1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do të mësojnë nxënësit shqiptarë gjuhën maqedone që nga klasa e parë?

Vendimi i Ministrisë maqedone të Arsimit që nxënësit shqiptarë të mësojnë gjuhën maqedone që nga klasa e parë dhe jo nga e katërta nuk është mirëpritur nga prindërit dhe autoritetet politike shqiptare në Maqedoni.

Nxënës, Skopje

Nxënës, Skopje

Ministria e Arsimit ka marrë vendim që nxënësit shqiptarë në shkollat fillore të mësojnë gjuhën maqedonase që në klasën e parë. Ky vendim është në kundërshtim me ligjin, sipas të cilit nxënësit e komunitetit jo maqedonas janë të detyruar të mësojnë gjuhën maqedonase si lëndë jo nga klasa e parë, por që nga klasa e katërt.

Ministri i arsimit Nikolla Todorov, thotë se gjuha maqedone duhet mësuar nga klasa e parë për arsye se në Maqedoni ajo është gjuhë zyrtare.

Ligji thotë që nga klasa e katërt

Por me këtë mendim nuk pajtohet organizata jo qeveritare “Realiteti”, e cila ka ngritur nismën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për nxënësit shqiptarë, të cilëve u duhet të mësojnë gjuhën maqedonase që nga klasa e parë. “Në ligjin për arsimin fillor, në nenin 42, thuhet ekzaktësisht, se gjuha maqedone fillon të mësohet nga klasa e katërt. Kur një ministër shkel në mënyrë banale ligjin, paramendoni se çfarë ndodh me qytetarët e zakonshëm,” thotë Valon Bela, kryetar i organizatës jo qeveritare “Realiteti”.

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili ka kompetenca për arsimin fillor, e vlerëson vendimin e ministrit si diskriminues ndaj nxënësve shqiptarë, prandaj si i tillë ky vendim nuk do të përfillet nëpër shkolla. “Ky vendim është marrë pa u respektuar mendimi i ekspertëve, që e njohin arsimin e që janë pedagogë. Ky vendim krijon një lloj diskriminimi ndaj fëmijëve shqiptarë, sepse ngarkohen me një lëndë më tepër se sa fëmijët maqedonë”.

Të mos politizohet procesi arsimor

Lidhja e arsimtarëve shqiptarë i bën apel ministrit që të mos e politizojë procesin mësimor. “Mund të ndodhë që nga klasa e katërt të bojkotohet maqedonishtja, atëherë do të bëhet një rrëmujë e madhe në arsimin fillor," shprehet Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë në Maqedoni.

Për Ministrin e Arsimit Nikolla Todorov, kërcënimet për bojkotim nënkuptojnë politizim të arsimit. "Bojkoti nuk do ta zgjidhë problemin. Përmes tij nuk mund të realizohen të drejtat, po vetëm do të arrihet që fëmijët të keqpërdoren për qëllime politike”.

Partia shqiptare në pushtet BDI, do të tentojë që përmes rrugës institucionale të kundërshtojë vendimin e ministrisë së arsimit. “Mendoj që kjo çështje të mos politizohet dhe të mos i jepet dimension etnik, si çështje ka vend për tu biseduar dhe për tu trajtuar dhe të gjendet mënyra më e mirë e zgjidhjes së problemit”, deklaroi kryetari BDI-së Ali Ahmeti.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 20.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LbTH
  • Data 20.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LbTH