1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

90 vjetori i themelimit të Republikës Turke

Si vend me shumicë myslimane dhe një sistem politik laik e demokratik si dhe me një ekonomi funksionuese liberale, Turqia konsiderohet shembull i mundshëm për Lindjen e Afërme dhe Afrikën.

Në Stamboll u përurua zyrtarisht të martën (29.10.2013) tuneli i parë në botë midis dy kontinenteve. Tuneli Marmaraj që kalon nën Bosfor lidh pjesët europiane dhe aziatike të metropolit me 15 milionë banorë. Inagurimi i këtij projekti, i cili qe pagëzuar nga qeveria turke si "projekti i shekullit" u bë në 90 vjetorin e themelimit të Republikës Turke.

Türkei Tunneleröffnung - Transkontinentatunnel Marmaray

Rexhep Tayyip Erdogan inaguron Tunelin Marmaraj

Perceptim i ndryshuar në nivel ndërkombëtar

Deri dhjetë vjet më parë Turqia shihej ende si një vend i prapambetur dhe jodemokratik, i varur nga ndihma e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe në përpjekje të dëshpëruara për t'u pranuar në Bashkimin Evropian. Mirëpo tani, pas një rritjeje ekonomike rekord që vazhdon prej dhjetë vjetësh, Turqia quhet "Kina e Evropës". Si vend me shumicë myslimane dhe me një sistem politik laik e demokratik si dhe me një ekonomi funksionuese liberale Turqia konsiderohet si shembull i mundshëm për Lindjen e Afërme dhe për Afrikën.

Turqia - rritje ekonomike rekord që vazhdon prej dhjetë vjetësh

Turqia - rritje ekonomike rekord që vazhdon prej dhjetë vjetësh

"Turqia është kthyer në një nga pesë-gjashtë vendet më të rëndësishme në botë", tha para pak kohësh ish-këshilltari amerikan për sigurinë Stephan J. Hadley gjatë një fjalimi para komisionit të ekspertëve të Këshillit për marrëdhënie me jashtë. Dhe shtoi: "Është e lidhur me njëfarë ironie, por kur sheh kapacitetin ekonomik, atëherë duhet shtruar pyetja nëse duhet të aderojë Turqia në BE apo mos është më shumë e kundërta, që BE-ja të aderojë në Turqi." Vërejtjet e Hadleyt theksojnë transformimin mbresëlënës politik në Turqi dhe ato bëjnë të qartë perceptimin e ndryshuar të vendit në nivel ndërkombëtar.

BE-ja dhe anëtarësimi i plotë i Turqisë

Kancelarja Merkel dhe kryeministri turk Erdogan me bashkëshorten

Kancelarja Merkel dhe kryeministri turk Erdogan me bashkëshorten

Në BE nuk e mohon askush rëndësinë ekonomike dhe politike në rritje të Turqisë për Bashkimin Evropian, por procesi i anëtarësimit të vendit është ndalur. Nga njëra anë për arsye të grindjes dhjetëra vjeçare me Qipron, nga ana tjetër për arsye të qëndrimit të disa vendeve udhëheqëse të BE-së, të cilat në vend të anëtarësimit të plotë të Turqisë do të parapëlqenin një "partneritet të privilegjuar". Megjithatë, kjo gjendje vend-numëro prej gjashtë vjetësh në marrëdhëniet midis Turqisë dhe BE-së nuk e ka ndaluar vendin që të zgjerojë pandërprerë ndikimin e vet politik. Përkundrazi: Qeveria turke ka në këtë kohë marrëdhënie më të ngushta politike dhe ekonomike me organizatat rajonale në në gjithë botën.

Duke ndjekur një strategji aktive në politikën e jashtme Turqia arriti që në vitet 2009 dhe 2010 të merrte një vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.