1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do të ketë levizje kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi

Qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi, thonë se nuk ekziston asnjë mosmarrëveshje për vijën administrative. Por, banorë të fshatrave të Dukagjinit thonë se nuk kanë qasje në bjeshkët midis Malit të Zi dhe Kosovës.

A do të ketë levizje kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi

Kulla- mes Kosovës dhe Malit të Zi

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Malit të Zi tashmë janë dakorduar që demarkacioni i kufirit në mes të dyja shteteve të bëhet brenda vitit 2010. Këtë e pohon për radion Deutsche Welle edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z.Bajram Rexhepi, i cili thotë se ndër çështjet e biseduara në takimin e para disa ditëve me homologun malazez Ivan Brajovic, bënte pjesë edhe çështja e demarkacionit të kufirit. “ Këtë çështje do ta zgjidhim shumë shpejt, pa kurrfarë pretendimesh territoriale për asnjë metër katrorë në asnjërën anë. Ne jemi pajtuar që kufiri administrativ të jetë edhe kufi shtetë ror,“-shpjegon ministri Rexhepi.

Në bazë të Planit të Marti Ahtisarit, çështja e kufijve të Kosovës me vendet fqinje parashihet të zgjidhet në bazë të vijës kufitare të ish-Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda ish-Republikës Jugosllave, përjashtuar këtu Maqedoninë. Në bazë të kësaj harte, Kulla është pika kufitare Kosovë-Mal i Zi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z.Bajram Rexhepi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, z.Bajram Rexhepi.

"Nëse kufiri ka qënë te Kulla-prapë do të jetë te Kulla. Pra, ekspertët do t´i paraqesin dokumentet që kanë qenë dhe ato do të jenë valide. Komisioni i ekspertëve do ta vlerësojë këtë dhe aty do të vendoset. Kufiri adminsitrativ që ka qënë edhe shtetë ror nuk shkon me vijën e lapsit, por ata kanë kompetencë që nëse një pronë është në dy shtete, atëherë ka mundësi të një shmangieje dhe të korrigjimeve të vogla. Mirëpo jo më shumë se pesë apo dhjetë metra,“-thotë ministri Rexhepi.

Mirëpo banorët e dhjetëra fshatrave të Rrafshit të Dukagjinit kanë shprehur shqetësimet për lëvizje kufiri me kilometra të tëra, shqetësim i cili ka rezultuar me protesta të kohëpaskohëshme. Rrahman Jasharaj, është zëdhënës dhe koordinator i Shoqatës “Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, e cila ishte bashkorganizatore e këtyre protestave. " Ka tkurrje të kufirit-insiston z.Jasharaj. Dhe, këtë mund ta dëshmojne banorët e 16-të fshatrave të Pejës, Deçanit e Istogut por edhe të pesë fshatrave rrëzë kufirit me Malin e Zi. E nëse heshtet kjo dmth ne do t´iu besojmë deklaratave individuale të njerëzve, se Kosova duke i lënë tokat tona po e blen njohjen messhtetnore. Se Kosovës nuk i duhet njohja e Malit te Zi duke lënë pesë kilometra në gjatësi gjeografike kah Rozhaja dhe 11-të kilometra në Alpet më të mira shqiptare, sepse ne kemi informata se policia malazeze ka filluar edhe me arrestimet e njerëzve vetëm pse kanë dale në tokat stërgjyshore“.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi thotë se kjo nuk ka të bej me tkurrje kufiri. Ndërsa, për pikën e kontrollit të Policisë së Kosovës rreth dhjetë kilometra nën Kullë, karrshi së cilës pesë kilometra të territorit të Kosovës i kontrollon policia e Mali të Zi, ministri ka këtë shpjegim: “Jo, kjo nuk ka lidhje me tkurrje. Por, në bazë të informatave që kemi, KFOR-i italian me rastin e vendosjes e ka vënë këtë pikë kontrolli më tepër si një distancë në mes të forcave sesa si kufi adminsitrativ. Kufiri administrativ bëhet në bazë të dokumenteve të pronësisë“-thotë ministri Rexhepi.

