1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

65 vjet pas Hiroshimës - Rrëfim i një dëshmitari gjerman të kohës

Çdo vit, në 6 gusht bota kujton përdorimin e parë në të gjithë botën të bombës atomike në Hiroshima të Japonisë, më 1945. Prifti gjerman, Klaus Luhmer ishte 65 vjet të shkuara, katër kilometra larg Hiroshimës.

Bomba atomike e Hiroshimës.

Bomba atomike e Hiroshimës.

6 gushti 1945 është një ditë e nxehtë në Hiroshimë. Që në mëngjes, temperatura është 30 gradë në hije. Prifti gjerman, Klaus Luhmer shkon në oborrin e shtëpisë Noviziat të jezuitëve në Hiroshimë dhe falet. Papritur ai dëgjon zhurmë:

"Në orën 08.14 unë dëgjova fillimisht zhurmën e një avioni B29, të një bombarduesi: dhe pastaj u shfaq diçka, të cilën unë nuk e përcaktoja dot. Më e çelët se dielli, një lloj gjysmërruzulli, kështu m'u duk. Dhe unë pata idenë instinktive se kisha të bëja me një bombë, që pati shpërthyer pas një kodre."

Klaus Luhmer ishte vetëm 4 kilometra larg Hiroshimës kur amerikanët hodhën bombën atomike.

Klaus Luhmer ishte vetëm 4 kilometra larg Hiroshimës kur amerikanët hodhën bombën atomike.

Por ajo që sheh këtë mëngjes Klaus Luhmeri nuk është bombë e zakonshme shpërthyese. Ai është shpërthimi i një bombe atomike, katër kilometra më tutje, mbi qendrën e Hiroshimës. Luhmeri kërkon strehim në oborr. Ai zbret me shpejtësi shkallët që të çojnë në bodrumin e ndërtesës. Në momentin e fundit ai mund të shpëtojë:

"Kur pashë këtë shkëlqim të çelët, mbi mua ra një valë e nxehtë. Dhe presioni i shpërthimit. Shtëpia u drodh dhe u tund, tre të katërtat e tjegullave u rrëzuan si nga shiu dhe të gjithë xhamat e dritareve u thyen. E gjithë shtëpia u rrethua nga xhama të thyer dhe tjegulla."

Në këtë shtëpi Klaus Luhmer përjetoi bombën atomike 65 vjet më parë.

Në këtë shtëpi Klaus Luhmer përjetoi bombën atomike 65 vjet më parë.

Pak pas kësaj, stacioni britanik BBC informoi: SHBA hodhën mbi Japoninë një bombë atomike. Por në Hiroshimë vetë njerëzit nuk dinë gjë. Për të krijuar një përfytyrim të qartë, për atë që mund të kishte ndodhur, Klaus Luhmeri ngjitet mbi kodrën pas shtëpisë. Që aty ai sheh: e gjithë Hiroshima është në flakë. Ai arrin të dallojë edhe diçka tjetër:

"Qielli ishte i qartë. Por papritur, kur unë po qendroja mbi kodër, në qiell u ngjitën re të zeza dhe nisi shiu, një shi i zi. Ai ishte i mbushur me hi, të cilin e kishte hedhur në ajër vala e ajrit në qytet, e i cili binte pastaj së bashku me shiun."

Parku Memorial i Paqes në Hiroshima.

Parku Memorial i Paqes në Hiroshima.

Kur u kthye pas kësaj në shtëpinë e jezuitëve, viktimat e para kishin arritur të largoheshin nga qyteti. Atyre u varej lëkura si rreckë nga kockat, pjesërisht rrobat e tyre qenë shkrirë me lëkurën. Priftërinjtë e kthyen një tavolinë buke në tavolinë mjeku dhe filluan të mjekojnë të plagosurit. Ata akoma nuk e dinin se çfarë kishte ndodhur. Disa priftërinj nisen për në qytet, i cili ofronte një pamje të papërfytyrueshme. Kudo kishte flakë. Shtëpi dhe dyqane qenë rrëzuar, midis tyre të vrarë dhe të plagosur. Ushtarë të shpërndarë kudo, gjysëm të djegur, kërkonin vetëm ujë..."

Dy ditë me radhë jezuitët rrinë në qytet dhe u ndihmojnë njerëzve. Pastaj ushtria japoneze e rrethon hermetikisht Hiroshimën.

Autor: Silke Ballweg / Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani