1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A është Facebook "monopolist të dhënash"?

Komisioni i BE-së dhe komisari për konkurrencën ka nisur procesin e verifikimit për fuzionimin e Facebook dhe Whatsapp, sepse disa sipërmarrje interneti e ndjejnë veten të kërcënuar prej sipërmarrjes së re.

19 miliardë euro pagoi Facebook për sipërmarrjen e vogël Whatsapp. Por shërbimi i mesazheve të shkurtra Whatsapp është i vogël vetëm sa i përket numrit të punonjësve. Nëse marrim parasysh numrin e përdoruesve, atëherë është mjaft i madh. 30 milionë gjermanë e përdorin këtë shërbim, 450 milionë vetë në mbarë botën. Ata të gjithë japin e marrin të dhëna, të cilat Facebook i mbledhur me shumë dëshirë, sepse ato janë baza e biznesit të tij.

Fuzionimi i sipërmarrjeve shoqërohet zakonisht me kontrollin e juristëve që merren me të drejtën e karteleve dhe që shohin nëse me këtë fuzion firma krijon një monopol dhe mund të diktojë ndër të tjera edhe çmimet për të tjerët. Edhe në këtë rast Komisioni i BE-së dhe komisari për konkurrencën ka nisur procesin e verifikimit për fuzionimin e Facebook dhe Whatsapp, sepse disa sipërmarrje interneti e ndjejnë veten të kërcënuar prej sipërmarrjes së re.

Monopolizimi

Kontrolli i fuzionit mes Facebook dhe Whatsapp përbën një fushë të re për BE-në, sepse ndër të tjera duhet parë nëse përmes blerjes së Whatsapp, Facobook-u bëhet monopolist të dhënash. Ndër të tjera duhet sqaruar nëse mund të verifikohet monopolizimi në një treg me "prodhime" falas.

"Në të kaluarën, çështja nëse dikush ka apo jo fuqinë e monopolit, matej shpesh përmes faktit nëse një kompani ishte në gjendje që të vendoste çmimet që ishin tejet më të larta se kostot," shpjegon drejtori i Institutit për të Drejtën Tregtare dhe Ekonomike pranë Universitetit të Bonit, Daniel Zimmer, në bisedë me DW-në. Në tregjet ku shërbimet ofrohen pa pagesë, kjo nuk është e mundur.

Por ofrimi i shërbimit falas, pra i rrjetit social në vetvete, është vetëm njëra anë e kompanive të tilla si Facebook. Ana tjetër është ofrimi i hapësirës për reklama të kompanive të tjera. Kjo hapësirë për reklama sigurisht që nuk ofrohet falas, dhe kështu sa më shumë përdorues të ketë platforma apo sa më efekt të ketë ajo, aq më shumë rritet çmimi i këtyre hapësirave.

Çfarë mund të bëjë BE-ja?

A është detyrë e institucioneve që merren me çështjet e konkurrencës që të shqyrtojnë rastin e Facebook/Whatsapp? Në fund të fundit, askush nuk është i detyruar që të regjistrohet në Facebook ose të përdorë Whatsapp. Sipas Daniel Zimmer këto rrjete janë me sa duket aq të suksesshme për shkak se ofrojnë vlerën më të madhe të shtuar, dhe prandaj në këtë rast duhet shqyrtuar nëse një kompani e blen konkurrenten e saj duke përfituar nga fuqia e vetë në treg dhe në këtë mënyrë edhe i heq qafe konkurrentët. Në rastin e Facebook / Whatsapp Zimmer mendon se ka kuptim që një gjë e tillë të shqyrtohet më nga afër.

Edhe pse sipërmarrjet në fjalë nuk janë sipërmarrje evropiane, BE-ja ka mundësi ta ndalojë këtë fuzion, sepse edhe në të kaluarën pretendimet ligjore të ngritura nga BE-ja kanë bërë që të pengohet fuzionimi i sipërmarrjeve edhe kur këto kanë qenë thjesht amerikane. Nga ana tjetër në rastin e blerjes së Skype nga Microsoft në vitin 2011 Komisioni nuk pati rezerva.