1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

31 fëmijë humbin jetën në një aksident me autobus në Kolumbi

Gabim i teknikës apo i njeriut? Pas një shpërthimi, autobusi u dogj krejtësisht. 31 fëmijë humbën jetën dhe 24 u plagosën rëndë. Katastrofa ndodhi në qytetin verior kolumbian, Fundación.

Si pasojë e një aksidenti të rëndë me autobus në Kolumbi kanë vdekur 31 fëmijë ndërsa 24 të tjerë pësuan lëndime të rënda. Në autobus ka pasur një shpërthim, ku si pasojë autobusi është djegur krejtësisht, njoftuan policia dhe presidenti i vendit, Juan Manuel Santos. Po ashtu njoftohet edhe për plagosjen e një personi të rritur. Fatkeqësia nodhi në qytetin Fundación në brendësi të Kolumbisë.

Sipas njoftimeve të autoriteteve, autobusi ishte në rrugë duke u kthyer nga një ceremoni kishtare. Shkaku i aksidentit është ende i paqartë. Policia fillimisht foli për një defekt teknik. Por sipas të dhënave të kryebashkiakut të Fundación, Luz Stella Duran, ka pasur raporte se shoferi i autobusit pak para se të ndodhte aksidenti është marrë me një bidon të mbushur me benzinë.

Disa fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e flakës, të tjerët vdiqën më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra, thuhet në mediat lokale. Për moshën e viktimave ende nuk janë dhënë hollësi. Presidenti Santos foli për një tragjedi të tmerrshme. "Vendi është në zi", ka shkruar ai në Twitter. Fundación shtrihet rreth 850 kilometra në veri të kryeqytetit Bogota.