të zbatohet, sidomos në veri të Kosovës. Presidentja Atifete Jahjaga, thotë se integrimi i serbëve të veriut duhet të bëhet vetëm nëpërmejt pakos së Ahtisarit dhe decentralizimit, ashtu siç ka ndodhur në pjesët tjera të Kosovës ku jeton komuniteti serb.

Serbët në veri të çlirohen nga grupet kriminale

“Komuniteti serb në këto tri komuna duhet të çlirohet nga grupet kriminale që mbajnë peng të ardhmen e tyre. Ata duhet të dalin në zgjedhjet legjitime që organizojnë institucionet e Kosovës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim”, u shpreh Jahjaga.

Presidentja Jahjaga, thotë se institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë dialog me qytetarët serb të veriut, në mënyrë që të adresohen problemet me të cilat ballafaqohen ata.

“Institucionet e Kosovës janë të gatshme të zhvillojnë dialogun me të gjithë qytetarët duke përfshirë këtu edhe qytetarët e Komunës së Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet”, thotë presidentja Jahjaga.

Takim i mundshëm në Nju Jork ndërmjet Thaçit dhe Nikoliqit

Për një dialog të institucioneve të Kosovës me serbët e veriut shprehen vazhdimisht edhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare. Ata kërkojnë edhe takime të nivelit të lartë politik, Prishtinë-Beograd, ku mund të diskutohej edhe çështja e veriut. Një takim joformal ndërmjet kryeminstrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliq, pritet të ndodhë në margjinat e asamblesë së përgjithshme të OKB-së, që do të mbajë punimet në fillim të tetorit. Takimi akoma nuk konfirmohet, por kryeministri kosovar ka deklaruar se në Nju Jork mund të ketë vetëm një shtërngim duarsh me presidentin serb Nikoliq. Analisti politik, Nexhemdin Spahiu mendon se kryeministri Thaçi dhe presidenti serb Nikoliq mund të zgjidhin problemin e veriut në Kosovë.

Takimi Boris Tadiq - Hashim Thaçi erdhi tepër vonë.

Takimi Boris Tadiq - Hashim Thaçi erdhi tepër vonë.

Thaçi e Nikoliq mund ta zgjidhin problemin e veriut të Kosovës

“Ata janë bartësit e institucioneve - Thaçi në Kosovë dhe Nikoliq në Serbi. Kështu që ata natyrisht që mund ta zgjidhn çëshjen e veriut të Kosovës”, thotë Spahiu. Sidoqoftë, edhe pse Kosova më nuk ka mbikqyrje ndërkombëtare të pavarësisë së saj, autoritetet thonë se planet në veri nuk mund të funksionojnë pa një koordinim me institucionet ndërkombëtare. Plani i ri për veriun (jo publik tash për tash) për të cilin flet qeveria e Kosovës, duhet të marrë miratimin edhe në Kuvendin e Kosovës. Por, para se të ndodhë kjo, zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuçi thotë se plani duhet ta ketë miratimin e komunitetit ndërkombëtar.