1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

A është arritur ndonjë marrëveshje në Kiev?

Gjithë natë u zhvilluan negociata mes presidentit të Ukrainës, përfaqësuesve të opozitës dhe ministrave të jashtëm të Gjermanisë dhe Polonisë. Janukoviç thotë se është arritur një marrëveshje. Konfirmim për këtë nuk ka.

Në Ukrainë bisedimet mes presidentit Viktor Janukoviç, opozitës dhe përfaqësuesve të BE-së janë ndërprerë. Pas disa orësh pushimi negociatat do të vazhdojnë këtë paradite. Në qarqet e përfaqësuesve evropianë u fol për "negociata shumë të vështira". Nga ana tjetër në Ukrainë zyra e Presidentit njoftoi se tashmë është arritur një marrëveshje. Teksti përkatës, për të cilin kanë rënë dakord edhe ndërmjetësuesit e BE-së dhe Rusisë, do të nënshkruhet gjatë ditës. Kjo nuk është konfirmuar ende as nga opozita e as diplomatët.

Nga pala evropiane bisedimet zhvillohen nga ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe homologu i tij polak Radoslav Sikorski. Nga opozita marrin pjesë Vitali Klitschko, Arseny Yatsenyuk dhe Oleg Tjagnibok. Edhe aktivisti i të drejtave të njeriut Vladimir Lukim i dërguar nga presidenti Vladimir Putin si ndërmjetësues merr pjesë në negociata.

Ministrat e Jashtëm të BE në Ukrainë

Ministrat e Jashtëm të BE në Ukrainë

BE-ja ka propozuar një plan për zgjidhjen e luftës për pushtet. Ai parasheh formimin e shpejtë të një qeverie kalimtare duke përfshirë edhe opozitën, reformën kushtetuese, si dhe zgjedhjet që këtë vit. Zëvendëskryetari i Parlamentit sipas një informacioni të agjencisë ruse Itar-Tass tha se Parlamenti do të debatojë këtë të premte për një kthim në kushtetutën e vitit 2004, që kufizon pushtetin e presidentit dhe forcon përfaqësimin e popullit.

Gjatë gjithë ditës së enjte Steinmeier, Sikorski, dhe ministri i jashtëm francez Laurent Fabius u përpoqën të afronin në bisedime palët në konflikt në Ukrainë. Steinmeier theksoi se një zgjidhje është e mundur vetëm në Ukrainë, dhe kjo me rifillimin e dialogut politik. Për deklaratën e kryeministrit polak Donald Tusk se presidenti ukrainas Viktor Janukoviç ka pranuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare gjatë këtij viti, nuk ka asnjë konfirmim. Sipas Tusk përveç kësaj është rënë dakord edhe për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar brenda dhjetë ditësh.

Merkel bisedon me Obamën dhe Putinin

Për shkak të vazhdimit të dhunës në Ukrainë kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) telefonoi me presidentin rus Vladimir Putin dhe me presidentin e SHBA-së Barak Obama. Kancelarja i informoi ata për misionin e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, të Francës dhe të Polonisë në Kiev, tha një zëdhënës i qeverisë në Berlin.

Merkel, Obama dhe Putin kanë qenë të një mendjeje që duhet gjetur sa më shpejt të jetë e mundur një zgjidhje politike për krizën në Ukrainë dhe se duhet të ndalet gjakderdhja.

Sanksione specifike ndaj Ukrainës

Ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën të enjten sanksione specifike kundër qeverisë së vendit dhe atyre që janë përgjegjës për dhunën. Sipas diplomatëve atyre do t'u ndalohet hyrja në vendet e BE-së dhe do t'u ngrihen llogaritë bankare. BE-ja do t'i koordinojë sanksionet e saj të mundshme ndaj Ukrainës me SHBA-në. Sipas diplomatëve të BE-së ende nuk është përpiluar ndonjë listë me emrat e personave që mund të preken nga sanksionet. Kurse SHBA kanë vendosur ndaj 20 personave kryesorë në Ukrainë sanksione në formën e ndalimit të hyrjes për në SHBA, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

"Shkalla e zbatimit" të sanksioneve të BE-së do të varet prej zhvillimeve të mëtejshme në Ukrainë dhe do të vendoset nën dritën e zhvillimeve në terren, tha ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt përmes Twitter-it.

Ministrat e Jashtëm të BE-së nuk arritën të bien dakord për një embargo armësh. Megjithatë ata ndaluan furnizimin me të gjitha mallrat dhe pajisjet që mund të përdoren për të shtypur demonstratat.

Ministri i Jashtëm holandez, Frans Timmermans, tha se sanksione dhe dënime duhen të ndërmerren për të gjithë ata që janë përgjegjës për dhunën në Kiev, pra edhe udhëheqësit e protestuesve, sepse edhe në anën e opozitës ka disa elemente shumë radikale që mbanjnë përgjegjësi për dhunën, tha Timmermans.