1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A do të plasë marrëveshja BE-Turqi?

Brukseli dhe Ankaraja po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt një konfrontimi. Kjo rrezikon çështjen e marrëveshjes së refugjatëve. Sa do ta shpëtojë interesi i përbashkët i të dyja palëve marrëveshjen me Turqinë?

Është grumbulluar mjaft lëndë për konflikt. Javën e kaluar, kryeministri turk Ahmet Davutoglu njoftoi dorëheqjen e tij. Ai jo vetëm kishte negociuar marrëveshjen me Brukselin, po në ndryshim nga Rexhep Tajip Erdogan ai është proevropian. Pastaj u arrestuan dy gazetarë turq kritikë ndaj qeverisë, gjoja për shkak se kishin botuar dokumente sekrete. Organizata "Reporterët pa Kufij" shprehet për një "gjykim frikësimi", Shoqata Gjermane e Gazetarëve për "vendime arbitrare të një regjimi autokratik."

Për Parlamentin Evropian kupa u mbush pas një deklarate të Erdoganit. Erdogan u shpreh se ai nuk ka ndër mend të ndryshojë ligjet anti-terror të kritikuara ashpër. "Ne ndjekim rrugën tonë, dhe ju tuajën", tha Erdogani. Ndryshimi i këtyre ligjeve është një prej kushteve të Brukselit për liberalizimin e vizave për turqit në verë. Por Erdogani ka kërcënuar shpesh, se në qoftë se nuk do të ketë liberalizim të vizave, ai mund të lejojë në çdo kohë refugjatë që të vijnë përsëri në Evropë.

Parlamenti Evropian bën bllokadë

Komisioni përgjegjës për liritë civile dhe drejtësinë në Parlamentin Evropian nuk frikësohet prej deklaratave të tilla. Ai njoftoi se do të presë deri në fillimin e konsultimeve mbi regjimin e vizave deri sa Turqia të ketë përmbushur të gjitha 72 kushtet. "Dhe aty përfshihen edhe ligjet anti-terror", tha Guy Verhofstadt, kryetar i grupit parlamentar liberal. "Ne jemi të gjithë në një vijë" tha Gianni Pittella, lideri i socialistëve, duke shtuar: "Ne nuk mund t'i pranojmë kërcënimet dhe shantazhet e Turqisë së Erdoganit." Philippe Lamberts, bashkëkryetar i të Gjelbërve, tha në lidhje me perspektivën e heqjes së vizave për turqit: "Tani kam dyshime." Nëse të dy palët do të ngulin këmbë në pozicionet e tyre, e gjithë marrëveshja për refugjatët mund të dështojë.

Politikanë të ndryshëm të majtë dhe të djathtë u shprehën që në vend që të bëhen përpjekje për të siguruar marrëveshjen për refugjatët me Turqinë, deri në fund të qershorit të synohet mbrojtja evropiane e kufijve të jashtëm, përpunimi i kërkesave për azil në ishujt grekë në kufij me Turqinë dhe debimi i azilkërkuesve që u refuzohet kërkesa.

Interesi i përbashkët mbetet

Janis Emmanouilidis nga European Policy Centre i njeh mendime të tilla dhe i konsideron për thuajse të parealizueshme. Në rast se Turqia do të lejojë sërish një numër të madh refugjatësh të shkojnë në ishujt grekë, "do të kemi sërish të njëjtat shifra si vitin e kaluar ose në fillim të këtij viti, dhe unë nuk mendoj se disa ishuj grekë do të shndërrohen në ishuj evropianë internimi", tha Emmanouilidis për Deutschen Welle-n.

Për përmbajtje në debatin e nxehtë u shpreh ndërkohë Elmar Brok, deputet i CDU-së dhe kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Strasburgut. Në radion gjermane "Deutschlandfunk" ai tha: "Ne nuk duhet të flasim për planin B, nëse plani A nuk ka dështuar definitivisht." Deri tani Turqia e ka zbatuar pjesën e saj të marrëveshjes, gjë që mund të shihet në rënien e fortë të numrit të refugjatëve.

Vetë Erdogani ka interes të madh për marrëveshjen për refugjatët. Nëse dështon heqja e regjimit të vizave për shkak të tij, ai do të humbasë popullaritetin në vendin e tij. Erdogani përdor shumë retorikë. "Kjo është arsyeja pse ne duhet të tregohemi të përmbajtur."

Megjithë kritikat ndaj qeverisë turke dhe ndaj marrëveshjes me të Janis Emmanouilidis nuk beson se ndonjë nga dyja anët do të tërhiqet nga marrëveshja. "Situata është e vështirë. Por është ende në interesin e Erdoganit qi ai të arrijë një kompromis. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për palën evropiane." Në fund marrëveshja me Turqinë do të zbatohet, parashikon ai "dhe kjo përfshin patjetër edhe çështjen e vizave".