1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

2011 - vit i sukseseve apo dështimeve në Maqedoni?

Viti 2011 krahas vështirësive të shumta nga autoritetet politike në Maqedoni vlerësohet si vit i sukseshëm. Por opozita thotë se Maqedonia e humbi edhe një shans për tu integruar në strukturat euroatlantike.

Pamje nga qendra e Shkupit

Pamje nga qendra e Shkupit

Pushteti me lëvdata, opozita me kritika

Në foto, Nikolla Popovski

Në foto, Nikolla Popovski

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit, bllokimi i proceseve eurointegruese, cënimi i shprehjes së lirë, dështimi i regjistrimit të popullatës, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Maqedonisë, janë disa nga ngjarjet më karakteristike që u shënuan gjatë vitit 2011 në Maqedoni. Pushteti me lëvdata për të arriturat në vitin që sapo e lëmë, opozita me kritika për dështimet e njëpasnjëshme të pushtetit, ndërsa analistët me vlerësimin se Maqedonia po stagnon. Ministri i punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Popovski, vlerëson se edhe në vitin e ardhshëm, Maqedonia do të zhvillojë një diplomaci aktive dhe konstruktive sa i përket anëtarësimit të vendit në strukturat euroatlantike.

“Tani më një kohë, Maqedonia de facto po vepron si anëtare e NATO-s me pjesëmarrjen e saj në misionet paqësore ndërkombëtare, andaj shpresojmë që së shpejti Maqedonia edhe zyrtarisht të bëhet anëtare e NATO-s”, tha Popovski.

Në foto, Teuta Arifi

Në foto, Teuta Arifi

Maqedonia premton qasje konstruktive në bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit. Por kjo qasje nuk varet vetëm nga Maqedonia sepse edhe pala greke duhet të tregojë konstruktivitet pozitiv, thotë Teuta Arifi, zëvendëskryeministre për çështje evropiane. Sipas saj, Maqedonia në të ardhmen duhet ta shfrytëzojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për mbylljen e kontestit të emrit.

“Duhet të kemi parasysh faktin se kemi të bëjmë me një çështje politike tejet të ndjeshme në të cilën kërkohet dëshirë dhe vullnet politik i dy anëshëm për t'i tejkaluar ato. Ky vendim duhet të jetë një motiv apo edhe një shtysë për të dy palët për të lëvizur drejt një zgjidhjeje të përbashkët”, shprehet Teuta Arifi.

Analistët: 2011 viti i humbur për Maqedoninë

Analistët politik vlerësojnë se viti 2011 për Maqedoninë është një vit i humbur. Pavarësia e gjyqësorit, reformat në administratën publike, liria e mediave, lufta kundër korrupsionit ishin dhe mbeten dobësitë në të cilat duhet të punohet edhe në të ardhmen. Sipas analistit Nikolla Dujovski, Maqedonia po shënon ngecje në realizimin e reformave:

“Mos zgjidhja e çështjes së emrit në të shumtën e rasteve apostrofohet si alibi për mos suksesin e procesit të eurointegrimeve. Pushteti duhet ta dijë se Maqedonia po shënon stagnim në realizimin e reformave dhe ky fakt duhet të jetë brengosës”, shprehet Dujovski.

Në foto, Mersel Bilalli

Në foto, Mersel Bilalli

Edhe për analistin Mersel Bilalli, si në segmentin e politikës së brendshme ashtu edhe të politikës së jashtme Maqedonia nuk mund të lëvdohet. Sa i përket ekonomisë, segmentit social, investimeve, Maqedonia shënon stagnim edhe e gjithë kjo kurorëzohet me rënien e standardit të qytetarëve.

“Maqedonia prej një pozicioni kur ishte lider i proceseve eurointegruese, ajo mbeti në margjinat e këtyre proceseve. Ajo madje flijoi edhe projektet strategjike siç është Koridori 8”, vlerëson Bilalli.

Analistët janë të mendimit se Maqedonisë nuk i mjafton vetëm reformimi ne letër por ai duhet të zbatohet në praktikë dhe kjo duhet të jetë prioritet gjatë vitit të ardhëshëm.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Esat Ahmeti