1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

2009 - një vit plot ngjarje për BE

Përpjekjet për ratifikimin e marrëveshjes së Lisbonës, grindja për presidentin e komisionit Barroso, debati për perspektivën e pranimit të shteteve të Ballkanit, lufta për mbrojtjen e klimës - një vështrim retrospektiv

Harta e Evropes

Tema kryesore për BE-në në vitin 2009 ishte rruga e vështirë drejt marrëveshjes së Lisbonës. Disa herë ajo ishte në rrezik të dështonte. Në fund kjo marrëveshje varej nga një person i vetëm, nga presidenti çek, Vaclav Klaus, një kundërshtar i betuar i marrëveshjes. Në prag të vendimit të Vaclav Klaus-it Presidenti i Komisionit të BE-së, José Manuel Barroso, tha: "Ne kemi mbërritur tani në një situatë, ku një shtet anëtar mban përgjegjësi ndaj gjithë të tjerëve dhe ndaj institucioneve evropiane. Dhe kjo është me të vertetë një përgjegjësi shumë e rëndë."

Parlamenti i Europes

Në fund Klaus nënshkroi dhe marrëveshja mundi të hyjë në fuqi me 1 dhjetor. Por viti pati edhe një konflikt tjetër të brendshëm. Kryetarët e shteteve kishin rënë dakord në qershor, që Barroso të merrte një mandat të dytë. Presidenti suedez i radhës Rheinfeld kërkonte që parlamenti evropian ta aprovonte vendimin. Por socialistët nuk pranonin që Këshilli t'ua impononte vendimin. Shefi i grupit parlamentar të socialistëve Martin Schulz: "Ju kisha propozuar zoti kryeministër Reinfeldt, që të dërgoni fillimisht në parlament kandidatin tuaj, me qëllim që ai të thotë këtu, se çfarë do të bëjë, për të parë, në se e merr mbështetjen e shumicës së deputetëve. Kam frikë se ky kandidat, nëse nuk sforcohet shumë, nuk do ta ketë shumicën." Parlamenti e aprovoi Barroson, por në radhë të parë qëllimi i deputetëve kishte qenë, që t'i rezistonin Këshillit të Kryetarëve të Shteteve.

Takimi i nivelit të lartë të BE-së, 29-30.10.2009

Takimi i nivelit të lartë të BE-së, 29-30.10.2009

Një vizion shumë ambicioz - zgjerimi i BE-së me anëtarë të rinj

Përderisa nuk ishte sqaruar çështja e Lisbonës, shumica në BE mendonte se nuk mund të bëhej fjalë për pranimin e vendeve të reja, me përjashtim të Kroacisë. Por që në verë, kur çështja e marrëveshjes së Lisbonës ishte ende e hapur, Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt u shpreh për pranimin e vendeve të Ballkanit dhe të Turqisë: "Vizioni im është një Evropë, që përfshin të gjithë Evropën. Vizioni im nuk është një Evropë, që përjashton vende, fe apo grupe etnike të caktuara. Ky është një vizion shumë ambicioz dhe unë i kuptoj të gjitha vështirësitë, që lidhen me këtë.“

Rezistencë të fortë ka në BE në radhë të parë kundër pranimit të Turqisë

Rezistencë të fortë ka në BE në radhë të parë kundër pranimit të Turqisë

Me pak e diskutueshme është perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor. Sapo u sigurua reforma e BE-së me marrëveshjen e Lisbonës, Ministrat e Brendshëm të BE-së vendosën që qytetarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë të udhëtojnë duke filluar nga19 dhjetori pa viza në zonën e Shengenit. Pas disa muajsh kjo mund të bëhet realitet edhe për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Presidenti serb, Boris Tadic, sheh në këtë vendim më shumë se një lehtësim udhëtimi: "Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për qytetarët serbë. Dhe shpresoj se njerëzit në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë do të përfitojnë sa më parë lirinë e udhëtimit. Ky është hapi i parë i integrimit të plotë të vendeve të rajonit tonë në BE."

Kopenhaga dhe mbrojtja e klimës

Sa më shumë kalonte viti dhe konferenca e Kopenhagës për klimën afrohej, aq më shumë dilte në plan të parë mbrojtja e klimës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, porositi në nëntor, që mbrojtja e klimës të merrej po aq seriozisht sa kriza ekonomike: "Ne e filluam vitin me një krizë të rëndë ekonomike dhe financiare. Ne vendosëm në procesin e G-20 që të bashkëpunojmë ndërkombëtarisht. Por e gjitha kjo do të kishte pak vlerë për shumë njerëz në botë, sikur të dështonim në konferencën e klimës."

Ndryshime në kreun e NATO-s, përmirësim i raporteve me Rusinë

Që prej verës së vitit 2009 NATO ka një Sekretar të ri të Përgjithshëm, danezin Anders Fogh Rasmussen. Por në radhë të parë në aleancë ndodhën disa ndryshime nga ndërrimi i drejtimit në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit. Rasmusseni e vlerësoi p.sh. pozitivisht faktin, që presidenti i SHBA-së, Barack Obama, nuk e vazhdoi në të njëjtën formë planin e paraardhësit të tij Bush për sistemin e mbrojtjes kundër raketave që do të instalohej në Poloni dhe Çeki.

„Përshëndes faktin që SHBA kanë diskutuar me ne, se si mund të zhvillojmë një mbrojtje kundër raketave, që të mund të përfshijë dhe të mbrojë të gjithë aleatët. Përshëndes gjithashtu faktin, që NATO do të luajë një rol më të madh në planet amerikane për mbrojtjen kundër raketave në Evropë. Ky është një hap pozitiv.“ -shpreh Rasmusseni.

Hapi nuk përmirësoi vetëm marrëdhëniet brenda NATO-s, por sidomos marrëdhëniet me Rusinë. Dhe kjo i sjell aleancës avantazhe konkrete, p.sh. në lidhje me misionin në Afganistan. Siç u shpreh ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, në tetor: "Qëndrimi ynë është ky. Ne nuk duam që trupat ndërkombëtare të rrezikohen në Afganistan. Përkundrazi, ne bëjmë gjithçka për t'i mbështetur ato. Sepse problemet e terrorizmit ndërkombëtar, të kriminalitetit të organizuar dhe të tregtisë me drogën prekin edhe Rusisë."

Lufte ne Afganistan

Afganistani mbetet problem i madh për NATO-n

Por mbështetja ruse nuk ndryshon aspak në çështjen kryesore: Afganistani mbetet problem i madh për NATO-n. Konflikti për korrupsionin në qeverinë afgane, për numrin e trupave dhe skenaret e tërheqjes dhe aksionet e veçanta ushtarake, si sulmi i urdhëruar nga një oficer gjerman ndaj autocisternave, të gjitha këto do ta preokupojnë NATO-n për vite të tëra.

Autor: Christoph Hasselbach
Redaktor: Angjelina Verbica

  • Data 25.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LDOw
  • Data 25.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LDOw