1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

46 vjeçari Nishani - karrierë dinamike politike

Mazhoranca e kryeministrit Sali Berisha i ka dhënë fund garës për postin e kreut të shtetit duke zgjedhur me 73 nga 140 votat e parlamentit ministrin e brendshëm Bujar Nishani si presidentin e ri të Shqipërisë.

Bujar Nishani presidenti i ri i Shqipërisë

Bujar Nishani presidenti i ri i Shqipërisë

Në kohën kur u mendua se edhe raundi i katërt për votimin e presidentit të ri të Shqipërisë nuk do të jepte një emër konkret, mazhoranca e kryeministrit Sali Berisha bëri një lëvizje vendimtare duke e zëvendësuar brenda pak minutash kandidatin e saj që u tërhoq nga gara. Në vend të komentatorit mediatik Artan Hoxha, që vendosi të hënën paradite të dorëhiqet nga kandidimi, 26 deputetët të koalicionit qeveritar firmosën propozimin që kandidat të ishte Bujar Nishani, ministër i brendshëm. Aleanca mes Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Republikanët dhe Partia për Drejtësi e Integrim e Unitet shprehën këmbëngulje për kandidaturën e Nishanit edhe pse opozita e majtë e konsideroi atë si të njëanshme dhe po sipas saj e papranueshme. Opozita me një vendim politik të saj ishte prezente në sallën e parlamentit të hënën pasdite, por nuk mori pjesë në votim, duke shpresuar deri në fund se kandidati nuk do të arrinte të merrte të paktën 71 vota, që sipas kushtetutës i nevojiteshin për t'u shpallur fitues.

Në procesin e votimit morën pjesë 76 deputetë. 1 deputet votoi kundër, kurse dy vota u konsideruan të pavlefshme. 73 votat pro ishin të mjafta për ti siguruar një mandat 5 vjeçar Bujar Nishanit në krye të shtetit shqiptar. Ai do ta marrë detyrën nga presidenti aktual Bamir Topi jo përpara datës 24 korrik 2012, kur përfundon dhe zyrtarisht mandati.

Bujar Nishani, 46 vjeç, ka lindur në Durrës dhe është diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë,1988. Ai ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni/SHBA, 1996, ndërkohë që ka marrë dhe një diplomë në jurisprudencë. Krahas karrierës në fushën ushtarake Bujar Nishani ka dhe një angazhim dinamik politik në Partinë Demokratike. Ka drejtuar strukturat lokale të saj dhe është deputet i parlamentit në dy mandate. Përveç detyrës si ministër i brendshëm, ai ka patur për rreth dy vite dhe portofolin e ministrit të Drejtësisë në kabinetin e kryeministrit Sali Berisha.
Menjëherë pas përfundimit të votimit në parlament kanë ardhur dhe reagimet e përfaqësive ndërkombëtare. Në një njoftim për shtyp që shpërndau shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ettore Sequi, përgëzohej zgjedhja si President i Republikës. “Roli i Presidentit në konsolidimin e pavarësisë së institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe për të ndihmuar vendin në bashkimin e të gjitha përpjekjeve do të jetë me rëndësi të vendimtare për Shqipërinë për të përballuar me sukses sfidat në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Ndërkohë që dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, ka vlerësuar aktivitetin e presidentit të ri. “Ne e çmojmë punën e vendosur të Ministrit për shtetin e së drejtës, në projekte të shumta me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Unë jam i bindur se dija e tij e thellë dhe përvoja e gjerë do të bëjnë që ai t`i shërbejë vendit të tij në mënyrën më konstruktive.”

Edhe presidenti në detyrë Bamir Topi, e përshëndeti vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e kreut të ardhshëm i shtetit, “duke i uruar zotit Nishani suksese në detyrën e lartë”,thuhej në një njoftim që lëshoi të hënën në mbrëmje Presidenca në Tiranë.

Zgjedhja e presidentit të ri dhe në mënyrë të veçantë procesi prej katër raundesh që u finalizua me emrin e Bujar Nishanit është në fokus dhe të gjykimeve të analistëve mediatikë.

Për analistin politik Mentor Nazarko, në pikëpamjen kushtetuese procesi i zgjedhjes së presidentit të ri në parlament ditën e hënë ishte plotësisht i rregullt. Për herë të parë u aplikuan ndryshimet kushtetuese që u miratuan 4 vite më parë nga bashkimi i votive të PD dhe PS dhe në këtë aspekt gjithçka ka ndodhur është legjitime, thotë Nazarko për DW. Sipas tij thelbi i asaj që nuk kënaq një pjesë të opinionit për mënyrën se si u zgjodh president i ri nuk lidhet me procedurën, por me ngjarjen e 4 viteve më parë.

“Nëse e gjykojmë në planin politik, atëherë shikojmë se klasa politikë tregoi paaftësi për të arritur consensus, madje tregoi degradim në aftësinë për kompromis. Po të shikojmë në dy rastet e mëparshme ka patur një lloj konsensusi, ose afrësisht consensus në rastin e zgjedhjes së ish presidentit Moisiu dhe ish presidentit Topi. Nga këndëvështrimi i interesit publik, në rastin e zgjedhjes së presidentit Bujar Nishani, mendoj se më mirë do të ishte të kishim kandidaturat e Xhezair Zaganjorit dhe pse jo dhe atë të Artan Hoxhës. Më shumë zgjedhjen e presidentit Nishani e shikoj si në funksion të ruajtjes së ekuilibrave Brenda rradhëve të mazhorancës. Jashtë këtij konteksti akti i votimit në parlament me shumicë të thjeshtë votash është për mendimin tim një akt arrogance, dhe duke qenë i tillë është dhe një akt frike”. Sipas Mentor Nazarkos kemi të bëjmë me një tendencë për ti vendosur pushtetet në varësi të mazhorancës, që nuk i bën mirë klimës politike në vend “që duhet thënë se edhe pa këtë akt të votimit me shumicë të thjeshtë votash për kreun e shtetit është mjaft e ngarkuar me tensione”.

Analisti politik Andrea Stefani tregon se e ka pritur që të ndodhte që në krye të shtetit do të përzgjidhej një kandidaturë me shumicë të thjeshtë. Sipas tij kjo lidhet me figurën autokratike të kryeministrit Sali Berisha që dëshiron të kapë të gjithë pushtetet. Kryeministri ka shfrytëzuar dhe ndryshimet kushtetuese të prillit të vitit 2008, që japin mundësinë për zgjedhje të kreut të shtetit edhe me të paktën 71 vota, thotë për DW Andrea Stefani.

“Instiktet e tij për pushtet janë më të fuqishme se arësyet për të bërë shtet. Situata është mjaft e tensionuar, mazhoranca nuk tregoi asnjë minimum përpjekjeje për të arritur konsensus me opozitën. Mendoj se zgjedhja e një presidenti të njëanshëm është negative sin ë planin e brendshëm ashtu dhe në planin ndërkombëtar për Shqipërinë. Në planin ndërkombëtar u dha dhe një tregues se politika shqiptare nuk e ka pjekurinë për të arritur në zgjidhje që cojnë në ngritjen e një shteti me ndarje pushtetesh. Kurse në planin e brendshëm unë shikoj se do të intesifikohen përpjekjet e Berishës për kapjen e shtetit e kjo natyrisht që do të gjenerojë konflikte brenda klasën politike dhe jetës shqiptare.”