1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A do të aplikojë Maqedonia viza hyrëse për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës?

9 Dhjetor 2009

Një mundësi të tillë e kanë paralajmëruar disa media vendase. Sipas tyre, në Ministrinë e Jashtme është duke u shqyrtuar mundësia për aplikimin e vizave pas hyrjes së Maqedonisë në listën e bardhë të Shengenit.

https://p.dw.com/p/Ky7X
Aeroporti i Shkupit
Aeroporti i ShkupitFotografi: Petr Stojanovski

Disa medie në Shkup kanë dhënë lajmin se Maqedonia po përgatitet për të aplikuar viza hyrëse për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, pas hyrjes së Maqedonisë në listën e bardhë të Shengenit me 19 dhjetor. Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska nuk ka mohuar qartë se nuk do të ketë viza për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërise pas 19 dhjetorit kur Maqedonia të përfshihet në zonën e “Shengenit të bardhë”. Jankullovska ka theksuar se qeveria e Maqedonisë nuk ka diskutuar deri më tani rreth kësaj çështjeje.

Mediet e afërta me opozitën thonë se aplikimi i vizave për shtetasit shqiptarë dhe ata të Kosovës pritet të jetë një nga alternativat që po shqyrtohet pranë Ministrisë së Jashtme. Aplikimi eventual i vizave do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë nuk janë deklaruar deri tani lidhur me këtë çështje.

Por zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku në mënyrë kategorike i përgënjeshtron informacionet e prezantuara nga mediat për gjoja aplikimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Është faktë thotë ai se në disa mediume ka patur shkrime për aplikimin e vizave, por ato janë bazuar gjithnjë në burime anonime."Është e palogjikshme të vendosen viza për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës për shkak se Maqedonia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, dhe kufiri i BE-s është larg Maqedonisë andaj është krejt e panevojshme, është jo praktike dhe është jo reale që të vendosen viza për qytetarët e Shqiperisë dhe Kosovës,” thotë zëdhënësi i qeverisë Shefik Duraku. Gjithnjë sipas tij, Maqedonia dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshjen që u mundëson lëvizje të lirë qytetarëve të të dyja shteteve. “Thelbi i politikës evropiane është lëvizja e lirë e qytetarëve dhe integrimi, ne po mundohemi të aderojmë në një Union pa kufinj e jo të vendosim kufinj edhe atu ku nuk janë,” vlerëson Shefik Duraku.

Analisti politik për marrëdhënie ndërkombëtare Mersel Bilalli, thotë se objektivisht nga asnjë normë juridike apo akt juridik që ka të bëjë me BE-në, Maqedonia nuk ka obligim të aplikojë viza ndaj shteteve fqinje që janë në një proces më të vonuar sa i përket integrimit në BE. Aplikimi i vizave është çështje e vullnetit të lirë dhe disponimit politik të strukturave që menaxhojnë me pushtetin. “Natyrisht që disa struktura dëshirojnë të demonstrojnë njëfarë superioriteti në raport me fqinjët. Mendoj se Maqedonia nuk është në atë pozitë që të bëjë një gjë të tillë aq më tepër kur në raport me Kosovën ka ineresa shumë të rëndësishme. Kosova mbetet partner prioritar lidhur me kembimin tregtar,” shprehet analisti Mersel Bilalli.

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni Arben Çejku, kohë më parë hodhi poshtë zërat se nga 1 janari i vitit të ardhshëm Maqedonia do të vendosë regjimin e vizave për shtetasit e Shqipërisë. Ai ka shtuar se aplikimi i vizave bëhet atëherë kur Maqedonia të jetë anëtare e barabartë e BE-së.

Autoritetet e Shkupit qysh në vitin 2008 tentuan të aplikojnë viza hyrëse për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo nismë u kundërshtua ashpër nga faktori politik shqiptar në Maqedoni.

Autor : Fatos Musliu

Redaktoi : Aida Cama