1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A është i mundur zgjerimi? Takimi i BE shtyn zgjidhjen e krizës

Presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare të BE kanë shtyrë në takimin e nivelit të lartë të së enjtes dhe të premtes zgjidhjen e krizës së shkaktuar pas 'jo'-së irlandeze për marrëveshjen e Lisbonës

default

Një sinjal i qartë doli nga takimi i nivelit të lartë të BE-së në Bruksel - ai thotë: "Ne jemi pothuajse të çorientuar dhe shtyjmë marrjen e vendimeve për një herë tjetër". Me siguri që kjo nuk do të rrisë besimin e qytetarëve e posaçërisht të irlandezëve ndaj udhëheqjes politike të Evropës. Me shtyrjen e zgjidhjes së këtij problemi për në tetor apo dhjetor nuk tregohet forca e vendosmërisë. Se si do të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare marrëveshja e Lisbonës, e cila është urgjentisht e nevojshme mbetet e paqartë. Ndoshta këtë marrëveshje e pret fat i njëjtë si i Kushtetutës Evropiane, e cila dështoi para tre vitesh pas refuzimeve të Francës dhe Hollandës.

Çështja tani është se a mund të veprojë ende Bashkimi Evropian mbi bazën e marrëveshjes së Nisës. Me siguri që mundet. Kjo për faktin se Bashkimit të sotëm Evropian nuk i mungojnë mekanizmat funksionalë vendimarrës, por vullneti politik për të çuar përpara integrimin dhe për të bërë politikë të përbashkët. Vullneti politik duhet të sigurohet nga qeveritë kombëtare. Nëse dikush dëshiron të zbatojë një projekt konkret do të gjejë rrugë ligjore edhe në marrëveshjen e Nisës. Presidenti i radhës së BE-së, francezi Nikola Sarkozi e mbron këtë koncept. Ai dëshiron të arrihen synimet e reja në rrafshin energjetik, të migracionit dhe mbrojtjes me ose pa një marrëveshje të reformave. Çështje e hapur mbetet nëse Sarkozi do të mbështetet nga presidentët dhe kryeministrat e tjerë apo ata do të fshihen pas krizave institucionale.

Marrëveshja e Lisbonës nuk do të ishte shërues magjik çudibërës, i cili me një goditje do të mënjanonte të gjitha mangësitë e Bashkimit Evropian. Nëse për një Bashkim Evropian funksional do të jetë aq i rëndësishëm një president i përhershëm apo një ministër i jashtëm, atëherë kjo mund të arrihet pa ndonjë marrëveshje të madhe. Kjo mund të instalohet thjesht përmes një vendimi të 27 vendeve atëherë kur të sigurohet vullneti politik. Barazia e vendeve anëtare dhe parimi i unitetit për çështjet me rëndësi thelbësore nuk e vë në dyshim marrëveshjen e Lisbonës. Si përfundim: Lumturia mund të gjindet edhe pa marrëveshjen e Lisbonës, politika e BE-së mund të bëhet edhe pa të nëse duan të gjithë.

Çështje problematike mbetet vetëm pranimi i anëtarëve të rinj. Deri tani në bazë të marrëveshjes së Nisës thuhej se 27 është kufiri më i lartë. Pas kësaj qëndrojnë Franca dhe Gjermania. Austria, Sllovenia dhe vendet e tjera mendojnë pak më ndryshe. Ato duan që edhe pa një marrëveshje të re të mbajnë premtimet e BE-së dhe njëra pas tjetrës të përshëndesin në klub vendet e Ballkanit Perëndimor.

  • Data 20.06.2008
  • Autor Bernd Rigert/ Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ENbO
  • Data 20.06.2008
  • Autor Bernd Rigert/ Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ENbO