1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A është i menaxhueshëm një "Grexit"?

Kur në samitin e ardhshëm të BE-së në tetor të diskutohet për mbetjen e Greqisë në eurozonë, ideja e madhe evropiane nuk pritet të luajë rolin vendimtar. Në qendër do jetë një pyetje më e thjeshtë: sa do të kushtonte?

Argumentet e mira nuk mungojnë as për daljen dhe as për mbetjen e Greqisë në eurozonë. Fakt është që vendi nuk i ka arritur as për së largu objektivat e konsolidimit për të cilët është ka rënë në ujdi me kreditorët. Nëse kriza e euros është edhe krizë besimi, atëherë një pjesë e këtij besimi mund të rifitohet nëse kreditorët marrin masa dhe i mbyllin rubinetin e ndihmave Greqisë. Nga ana tjetër Athina nuk mund t'i respektojë planet e kursimeve pasi ekonomia është zhytur më thellë nga sa pritej në recesion, për shkak të politikës së ngurtë të kursimeve. Dhe a nuk duhet t'i jepet qeverisë së re një shans për të dëshmuar me prova vullnetin e saj për reforma?

Në konsideratat nëse Greqisë i duhet dhënë edhe njëherë dora apo duhet detyruar të dalë nga unioni monetar, pyetja më e rëndësishme është nëse një dalje "Grexit" mund të menaxhohet. Përgjigjet e ekspertëve për këtë pyetje e shtojnë konfuzionin. Së pari mendimet janë tejet të ndryshme, së dyti askush nuk mund ta parashikojë, pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë.

Profesori i ekonomisë Max Otte

Profesori i ekonomisë Max Otte

Nga njëra anë Max Otte, profeti i crash-it, shpreson "me gjithë zemër" që Grexit të ndodhë sa më parë. Për radion Deutschlandfunk ai u shpreh: "Atëherë elita e politikës do të shohë se kjo nuk është edhe aq e keqe. Përkundrazi, tregjet ndoshta do të qetësohen menjëherë." Nga ana tjetër shefi i grupit të "të urtëve" të ekonomisë gjermane, Wolfgang Franz paralajmëron për një shpërbërje të unionit monetar në rast dalje të Greqisë. "Mund të parashikohet se në tregjet financiare do të nisnin menjëherë spekulimet se kush do të jetë kandidati i ardhshëm për të dalë", u shpreh ai për "Süddeutsche Zeitung".

Kostot e mundshme për Gjermaninë

Le të shohim fillimisht kostot e llogaritshme: instituti ifo në Mynih llogarit një humbje prej deri 82 miliardë euro për Gjermaninë, në rast se Greqia do të humbasë aftësinë paguese dhe do të dalë nga eurozona. Kjo shumë përbëhet nga pjesa gjermane në dy paketat emergjente të ndihmës, blerjet e obligacioneve shtetërore greke nga Banka Qendrore Evropian (ECB) dhe detyrimet e Bankës Qendrore greke ndaj Bundesbank-ës.

Wolfgang Franz nga grupi i të urtëve i ekonomisë gjermane

Wolfgang Franz nga grupi i "të urtëve" i ekonomisë gjermane

Revista ekonomike "The Economist" pret edhe kosto të tjera. Për shembull një program ndihme emergjente për popullsinë greke, i cili sipas redaktorëve të "Economist" do të kushtonte deri 50 miliardë euro. Pjesa gjermane në këtë program do të ishte 17 miliardë euro. Bankat gjermane do të zbrisnin në bilancet e tyre si humbje investimet në Greqi dhe do të kishin ndoshta nevojë për ndihma nga shteti. Gjithsej fatura e Gjermanisë në rast dalje të Greqisë nga eurozona do të shkonte në 120 miliardë euro, ose 4,5 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto.

Avantazhi do të ishte që Gjermania dhe vendet e tjera kreditore nuk do të kishin më nevojë të hidhnin para në një fuci të shpuar. Tema Greqi do të mbyllej për një farë kohe. Fatura nuk do të ishte e shtrenjtë nëse do të mbetej në këto kosto.

Pasoja të pallogaritshme për eurozonën

Pamje simbolike: kriza në eurozonë

Kush do të ishte kandidati i ardhshëm për dalje nga eurozona?

Por mund të ndodhte edhe ndryshe, pasi me një Grexit nuk do të zhdukeshin defektet e ndërtimit të euros. Spekulimet kundër monedhës së përbashkët jo vetëm nuk do të merrnin fund, por ekziston frika se ato do të fillonin pikërisht atëherë. "Në këtë rast do të shkaktonim një ortek i cili mund të bëhet i rrezikshëm për bashkimin monetar", paralajmëron Wolfgang Franz.

Nën kërcënimin e një paniku në tregje qeveria gjermane mund të detyrohej të lejonte të gjitha instrumentet për luftimin e krizës, deri atëherë të refuzuara prej saj. Duke filluar me një licencë bankare për fondin e shpëtimit ESM dhe duke mbaruar me euro-obligacionet, të cilat Merkel i ka hedhur poshtë në mënyrë të prerë. Rreziku për taksapaguesit gjermanë do të rritej në infinit.

Për këtë arsye "The Economist" propozon si opsion që nëse pastrimi i eurozonës do të fillojë, atëherë të nxirren jashtë të gjithë mëkatarët e deficiteve buxhetore. Kjo do të prekte Irlandën, Portugalinë, Spanjën dhe Qipron. Kostot për Gjermaninë në këtë rast do të shkonin në 385 miliardë euro, ose 15 për qind e PBB-së.

Për Gjermaninë e fortë financiarisht, e cila aktualisht noton në të ardhurat fiskale, kjo do të ishte e përballueshme. Por problemi është se nuk ka asnjë garanci që investuesit do të rifitonin besimin tek euro. Çfarë do të ndodhte me Italinë e cila me 120 për qind ka kuotën më të lartë të borxheve në eurozonë?

Mos vallë Angela Merkel stepet të tregojë ashpërsi ndaj Greqisë duke pasur në mendje këto skenarë të frikshëm?  Ndoshta politikanët evropianë do t'i mbeten besnikë skenarit bazë: Greqia bën disa korrgjime kozmetike, dhe Evropa vazhdon të japë para. Vendimi mund të shtyhet edhe pas vjeshtës. Ndërkohë grekët mund t'i mbajë gjallë Banka Qendrore Evropian, deri tani ajo i ka ardhur gjithnjë në ndihmë politikës.