1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do të shtyhen zgjedhjet për presidentin në Kosovë?

Në Kosovë partitë PDK dhe LDK po diskutojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve të drejtpërdrejta për president të Kosovës për vitin 2013.

Parlamenti i Kosovës.

Në Kosovë po vazhdojnë debatet nëse vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhjet e drejtpërdrejta për president, apo nëse ato do të shtyhen për vitin 2013 dhe të mbahen së bashku me ato parlamentare.

Komisioni për ndryshimet Kushtetuese tashmë ka përfunduar punën, pika ku flet për zgjedhjen e presidentit, ndërsa, është kuvendi i Kosovës organi që do t'i miratojë këto ndryshime kushtetuese.

Zgjedhjet për president mund të mbahen vitin e ardhshëm

Arsim Bajrami, kryetar i komisionit për ndryshimet Kushtetuese, thotë se zgjedhjet mund të mbahen vitin e ardhshëm edhe pse akoma nuk janë bërë ndryshimet kushtetuese në pikën ku flitet për kompetencat e presidentit.

“Ne si anëtarë të komisionit kemi vlerësuar se është e nevojshme që të rregullohen edhe kompetencat e presidentit, por ne nuk e kemi bërë asnjë hap në këtë drejtim në mungesë të mandatit. Është çështje e kuvendit të Kosovës se a dëshiron apo jo të autorizojë komisionin që t'i rregullojë edhe këto kompetenca, por në asnjë rast komisioni nuk do të kërkojë afat shtesë, sepse nuk ka asnjë pengesë që mbi bazën e këtyre amandamenteve të përfunduara deri më tash të shpallen zgjedhjet brenda afatit për të cilën liderët kryesorë janë dakorduar”, thotë Arsim Bajrami.

Kërkohet të sqarohen kompetencat e presidentit

Z. Bajrami, thotë se brenda një afati gjashtëmujor, sa nevojitet të përgatiten zgjedhjet, komisioni mund të përfundojë punën edhe në ndryshimin e nenit 84 të kushtetutës ku do të definoheshin edhe kompetencat e presidentit.

Në mars të këtij viti, dy partitë më të mëdha politike, PDK-LDK-së dhe AKR-re, nënshkruan një marrëveshje politike ku morën vesh që vitin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet e drejtpërdrejta për president. Por tani në radhët e dy partive më të mëdha politike, PDK-së dhe LDK-së, po diskutohet nëse është e domosdoshme të mbahen zgjedhjet për president vitin e ardhshëm, apo ato të shtyhen dhe të mbahen në vitin 2013, krahas atyre parlamentare. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëkohësisht kryetar i PDK-së, tashmë është takuar me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, e kanë diskutuar këtë çështje. Por asnjëri prej tyre nuk konfirmon të jenë marrë vesh për shtyrjen e zgjedhjeve për president për vitin 2013.

PDK-LDK do të respektohet marrëveshja politike

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se kjo parti respekton marrëveshjen, por mund të veprojë konform zhvillimeve siç i quan ai pozitive që mund të ndodhin në politikën kosovare.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.

“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje, por PDK ka respektuar çdo marrëveshje deri më tash dhe do ta respektojmë edhe marrëveshjen e fundit. Mirëpo, jeta është më evolutive sesa marrëveshjet dhe nëse ka evolucion në këtë vend, jeta zhvillohet pozitivisht, atëherë ne jemi të gatshëm për çdo gjë”, thotë Hajredin Kuçi.

Biznesmeni Behxhet Pacolli.

Biznesmeni kosovar Behxhet Pacolli.

Kategorikë në respektimin e marrëveshjes paraqiten përfaqësuesit e AKR-së, parti kjo e biznesmenit Behxhet Pacolli. Zoti Pacolli, ishte pjesë e marrëveshjes politike me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, pasi Gjykata Kushtetuese zgjedhjen e tij president në kuvendin e Kosovës e zhvleftësoi për shkak se u shkelen procedurat. Nënkryetari i partisë AKR, Ibrahim Makolli, thotë se marrëveshja politike duhet respektuar.

AKR zgjedhjet për president nuk duhet të shtyhen për vitin 2013

”Nëse ne nuk i respektojmë vendimet e kuvendit të Kosovës atëherë nuk kemi çka flasim as për demokraci dhe zgjedhjet në bazë të kësaj logjike mund të mbahen në bazë të asaj se çfarë ne dëshirojmë dhe nëse nuk respektohen rregullat ligjore, atëherë njëherë në 50 vite do të mbaheshin zgjedhjet”, thotë Ibrahim Makolli.

Presidenti do të zgjidhet direkt nga qytetarët

Sidoqoftë, sipas ndryshimeve kushtetuese që i ka përgatitur komisioni, në Kosovë për herë të parë presidenti do të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët e jo siç ka ndodhur deri tash që presidenti të zgjidhet nga deputetët në parlament. Sipas ndryshimeve kushtetuese, në Kosovë do të ketë një sistem të përzier parlamentar dhe presidencial, me pushtete të ndara, në mënyrë që mos të shkaktohen kriza politike ashtu siç ka ndodhur disa herë në Kosovë.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani