1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

39 të vrarë në një atentat në Stamboll

Një person hapi zjarr rreth vetes në një nga klubet më të mëdha të natës të Stambollit. Midis të vrarëve janë të paktën 15 të huaj. Qeveria flet për një atentat terrorist.

Pas një viti të përgjakshëm 2016, Turqia u trondit natën e Vitit të Ri sërish nga një atentat i rëndë. Në një sulm të armatosur ndaj një klubi nate në Stamboll janë vrarë të paktën 39 vetë dhe janë plagosur gati 70 të tjerë, bëri të ditur ministri i Brendshëm Süleyman Soylu. Midis të vrarëve në mbrëmjen e Vitit të Ri në klubin e famshëm të natës "Reina" direkt në bregun e Bosforit, raportohet se ishin të paktën 15 të huaj.

Sipas të dhënave të guvernatorit të Stambollit, Vasip Sahin, të paktën një sulmues i veshur me kostumin e plakut të Vitit të Ri vrau orët e para të së dielës, rreth orës 01:15 një polic dhe një civil para hyrjes së klubit të natës, përpara se të hapte zjarr rreth vetes në brendësi të klubit. Atentatori "vuri në shënjestër në mënyrën më brutale dhe më të pamëshirshme njerëz të pafajshëm, që patën ardhur vetëm për të festuar natën e ndërrimit të viteve dhe për t'u zbavitur", tha Sahin.

Rreth 700 vizitorë në klub në momentin e sulmit

Atentatori ndodhet në arrati. "Terroristi" kërkohet tani në një aksion të gjerë, tha Soylu. Ai shpreson "që të kapet së shpejti". Sipas agjencisë së lajmeve Dogan, në momentin e sulmit në klubin e famshëm buzë Bosforit ndodheshin rreth 700 vetë. Dëshmitarë thanë se sulmuesi apo sulmuesit patën folur arabisht. Guvernatori Sahin foli për një "atentat terrorist". Përgjegjësinë për të deri tani nuk e ka marrë askush.

Një adresë e njohur në Stamboll: Klubi Reina

Një adresë e njohur në Stamboll: Klubi "Reina"

Policët rrethuan vendin e ngjarjes. Kudo shiheshin meshkuj me kostume dhe gra me fustane mbrëmjeje, të cilët largoheshin në gjendje shoku nga klubi i natës. Sipas stacionit televiziv NTV, gjatë sulmit disa vetë u hodhën në panik në Bosfor. Masat për t'i shpëtuar ata ende vazhdojnë. Klubi "Reina" në lagjen Oraköy është njëra nga adresat më të zgjedhura në Stamboll dhe shumë e preferuar nga shtresa më e lartë në Stamboll. Ai ndodhet drejtpërdrejt në buzë të Bosforit në Veri të qendrës së Stambollit, në anën evropiane të metropolit. Vetëm disa qindra metra më tutje u zhvilluan festimet zyrtare të Vitit të Ri në qytet.

Reina pas atentatit

"Reina" pas atentatit

Vit terrori edhe në Turqi

Ambasada gjermane, ambasada e SHBA dhe shumë përfaqësi të tjera të huaja patën bërë thirrje para natës së Vitit të Ri për të shtuar vigjilincën. Ministria e Jashtme gjermane u rekomandoi udhëtarëve në Stamboll që pas atentatit të qendrojnë hë për hë në hotelet dhe strehimet ku ndodhen si dhe që të ndjekin zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në medie si dhe komunikatat për sigurinë.

Që prej më shumë se një viti, Turqia tronditet prej atentatesh, për të cilat bëhen përgjegjës kurdët militantë dhe milicët e "Shtetit Islamik" (IS). Jo më larg se 19 dhjetori, një polic turk vrau ambasadorin e Rusisë, Andrej Karlov. Dy ditë më parë qenë vrarë në një atentat 14 ushtarë dhe qenë plagosur 56 të tjerë. Përgjegjësinë për atentatin e morën Fajkojtë e Lirisë të Kurdistanit (TAK), një grup i shkëputur nga Partia e ndaluar Punëtore Kurde, PKK.