Beke Balaj

Beke Balaj

Si rrjedhojë, banorët e 13-të fshatrave të Deçanit dhe të Pejës, tash 11-të vjet janë privuar nga shfrytëzimi i kullotave në brezin kufitar me Malin e Zi. Sipas Bekë Balajt, përfaqësues i fshatit Strellc, këto bjeshkë i kanë nën pronësi që nga koha e sundimit të Turqisë. “ Janë 42 bashkëpronarë të këtyre fshatrave, të parët e të cilëve Bjeshkën e zhlepit e kanë ble nga begleret e Pejës para 150 viteve. Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në vitin 1927, qeveria mbretërisë ka tentu t´i privojë banorët nga e drejta e pronësisë. Por, pas ankesës me 1929, Gjykata Supreme e Jugosllavisë me seli në Shkup ua ka njoftë të drejtën jo vetëm të shfrytëzimit por edhe të pronësisë, për të cilin disponojmë edhe me një vendim. Me krijimin e Jugosllavisë se AVNOI-it apo të Tito-s dhe themelimin e republikave të reja, kufiri në mes të Serbisë e Malit te Zi është vënë në Kullë dhe bjeshka është nda në dy pjesë, me c´rast gjysma kemi pagu taksa në Rozhajë e gjysma tjetër në Pejë. Por, edhe me Kushtetutën e vitit 1963 dhe të vitit 1974, prapë kufiti ka mbet aty ku ka qënë-te Kulla,”- shpjegon z.Balaj .

Ali Berisha nga Duboviku është shpreh revoltën ndaj deputetëve të parlamentit të Kosovës, për neglizhencën e qështjes. “ Qe 11-të vjet unë me bashkëfshatarët e mi luftoj për bjeshkën teme. Cili deputet yni u ngrit me thane: “More burrë, prit se i kemi do njerëz atje me halle”. Me shku me iu ba rigja malazezëve me dal n´tokë temen e n´sene t´mia. Aty e kam varrin e motrës,aty e kam varrin e babës...”.

Rahman Jasharaj

Rahman Jasharaj

Protestat e banorëve të këtyre fshatrave, të cilëve ju bashkangjitën edhe 6 fshatra të tjera të brezit kufitar me Malin e Zi, përshpejtuan definimin e çështjes se kufirit Kosovë-Mal i Zi dhe inicuan përpjekjet për rikthimin e të drejtës mbi shfrytëzimin e këtyre bjeshkëve. Ata morën premtime nga përfaqësues të pushtetit lokal dhe qëndror për zgjidhjen e problemit. Ndërsa, ministri Bajram Regjepi thotë se ky problem tashmë është sqaruar me homologun malazez Brajoviç. „Na jemi marrë vesh. Ata kanë thënë se s´ka kurrfarë problemi. Megjithatë, duhet të bëjmë policinë kufitare të të dyja shteteve dhe ata do t´iu ndihmojnë me shku deri te stanet pa kurrfarë pengese edhe nëse e kanë pronën në territor të Malit të Zi. Natyrisht, kërkohet një kontrollim fitosanitar i bagëtive dhe ata deri në përfundim të sezonit do të jenë në stane pa kurrfarë pengese. Përkundrazi, do të kenë patrullime kohë pas kohe për sigurinë e tyre dhe me rastin e kthimit në vendbanime, do të kenë ndihmë në transport“-shpjegon ministri Rexhepi, i cili siguron qytetarët se të gjithë ata që kanë fletë poseduese s´do t´humbasin pronën asnjëherë.

Por, qytetarit Bekë Balaj pritja 11-të vjeçare ia ka hequr besimin. „Qeveritarët tanë dyshoj se e dinë ku janë kufijtë? Nëse ata thonë se i kanë kufijtë e garantuar, kishim pas dëshirë me e dit: Ku janë ata kufij? E nëse donë me e lshu për hir të marrëdhënjeve shumë të mira e të shkëlqyeshme me Malin e zi, atëherë unë i kisha porosit se edhe ma t´shkëlqyeshme kanë me i pas me ua leshu kufirin deri te Peja!“

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Mali të Zi thonë se në mes të dy shteteve nuk ka kontest dhe të dy ministrat janë dakorduar që banorët e Kosovës të shfrytëzojnë kullotat e veta pa pengesë. Autoritetet lokale të Pejës, Decanit dhe Istogut kanë bërë thirrje që sa më shpejt të bëhet demarkacioni I kufirit që të shmangen protestat e banorëve, të cilët kanë dyshim për tkurrje kufiri. Ndërkohë, i mbetet Komisionit Ndërshtetëror për Demarkacionin e Kufirit që në bazë të dëshmive që posedojne, të vendosin se kah do të shënohet vija fizike në mes të dy shteteve fqinje Kosovë-Mal i Zi, e cila pritet të definohet brënda këtij viti.

Autor: Ajete Beqiraj

Rerdaktoi: Aida Cama

  • Data 15.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJlI
  • Data 15.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OJlI