1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

20 vjet nga pavarësimi i Kroacisë

Në 15 janar 1992 Kroacia u njoh si shtet i pavarur në bazë të së drejtës ndërkombëtare nga BE e shtetet e tjera europiane. Qysh atëherë vendi ka bërë një rrugë të gjatë nga lufta për pavarësi deri tek anëtarësimi në BE.

Flamuri kroat në Parlamentin Evropian

Flamuri kroat në Parlamentin Evropian

Në 25 qershor 1991 Kroacia dhe Sllovenia shpallën pavarësinë nga federata jugosllave. Si reagim ushtria popullore jugosllave sulmoi qytetet kroate. Vendi u gjend në luftë. Në bashkësinë e atëhershme evropiane pati diskutime të ashpra se si duhej vepruar. A ishte më mirë të njiheshin dy republikat jugosllave si shtete të pavarura, apo jo?

Ndërkohë që francezët dhe britanikët kishin rezerva dhe mbështesnin një zgjidhje, që parashihte reformimin e Federatës Jugosllave, Gjermania mbështeti pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë.

"Ne u angazhuam për njohjen, pasi kjo është e drejta e vetëpërcaktimit të popujve", kujton eurodeputeti gjerman Elmar Brok. "Pikërisht ne gjermanët e dinim nga përvoja se e drejta e vetëpërcaktimit të njerëzve, e cila solli edhe bashkimin gjerman, duhej të ishte e hapur edhe për shtete të tjera, si Sllovenia dhe Kroacia“, thekson Brok.

Në fund ish-ministri i Jashtëm gjerman Hans-Dietrich Genscher arriti t'ia dilte mbanë: në 15 janar 1992 Kroacia dhe Sllovenia u njohën si shtete të pavarura në plan ndërkombëtar. Por kjo nuk nënkuptoi edhe fundin e luftës.

Të pavarur dhe në luftë

Shpërbërja e Jugosllavisë

Shpërbërja e Jugosllavisë

Në atë moment një e treta e Kroacisë ishte e pushtuar nga kryengritësit serbë, të cilët mbështeteshin fuqimisht nga ushtria jugosllave. Ata nuk donin të jetonin në një Kroaci të pavarur, por së bashku me serbë nga republikat e tjera federative në një shtet të përbashkët. Pas njohjes pati përkohësisht përfundim të konfliktit të armatosur në Kroaci, zonat e pushtuara ndodheshin jashtë fuqisë administrative të qeverisë qendrore në Zagreb.

Kjo ishte për kohë të gjatë arsyeja, përse Bashkimi Evropian nuk pranonte të hapte negociata anëtarësimi me Kroacinë. Nuk mund të negociohet me shtete, të cilat janë pjesërisht të pushtuara, thuhej një Bruksel. Kur Kroacia në vitin 1995 me një aksion ushtarak rivendosi kontrollin mbi territoret e pushtuara, duke i rifutur në territorin e saj shtetëror, pikërisht kjo u bë objekt kritike për udhëheqjen kroate.

Këtu u shtuan edhe paditë kundër gjeneralëve kroatë para gjykatës së Hagës për krime lufte: Kroacia nuk pranonte t'i dorëzonte, pasi nuk i shihte si kriminelë, por si heronj të "luftës për atdheun". Kroacia po largohej gjithnjë e më shumë nga BE-ja dhe po izolohej vazhdimisht. Doris Pack, eurodeputete në grupin e Partisë Popullore që prej vitit 1989, mendon se "BE e neglizhoi Kroacinë për një kohë shumë të gjatë".

Vetëm pas vdekjes së presidentit të parë të Kroacisë, Franjo Tuxhman, i cili konsiderohej edhe jashtë vendit si nacionalist dhe autoritar dhe pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2000, kur në pushtet erdhi koalicioni i qendrës së majtë nën drejtimin e kryeministrit Ivica Racan, Kroacia filloi të afrohej sërish me Evropën. Në tetor 2005 filluan zyrtarisht negociatat për anëtarësim me BE-në dhe plot gjashtë vjet më vonë, në dhjetor 2011 u nënshkrua marrëveshja e anëtarësimit në Bruksel.

Referendum për anëtarësimin në BE

Koalicioni i ri Kukuriku fitues në zgjedhjet e 2 dhjetorit në Zagreb

Koalicioni i ri Kukuriku fitues në zgjedhjet e 2 dhjetorit në Zagreb

Në këtë kohë Kroacia ndryshoi "nga një shtet i drejtuar në mënyrë autoritare në drejtim të një demokracie aktive", thotë Hannes Swoboda, raportues për Kroacinë në Parlamentin Europian. Ai beson se demokracia në Kroaci është ankoruar thellë. Këtë e tregojnë edhe zgjedhjet e fundit në muajin dhjetor, pas të cilave një koalicion drejtuar nga socialdemokratët zëvendësoi qeverinë e mëparshme kristiandemokrate.

Në Bruksel shpresohet që përvoja e Kroacisë do të sjellë një ditë në BE edhe shtetet e tjera të Evropës Juglindore. Pasi "Europa nuk është shtëpi e përfunduar, ejani dhe të ndërtojmë së bashku", është motoja e eurodeputetes së gjelbër Franziska Brantner, e cila në kohën e njohjes së Kroacisë ishte 11 vjeç. Edhe eurodeputeti liberal Graham Watson, i cili dëshiron të kalojë në Kroaci ditët e fundit para përfundimit të referendumit në fund të janarit, ka një mesazh të qartë para së gjithash për kroatët e pavendosur: "Europa nuk është e përsosur, por është më e mira zgjidhje, që kemi gjetur dhe funksionon."

Vendimi përfundimtar mbi të ardhmen e Kroacisë është megjithatë në duart e vetë kroatëve dhe se si do të jetë ai, do të tregohet së shpejti: Më 22 janar do të mbahet një referendim për anëtarësimin në BE. Sipas anketimeve të fundit numri i euroskeptikëve është në rritje dhe aktualisht vetëm 51 për qind e qytetarëve e mbështesin anëtarësimin e Kroacisë në BE.

Autor: Zoran Arbutina / Mimoza Kelmendi