1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

A do të hapen dosjet sekrete në Serbi?

Hapja e dosjeve sekrete të shërbimeve të sigurimit në Serbi nuk është kusht për afrimin me Bashkimin Evropian. Por BE-ja ka sugjeruar që dosjet të hapen. A thua do ta respektojnë autoritetet serbe këtë sugjerim?

Hapja e dosjeve të shërbimeve sekrete serbe është një prej temave më të trajtuara në Serbi që prej ndryshimeve demokratike në vitin 2000. Ka pasur shumë iniciativa për hapjen e këtij procesi, por të gjitha në fund kanë përfunduar me shpjegimin se "për këtë nuk ka vullnet të duhur politik". BE-ja ka kumtuar së fundi se nuk kërkon hapjen e domosdoshme të dokumenteve sekrete, por "e mbështet fuqishëm këtë proces". Hapja e dosjeve nuk është pra parakusht për anëtarësimin në BE, por vetëm sugjerohet që kjo të bëhet, kumtoi zyra e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Füle. Por shumë pak njerëz në Serbi besojnë se kjo edhe do të ndodhë. Serbia gjithmonë është treguar tepër e painteresuar për gjërat, që nuk kërkohen decidivisht.

Argumentet e vjetra

Hapja e dosjeve s'është parakusht për anëtarësimin në BE, pohoi zyra e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Füle.

Hapja e dosjeve s'është parakusht për anëtarësimin në BE, pohoi zyra e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Hapja e dosjeve nuk ka qenë kusht as për vendet e tjera, që janë anëtarësuar në BE, ndaj nuk ka kurrfarë logjike që ky kusht t'i paraqitet Serbisë, thotë për DW, Bogoljub Milosavljeviq, profesor në fakultetin juridik Union në Beograd. Tema e hapjes së dosjeve është aktualizuar në Serbi shumë herë pas ndryshimeve demokratike të vitit 2000, por gjithmonë janë gjetur argumente kundër. Një ndër argumentet ka qenë se hapja e dosjeve mund të shkaktojë një "gjah kundër shtrigave", që do të thotë se mund të ketë padrejtësi dhe përndjekje ndaj njerëzve që kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete. Milosavljeviq beson se të njëjtat argumente mund të përdoren edhe sot.

Ndërkohë që vetö shërbimet sekrete kanë qëndrime kundërthënëse. Ato mendojnë se çështja duhet të zgjidhet me ligj, në qoftë se merret vendimi për hapjen e dosjeve. Me ligj duhet të mbrohet identiteti i bashkëpunötorëve dhe interesat kombëtare, të cilat mund të rrezikohen nga hapja e këtyre dokumentave. Pasi një ligj i këtillë nuk është miratuar kurrë, kjo çështje ka mbetur pa u zgjidhur, thotë ai.

Sipas tij politikanët serbë nuk janë të interesuar t'i zbatojnë "sugjerimet" e BE. Ndaj pritet që sërish të përdoren argumentet e mëparshme kundër.

„Shpresoj se megjithatë kjo çështje do të hapet dhe një ditë të hiqet nga rendi i ditës. Kjo do të ishte shumë mirë, sepse do të merrte fund enigma rreth këtyre gjërave. Ne kemi pasur edhe një ligj për lustracionin, i cili 10 vite të tëra ka qenë vetëm një copë letër. Ndaj do të jetë shumë vështirë që ky proces të hapet dhe të përfundojë“.

Të hapet libri i zi i krimeve

Lëvizja për Ripërtëritjen Serbe (SPO) është për hapjen e dosjeve

Lëvizja për Ripërtëritjen Serbe (SPO) është për hapjen e dosjeve

Lëvizja për Ripërtëritjen Serbe (SPO) është vetëm një prej partive, të cilat kanë kërkuar hapjen e dosjeve sekrete. Por të gjitha përpjekjet e saj kanë dështuar. Aleksandar Jugoviq, nënkryetar i SPO, thotë për DW se hapja e arkivave në Serbi është e domosdoshme, pavarësisht se a kërkohet kjo prej BE-së, apo jo.

„Në këtë mënyrë do të konstatohej se çfarë kanë bërë disa individë dhe struktura të pushtetit, të cilat ende janë në pushtet dhe angazhohen kundër afrimit me BE-në. Duhet të përcaktohet edhe biografia e secilit prej tyre si dhe përgjegjësia për fatkeqësitë e shumta që e kanë gjetur Serbinë“.

Kjo çështje duhet të zgjidhet pavarësisht sugjerimeve nga BE. Serbia duhet ta zgjidhë këtë problem për të mirën e saj, sepse do të dihej se kush ka bërë krime dhe gjëra të këqia, pohon Aleksandar Jugoviq.

„Jam i bindur se në arkiva mund të gjenden gjurmët e parave të pista, fajtorëve për luftërat e kaluara, se aty gjenden gjurmët e vrasësve të gazetarëve, likuidimeve politike, kontrabandistöve me drogë dhe cigare. Mendoj se duhet të hapet libri i zi i krimeve, sepse këtu mund të gjejmë shumë përgjigje“.

Kaherë është dashur të hapen

SPO ka kërkuar disa herë hapjen e dosjeve dhe miratimin e një projektligji të përgatitur nga kjo parti. Rezistenca ka qenë gjithmonë tepër e madhe prej qarqeve në pushtet, thotë Jugoviq. Sa i përket SPO, ato dosje kaherë është dashur të hapen, konstaton Jugoviq.