1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

250 kaminonë me ndihma ndërkombëtare për Gazën kanë mbetur në Jordani

Transporti po pengohet kësaj radhe për ditë të tëra jo nga Izraeli por nga Egjipti. Në autokolonë gjenden rreth 250 kamionë me ndihma humanitare, ushqime dhe medikamente, të cilat janë destinuar për Gazën.

George Galloway

George Galloway

Deputeti britanik George Galloway është shumë i zemëruar. Në vend që të mbërrijë në rajonin Gazës të bllokuar nga Izraeli, ai së bashku me autokolonën prej 250 kamionësh, është i detyruar që nga nata e Krishtlindjeve të sillet më kot në portin jordanez të Aqabës. "Jemi nisur para tri javësh. Njerëzit e mi janë të frustruar dhe zemëruar. Me vete kemi ndihmat më të nevojshme. Apeloj tek të gjithë ata që munden, na ndihmoni!" - tha Galloway.

Prej Aqabas përmes Detit të Kuq autokolona mund të mbërrijë në Nuveiba të Egjiptit për disa orë, ndërsa prej atje përmes Sinait i duhet vetëm pak orë deri në Rafah, pikëkalimin e vetëm kufitar të Gazës, i cili kontrollohet nga Egjipti. Kjo është rruga më e shpejtë.

Grua ne nje kamp palestinez

Medikamentet dhe ushqimet e mbledhura në Evropë, Turqi dhe vendet arabe, janë destinuar për Gazën e rrethuar.

Por egjiptianët nuk janë dakord dhe po pengojnë transportin e mallrave përmes Nuveibës. Ata kërkojnë që konvoji të kalojë me anije rreth gadishullit (siujdhesës) të Sinait deri tek Kanali i Suezit, dhe prej atje përmes Mesdheut të udhëtojë për në limanin El-Arish, që është një rrugë shumë më e gjatë. Sipas vlerësimeve të Gallowayit kjo rrugë do të kushtonte gjysmë milioni dollarë, vetëm për tragete, para të cilat ai nuk i ka. Ndërkohë që një pjesë e ndihmave është prishur për shkak të temperaturave të larta, deri në 30 gradë. Në autokolonë janë edhe rreth 500 ndihmës.

"Po përpiqem që t'i mbaj njerëzit e zemëruar nën kontroll, por kjo nuk do të jetë e mundur për një kohë të gjatë. Ata nuk do të lejojnë që transporti i tyre të prishet dhe që me ndihmat që duhet të mbërrijnë në Gazë të kthehen sërish në shtëpi." - tha Galloway.

Motivet e Egjiptit nuk janë tepër të qarta

Një deputet i Partisë Kombëtare Egjiptiane, parti në pushtet, thotë se shkaku kryesor është siguria, por pa shpjeguar se çfarë do të thotë kjo. Në Jordani, ku jetojnë dy të tretat e popullatës palestineze, zemërimi në përvjetorin e sulmeve izraelite ishte në veçanti i madh. Këtu dhe në pjesët tjera të botës myslimane arabe, Egjipti akuzohet për bashkëpunim me Izraelin, sepse gjithnjë ka penguar ndihmat dhe i ka lejuar ato vetëm pas ndërhyrjeve të shumta. Prej kohës që Hamasi ka marrë pushtetin në Gazë, Egjipti së bashku me Izraelin ka bllokuar rrugët që e lidhin atë me botën e jashtme. Galloway u ka bërë lutje për ndërmjetësim Turqisë, Malajzisë dhe mbretëreshës së Jordanisë Rania. Ai kërkon që udhëheqësia e Egjiptit dhe Presidenti Mubarak të veprojnë sa më parë.

Autor: Ulrich Leidholdt/Bahri Cani
Redaktor. Pandeli Pani

  • Data 28.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LFaN
  • Data 28.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LFaN