1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

20 vjet pas kthesës politike në Poloni - "Zgjedhjet gjysmë të lira" shënuan fillimin e demokracisë

Më 4 qershor 2009 u mbushën 20 vjet që nga zgjedhjet e ashtuquajtura „gjysmë të lira“ në Poloni. Votimi ishte rezultat i bisedimeve mes qeverisë komuniste dhe opozitës „Solidarnosc".

Punëtorë të kantierit të Gdanskit ku lindi Solidarnosc.

Krijimi i Solidarnosc-it në 1980 shënoi lindjen e sindikatës së parë të pavarur në bllokun komunist të Evropës Lindore.

Në këtë votim duhej të përcaktoheshin 35 përqind të vendeve në parlament dhe një numër i konsiderueshëm i senatorëve. 65 për qind të vendeve të tjera ishin të rezervuara për deputetët e partisë komuniste në pushtet, e cila deri në atë kohë ishte partia e vetme, që qeveriste Poloninë. Natyrisht që Partia Komuniste shpresonte të merrte më tepër vende të në parlament, që kështu të krijohej mundësia për të vazhduar qeverisjen e vetme. Por fitorja e jashtëzakonshme e Solidarnosc-it i hodhi në erë planet e komunistëve. Pak më vonë erdhi në fuqi qeveria e Kryeministrit konservator Tadeusz Mazowiecki dhe kjo plotësoi kthesën politike në Poloni.

Tadeusz Mazowiecki, kryeminstri i qeverisë konservatore në Poloni pas zgjedhjeve të 4 qershorit 1989.

Tadeusz Mazowiecki, kryeminstri i qeverisë konservatore në Poloni pas zgjedhjeve të 4 qershorit 1989.

Më 12 shtator të vitit 1989, Kryeministri i parë polak i zgjedhur në mënyrë të lirë, Tadeusz Mazowiecki, doli para parlamentit me një dekleratë qeveritare: „Ne duam të bëjmë një jetë dinjitoze, në një shtet të së drejtës, sovran dhe demokratik. Ne duam që Polonia t'i hapw dyert e saj për Evropën dhe botën dhe të kontribuojmë për të mirat materiale dhe kulturore të saj. Polonia duhet të hapë një faqe të re në librin historisë së saj.“

Disa muaj më parë, në pranverë të vitit 1989 askush nuk mund të imagjinonte një prezantim të tillë nga Tadeusz Mazowiecki. Bisedimet në tryezën e rrumbullakët mes qeverisë komuniste dhe Solidarnosc-it ishin me intensitet të dobët, e nganjëherë rrezikonin që të dështonin krejtësisht.

Nga presioni i këtyre zhvillimeve, pushtetmbajtësit pranuan të mbanin të ashtuquajturat „zgjedhje gjysmë të lira“ për të ardhmen politike të Polonisë. Kështu që 35 për qind e mandateve në parlament duhej t' u jepeshin kandidatëve jopartiakë, ndërsa shumica prej 65 u reklamua nga Partia Komuniste. Ish-ministri i Brendshëm i Polonisë Czeslaw Kiszczak, rikujton se në atë kohë askush nuk mund të parashikonte që së shpejti mund të humbiste pushtetin: "Detyra ime ishte të fitoja 65 për qind të vendeve për Partinë Komuniste. Ne shpresonim se Solidarnosc-i nuk do t' i fitonte të gjitha vendet në senat. Por realiteti doli më i keq se sa një ëndërr e keqe. Të gjithë kandidatët e Solidarnosc-i kishin fituar që në raundin e parë të zgjedhjeve. Të gjitha 161 vendet në parlament i fitoi sindikata opozitare, por edhe në senat, d.m.th. në dhomën e dytë të parlamentit, Lëvizja Solidarnosc kishte një shumicë 99 vende kundrejt 1.

Aktivistit të Solidarnosc-it Zbigniew Bujak i kujtohen ngjarjet e atëhershme dhe tregon se ata dyshonin, që qeveria komuniste do të dorëzonte pushtetin: "Qeveria kishte në dispozicion ushtrinë, policinë dhe shërbime të tjera të sigurimit. Gjithsej kishin afër 500 mijë njerëz të armatosur. Edhe këta të fundit e dinin se do të humbisnin gjithçka me rastin e fitores sonë."

Por kryetari i Partisë dhe i ushtrisë polake Wojciech Jaruzelski pranoi humbjen e qeverisë së tij. Polonia tashmë nuk kishte frikë nga ndonjë ndërhyrje ushtarake nga ana e Rusisë, qëkurse kryetari sovjetik i shtetit Gorbaçov u kishte lënë dorë të lirë aleatëve. Edhe gjenerali i Polonisë Jaruzelski vendosi të mos e shtypë me gjak lëvizjen demokratike, thotë ish-udhëheqësi i opozitës Wladislaw Frasyniuk: "Në zgjedhje duhej të tregohej se në cilën anë qëndronte simpatia e popullit. Jaruzelski nuk iu kundërvu votës së popullit dhe kështu u mundësua tranzicioni paqësor në një shtet demokratik me një shoqëri qytetare."

Autor: Thomas Rautenberg / Ibrahim Akipi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I4ek
  • Data 06.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I4ek