1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

3 maji është dita ndërkombëtare e lirisë së shtypit.

Nuk ka pothuajse asnjë vend në botë ku të mos kërcënohet liria e shtypit. Por liria e shtypit është parakusht për një shoqëri të lirë.

default

Lajmi i mirë në fillim: Presidenti i ri rus Dimitrij Medvedev ka paralajmëruar se do të fuqizojë shoqërinë civile dhe do të respektojë lirinë e shtypit. Vetëm kështu mund të kufizohet korrupsioni dhe të zvogëlohet burokracia. Tani lajmi i keq: Medwedew kërkon ta vazhdojë politikën e paraardhësit të tij Putin, i cili e keqpërdori mediën elektronike si shërbëtore të Kremlinit. Të dyja bashkë nuk do të jenë të mundura: Të garantosh lirinë e shtypit dhe njëkohësisht t'ia përshtasësh atë mendimit sundues. Medwedew do të duhet të vendosë. Fundja njeriu matet nga veprat dhe jo nga shpalljet. Presidenti i ri 42 vjeçar meriton një shans.

Kur televizioni të lejohet të raportojë i lirë në Rusi, kjo do të ketë pasoja për shtetet e tjera, për shembull për Kazakistanin, Uzbekistanin, Azerbajxhanin apo për Bjellorusinë. Sepse edhe atje përlqehet shumë programi televiziv i Moskës. Shtypi i lirë në Rusi do t'i vinte menjëherë nën trysni vëzhguesit e mediës në shtete të tjera të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura. Pra Medvedevi nuk mban përgjegjësi vetëm për Rusinë.

Kudo në botë regjimet autoritare ua kanë frikën ndryshimeve. Prandaj i përndjekin gazetarët e pavarur. Robert Mugabe për shembull, presidenti i Zimbabves, përndjek cilindo që thotë publikisht të vërtetën për rrënimin ekonomik të vendit, izolinimin e tij ndërkombëtar, keqqeverisjen. Si Mugabe veprojnë dhjetëra diktatura të tjera, qoftë në Afrikë, në Azi apo në Evropën Lindore.

Në ditën e lirisë së shtypit nuk duhet lënë në heshtje fakti që edhe në të ashtuquajturin Perëndim ka shkelje. Administrata amerikane përpiqet vazhdimisht të ushtrojë ndikim mbi mediën, për shembull për të zbukuruar gjendjen ushtarake në Afganistan ose në Irak. Nën pretekstin e mbrojtjes së shtetasve të vet me anë të luftës kundër terrorit edge shërbimi informativ gjerman, pra zbulimi i jashtëm, gjendet në kufirin e ligjshmërisë kur lexon e-mail-et e gazetarëve.

Natyrisht, kjo nuk mund të krahasohet me shtypjen e lirisë së shtypit në Sudan, Mianmar apo në Kinë. Kur një shërbim i fshehtë në Gjermani shkel ligje ose të drejta të njeriut, atëherë veprohet menjëherë kundër tij publikisht. Radioja dhe televizioni raportojnë hollësisht për to: Politikanë të ligjëruar demokratikisht sqarojnë në komisione hetimore se si erdhi deri tek këto shkelje, punonjës të shërbimeve të fshehta kritikohen ose shkarkohen. Një pamje krejt e ndryshme paraqitet në diktatura. Atje shërbimet e fshehta veprojnë me porosi të qeverisë kur përndjekin shtypin e lirë.

I tillë është rasti i Kinës. Shumica e njerëzve as që mund ta përfytyrojnë se në vende të tjera ekziston një shtyp i lirë prej ndikimit shtetëror. Kur televizione amerikane ose britanike raportojnë gabim për trazirat në Tibet, atëherë përdoruesit kinezë dyshojnë se pas kësaj fshihen fushata të Perëndimit. Ata pretendojnë që SHBA ose Bashkimi Evropian nuk ia dëshirojnë hovin ekonomik Kinës. Kjo është marrëzi. Përkundrazi, bota e industrializuar përfiton nga një Kinë në mirëqenie, nga një treg i ri, gjigant shitjeje.

E saktë është që gazetarët në Perëndim bëjnë gabime profesionale, edhe gjatë raportimit mbi trazirat në Tibet. Të supozosh se pas kësaj fshihet një përbetim ndërkombëtar kundër Kinës dëshmon ose për padijeni, nacionalizëm të tepruar, komplekse inferioriteti - ose për një përzierje të të gjitha këtyre. Me siguri, njerëzit në Kinë do të ishin më mirë të informuar nëse media e tyre do të ishte e lirë. Si çdo diktaturë edhe komunistët në Pekin frikësohen para së gjithash nga shtetasit e ndërgjegjshëm, diskutimet e hapura, kritika, liria e shtypit. Ata nuk duan ndryshime, duan të qëndrojnë në pushtet.

  • Data 03.05.2008
  • Autor Miodrag Soric
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DsvZ
  • Data 03.05.2008
  • Autor Miodrag Soric
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DsvZ