1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit

A ekziston sot, 20 vjet pas rënies së Murit, një lloj normaliteti ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit të Gjermanisë? Çfarë është bërë me premtimin e „pejsazheve të lulëzuara“ në Lindje? Një vështrim.

10 nëntor 1989 - Berlinezë lindorë dhe perëndimorë takohen një ditë pas rënies së Murit të Berlinit

10 nëntor 1989 - Berlinezë lindorë dhe perëndimorë takohen një ditë pas rënies së Murit të Berlinit

Asimetri dhe vështirësi në të kuptuar

Gjermania është e bashkuar si shtet, por ekzistojnë ende dallime ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, thekson teologu nga Gjermania Lindore Friedrich Schorlemmer, i cili vite me radhë ishte pjesëmarrës aktiv në lëvizjen opozitare të RDGJ-së:

„Vazhdon të ekzistojë një asimetri e madhe ndërmjet nesh dhe ka vështirësi në të kuptuar, por kjo kalon. Besoj se pas 20 vjetësh do të kalojë."

Ky pohim tingëllon më i rezervuar se shprehja e ish-kancelarit gjerman dhe kryetarit të PSD-së, Willy Brandt, në vitin 1989:

"Le të rriten të bashkuara, pjesët që i takojnë njëra-tjetrës".

Por horizontet kohore kishin patur kufij më të gjerë, nga sa mendohej në euforinë e kthesës politike.

„Pas entuziazmit për njëri-tjetrin të para 20 vjetëve vjen një moment, kur i sheh gjërat esëll, apo vështron normalitetin e bashkimit, i cili përparon me shpejtësinë e kërmillit.“

Bashkimi avancon ngadalë

Ngadalësinë e kërmillit nuk e kishte përfytyruar as kancelari i atëhershëm Helmut Kohl, kur u premtoi në vitin 1990 gjermanolindorëve:

„Së bashku do të krijojmë një vend të lulëzuar.“

Infrastruktura gjermanolindore u modernizua, u zgjeruan autostradat dhe rrugët, u rinovuan fasadat e ndërtesave në qendrat e qyteteve. Ndërtesat me vlerë simbolike si Katedralja dhe Ishulli Muzeal në Berlin, apo Kisha e Zonjës në Dresden u rindërtuan. Reliktet e RDGJ-së si "Pallati i Republikës“ në Berlin dhe shumë ndërtesa banimi parafabrikate u rrëzuan.

1,5 milionë gjermanolindorë janë larguar nga Lindja pas ribashkimit

Sipërfaqja e banimit, që dikur nevojitej me ngulm, nuk është më kaq e nevojshme, për shkak të largimit të pandërprerë të popullsisë nga këto pesë lande. Në katër dekada e gjysëm, që nga fundi i luftës deri në kthesën politike (1945 – 1990) katër milionë e gjysëm njerëz janë larguar nga territori i RDGJ-së në drejtim të Perëndimit, shumica e tyre deri në momentin e ndërtimit të Murit të Berlinit 196. Muri ra më 1989 nën presionin e lëvizjeve të protestave në RDGJ, gjatë të cilave u demonstrua edhe për lirinë e udhëtimit. Që prej asaj kohe, numri i banorëve të Gjermanisë Lindore ka rënë edhe me 1,5 milionë të tjerë.

Me 3 tetor 2009 në ditën e "bashkimit të Gjermanisë“ kancelarja Angela Merkel theksoi:

„Ngjarjet e atëhershme nuk përbënin diçka të kaluar, një ngjarje, që përmbyll një epokë. Fjala ishte më shumë, për një fillim të një kohe të re të lirisë dhe të çiltërsisë dhe ne jetojmë në mesin e saj."

1990 në RDGJ (pa Berlinin Lindor) banonin rreth 14,5 milionë njerëz. Tani ka vetëm 13 milionë. Çdo vit edhe dhjetëramijëra gjermano-perëndimorë shkojnë në Lindje. Por shumica e njerëzve synojnë të shkojnë në Perëndim. Vetëm në vitin 2008 Lindja humbi 50.000 vetë. Kryesisht të rinj me kualifikim të lartë vijnë nga Lindja në Perëndim. Pas mbeten pleqtë, dhe ata që nuk kishin të ardhura.

Shkak i largimit është zhvillimi i ngadaltë ekonomik. E matur me produktin e brendshëm bruto për banor, Lindja arrin vetëm 71 përqind të fuqisë së Perëndimit. Papunësia në Lindje vazhdon të jetë sa dyfishi i Perëndimit.

Në landet e reja gjermane ka edhe suksese, të ashtuquajturat fanarë të ekonomisë dhe shkencës. E diskutueshme është, nëse ato do të qëndrojnë gjithmonë të tilla. Kështu në qendrën elektronike pranë Dresdenit, e quajtur edhe „Silicon Valley“ gjerman, pati turbullira financiare.

Për krizën ekonomike nuk është shkruar gjë në librat shkollorë

Kancelarja gjermane Merkel duke folur për përballimin e krizës ekonomike dhe financiare ndërkombëtare u shpreh:

„… Ndoshta është sfida e parë e madhe e përbashkët e gjermanolindorëve dhe gjermanoperëndimorëve…. dhe për këtë nuk ka libra shkollorë, për këtë nuk është shkuar asgjë, por megjithatë ka një rrugë, që të çon në një terren të hapur, në një kohë të re, në të cilën duhet t'i shfrytëzonim shanset e krizës. Këtë mund ta bëjmë, po të arrijmë të lëmë pas kontradiktat e vjetra.

Autor: Johen Fock/ Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 03.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KMPK
  • Data 03.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KMPK