1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

400.000 vetë evakuohen nga rreziku i rezatimit

Në Japoni vazhdon të mbizotërojë frika për havarinë më të madhe të mundshme atomike në centralin Fukushima. 240 km, në veri-lindje të Tokios, pas cunamit në brigjet veri-lindore konsiderohen të humbur rreth 10.000 vetë.

default

Pas tërmetit të rëndë të pasuar nga cunami i tmerrshëm në Japoni përmasat e katastrofës janë ende të pallogaritshme. Numri i viktimave rritet. Pas shpërthimit të një reaktori në centralin bërthamor Fukushima 1 gjendja po tensionohet edhe më tej.

Pasi në një reaktor tjetër të centralit Fukushima ka dalë jashtë funksionimit sistemi i ftohjes, qeveria në Japoni bën fjalë edhe për një shkrirje të pjesshme bërthamore. Sipas agjencive japoneze të lajmeve vlerat e radioaktivitetit përreth centralit bërthamor janë ndërkohë 1557 Microsievert – ndërsa vlerat e lejueshme janë maksimumi 500. Vëzhguesit shpjegojnë, se ky është i gjashti reaktor me probleme në sistemin e ftohjes së emergjencës në centralin Fukushima 1 si dhe në kompleksin tjetër në distancën 10 km. Fukushima 2.

 

Japan Sendai Erdbeben

Evakuim masiv nga rreziku i rezatimit

Zona e sigurisë përreth centralit bërthamor është zgjeruar në 20 km., tha kryeministri i Japonisë Naoto Kan: "Unë kam udhëzuar, që të gjithë njerëzit, të cilët jetojnë në një distancë prej rreth 20 km nga centrali bërthamor Fukushima duhet të largohen nga kjo zonë."

Sipas të dhënave zyrtare të paktën 22 vetë janë dërguar në spital me rrezatim, jozyrtarisht mësohet që qeveria të ketë pranuar për deri në 160 persona të prekur nga rezatimi. Më parë autoritetet insistonin, se nuk ka rrezik për popullsinë. Ndërkohë në veri-lindje të Japonisë 400. 000 vetë po evakuohen, vetëm në distancën rreth 20 km larg centraleve bërthamore Fukishima 1 dhe Fukushima 2 janë evakuuar, ose janë larguar vet në arrati drejt vendeve të sigurta 200.000 banorë.

Edhe përreth centralit atomik Onagava në prefekturën Miyagi është konstatuar rritje e radioaktivitetit, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo. Ndërkohë mendohet, se ky radioaktivitet nuk vjen nga reaktori. Ekspertët druhen, se era e ka përhapur radioaktivitetin nga provinca e Fukushimës.  

Japan Kesennuma Erdbeben Tsunami

Dëme të jashtëzakonshme

Bregdeti lindor i ishullit kryesor Honshu pas tërmetit u përfshi nga dallga e cunamit, që shkaktoi dëme të jashtëzakonshme. Qyteza të tëra janë shkatërruar. Në kohën që dallga dhjetë metra e lartë vërshoi në breg, qindra ndërtesa u rëzuan si të ishin shtëpi kartoni. Makina, anije e madje edhe aeroplanë, që ishin parkuar në afërsi të bregut, u shpërndanë anë e mbanë prej masës së ujit.

Sipas njoftimeve të televizionit japonez gati 10.000 banorë në Minamisanriku në prefekturën e provincës së prekur rëndë Miyagi konsiderohen të humbur. Nëse konfirmohet kjo shifër, atëherë kemi të bëjmë me gjysmën e numrit të popullsisë së kësaj qyteze, vë ne dukje agjencia e lajmeve KYODO.

Mbi 50 shtete, ndër to edhe Gjermania, i kanë ofruar ndihmë Japonisë. Një ekip i përbërë nga 40 vetë i Agjencisë gjermane për Ndihmën Teknike (THW) ka mbërritur në Japoni. Ekipi i ndihmësve ka marrë me vete qen zbulimi dhe rreth 12 ton ndihma.

Japan Erdbeben Tsunami

Ndryshime nga forca e tërmetit

Tërmeti në Japoni, sipas shkencëtarëve, me forcën e tij goditëse ka zhvendosur një pjesë të madhe toke. Ishulli qendror japonez është zhvendosur me gati dy metra e gjysmë, i tha televizionit CNN, një zëdhënës i Entit të Gjeologjisë në SHBA. Instituti italian për Gjeofizikën dhe Vulkanologjinë ka hulumtuar gjithashtu, se tërmeti në Japoni e ka spostuar me rreth 10 cm. aksin e rrotullimit të Tokës.

Autor: B. Musch-Borowska /V.Filaj-Ballvora

Redaktoi: E.Ahmeti

DW.COM

  • Data 13.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10YQx
  • Data 13.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10YQx