1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

28 apo 29 nëntori është data e çlirimit të Shqipërisë?

15 vjet pas pluralizmit politik ky debat mbetet ende i ndezur në politikën e Tiranës. E djathta feston 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit. 29 nëntori është festë vetëm për të majtën

Komisionet e Parlamentit, Tiranë

Komisionet e Parlamentit, Tiranë

Hymni i Flamurit ka hapur edhe sot si në të gjitha përvjetorët paraardhës të Festës së Çlirimit ceremonitë në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Edhe sot si 15 vjet rradhazi në këto ceremoni ka munguar lideri i djathtë Sali Berisha. Kryetari i opozitës Edi Rama, e quajti sot Ditën e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë, një festë që qëndron në themelet e Europës së sotme, ku Shqipëria aspiron të integrohet.„Kjo është një festë për të gjithë shqiptarët kudo që janë, festë që kujton Ditën e Madhe të Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë dhe të kurorëzimit të një përpjekjeje kolosale të gjithë popujve dhe vendeve të botës, që u rreshtuan krah për krah kundër murtajës nazifashiste. 29 Nëntori është një festë që qëndron në themelet e Europës së sotme, ideali i të cilës mbetet një ideal për t´u realizuar nga të gjithë ne përmes një politike të re,“ tha Edi Rama sot në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Opozita feston e vetme

Kjo politikë e re për opinionin vendas dhe faktorin ndërkombëtar, do të duhej të karakterizohej nga bashkëpunimi, marrja e vendimeve të përbashkëta dhe më pas zbatimi i tyre. Dita e sotme ka dëshmuar të kundërtën. Ndonëse 29 Nëntori njihet zyrtarisht apo me ligj si Festa e Çlirimit, homazheve të sotme pranë monumentit Nënë Shqipëri u kanë munguar kryeministri Berisha, presidenti Topi dhe krerë të tjerë të maxhorancës së djathtë qeverisëse. Për ta Shqipëria është çliruar më 28 Nëntor 1944 dhe jo një ditë më pas. E djathta ndjek kështu të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit nga 29 Nëntori më 28, pasi sipas saj kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist i Hoxhës, duke falsifikuar historinë, që data e çlirimit të Shqipërisë të përkonte me atë të çlirimit të ish Jugosllavisë së Titos. Por 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm ajo u kthye në festë zyrtare. Ligji nuk ka ndryshuar, por palët vazhdojnë ta festojnë sipas bindjeve të tyre, duke e çpërfilluar ligjin dhe ribërë historinë de facto.

Festa peng

Ilir Meta, kryetar i LSI tha se kjo situatë është pasojë e mbetjes së Festës së Çlirimit, peng të paragjykimeve partiake. Megjithatë dy parti të djathta ju shkëputën asaj që Ilir Meta i quan paragjykime partiake: Demokristianët dhe Partia për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kreu i demokristianeve, Nard Ndoka tha se:“ Data e Çlirimit është 29 Nëntori 1944. Ajo është tanimë e detyrueshme për ta festuar. Politika duhet të ndahet përfundimisht nga lufta shterpë, pas asnjë lloj kuptimi, që po zgjat prej disa vitesh, ku datat historike ndërrohen sa herë ndodh rotacioni i pushtetit.“

Situata e përsëritur që prej 15vitesh, ku e majta e feston Ditën e Çlirimit më 29 Nëntor kurse e djathta më 28 duket se do të marrë fund, kur të dyja palët në vend të emocioneve dhe ndjeshmërive politike të mbizotërojë vullneti për të zbatuar ligjin.

  • Data 29.11.2007
  • Autor Ani Ruci/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CUgE
  • Data 29.11.2007
  • Autor Ani Ruci/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CUgE