1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

20 vjet Mastriht - Asnjë arsye për brohoritje

Më 7 Shkurt 1992 u nënshkrua marrëveshja e Mastrihtit: Nga Bashkësia e atëhershme Europiane doli Bashkimi Europian, dhe u vu kështu gurthemeli për një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

default

Ato kanë qenë lajme - të cilat drejtuesi i lajmeve Ulrich Wickert i përcillte direkt në dhomat e shtëpive të gjermanëve: "Me të vërtetë pas një vramendjeje të gjatë, ministrat e Financave të Bashkësisë Europiane natën e shkuar në Bruksel ranë dakord që më së voni nga viti 1999, marka, monedha e mirë dhe e fortë gjermane të hyjë në histori."

Monedha e mirë gjermane u hoq, Bashkësia Europiane u bë Bashkim Europian, por ministrat e Financave edhe sot e vrasin mendjen netëve. Jo për diçka të mirë, por sepse diçka e keqe i kërcënon. Euroja ndodhet në krizë. Madje në një krizë kaq të thellë, saqë duhet pyetur nëse fëmija e Helmut Kohlit, Francois Mitterrand-s dhe Jean-Claude Junckerit do të ketë shanse të mbijetojë? Jean Claude-Juncker është optimist: "Mendoj që ky fëmijë, i cili nuk është më fëmijë por ka arritur moshën pas-adoleshencës, do t'i kapërcejë dhe mbijetojë vështirësitë dhe të papriturat e kohës."

Pakt stabiliteti pa ndikim

Por fazën e pas-adoleshencës, baballarët e euros e kishin përfytyruar ndryshe në Mastriht. Asokohe ata donin më shumë Europë. Synonin një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, çuan përpara integrimin europian dhe para së gjithash monedhën e përbashkët. Atëherë ajo ishte pa emër, më vonë atë ia dha ministri gjerman i Financave, Theo Weigel. Euroja ishte pra krijesa e tij. Për ta mbrojtur ai së bashku me 11 ministra të tjerë të Financave vendosi të bëjë një pakt.

Shtetet e euros nuk duhet të shpenzonin shumë para, duhet të ishin të kujdesshme me borxhet, dhe të bënin një politikë të arsyeshme buxhetore. Kjo ishte ora e lindjes së paktit të stabilitetit. Theo Waigel kujton: " Kur unë e propozova paktin e stabilitetit, i pari që dha një sinjal ishte ministri i Buxhetit i Italisë. Ai ishte plotësisht pro paktit. Aty mendova, ky po tallet me ty tani, dhe pastaj e pyeta edhe njëherë, se çfarë ka parasysh ai me këtë. Kur ai thotë hapur dhe ndershmërisht: Brenda politikës italiane nuk do arrij kurrë ta fusë këtë ide, pra uljen e deficiteve që kemi akoma. Kjo bëhet vetëm me presion europian."

Asokohe nuk e vriste mendjen njeri për Greqinë

Por me sa duket presioni europian nuk ishte presion i fortë sa duhej. Pakti i Stabilitetit nuk ishte aq rigoroz, -edhe Gjermania nuk i qëndroi besnik atij, dhe mori borxhe më shumë se sa duhej, pa u ndëshkuar. Këtë udhë e ndoqën edhe vende të tjera. Sidomos grekët, për të cilët të gjithë thonë: ata as nuk duhej të ishin futur në eurozonë. Por në vitin 1992, askush nuk e vriste mendjen aq shumë për Greqinë. Helmut Kohl dhe nënshkruesit e tjerë të Mastrihtit duhet të punonin shumë për tema të tjera. "Ajo më e rëndësishmja që mund të dalloja atëherë ishte frika shumë e përhapur në Europë, pra që popujt të mos humbnin identitetin, rëndësinë, profilin e tyre, thënë më mirë. Ky nuk është qëllimi i Mastrihtit."

Sot kemi një pakt fiskal, një shpikje e Angela Merkelit, një mbrojtëse e flaktë e Europës. "Dështon euro, dështon Europa. Dhe ne kemi nevojë për Europën, sepse duam të mbrojmë e ruajmë vlerat tona të përbashkëta."

Autor: Sabine Henckel/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti