1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

20 vjet bashkim i Gjermanisë - Konstituimi i kuvendi popullor të ish-RDGJ-së

Më 5 prill 1990 u konstituua kuvendi popullor i ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë, i zgjedhur me votë të lirë. Detyra e tij ishte të krijonte kushtet juridike për t'iu bashkuar Republikës Federale të Gjermanisë.

Kryeministri i RDGJ-së Lothar de Maiziere (në mes) dhe deputetë kristiandemokrat në sallën plenare të kuvendit popullor të RDGJ-së

Kryeministri i RDGJ-së Lothar de Maiziere (në mes) dhe deputetë kristiandemokrat në sallën plenare të kuvendit popullor të RDGJ-së

Deputetët e parlamentit të parë të RDGJ-së të zgjedhur me votë të lirë janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e kësaj dite. Detyra që kishin marrë më 18 mars 1990 prej zgjedhësve ishte e qartë. Kryetares së kuvendit të zgjedhur atë ditë Sabine Bergmann-Pohl i kujtohet: "Donin ribashkimin dhe nuk kishte rrugë tjetër, sepse ekonomia kishte marrë fund, RDGJ-ja ishte e rrëuar financiarisht."

Presidentja e Kuvendit Popullor të ish-RDGJ-së Sabine Bergmann-Pohl (CDU)

Presidentja e Kuvendit Popullor të ish-RDGJ-së Sabine Bergmann-Pohl (CDU)

Pak më vonë kryeministri i ri formuloi në deklaratën e tij qeveritare dëshirën e shtetasve të RDGJ-së që jo thjesht të "merreshin përsipër": "Ne sjellim në këtë bashkësi përvojën e dekadave të fundit, që e kemi të përbashkët me vendet e Evropës Lindore. Ne sjellim ndjeshmërinë tonë për drejtësi sociale, solidaritet dhe tolerancë. (...) Ne sjellim përvojën e hidhur dhe krenare në kufirin midis përshtatjes dhe rezistencës. Ne sjellim identitetin dhe dinjitetin tonë. Identiteti ynë është historia dhe kultura jonë, dështimi ynë dhe arritjet tona, idealet dhe vuajtjet tona. Dinjiteti ynë është liria jonë dhe e drejta jonë njerëzore për vetëvendosje."

Për herë të parë parlamenti është pluralist dhe deputetët mund të flasin të lirë

Për të parën herë në historinë e RDGJ-së kishte një parlament, që ushtronte vërtet pushtetin në vend dhe nuk ekzistonte vetëm në letër. Më në fund deputetët mund të flasin tani të lirë dhe pa frikë prej raprezaljeve dhe të luftojnë për rrugën e duhur për vendin e tyre.

Përveç Partisë Kristiandemokrate, që ka dalë fituese nga zgjedhjet, në kuvend janë të përfaqësuar socialdemokratët, liberalët, kristian-socialët, të gjelbrit dhe Partia post-komuniste e Socializmit Demokratik (PDS). Asnjëherë më parë nuk ishin takuar në një parlament të RDGJ-së përfytyrime politike kaq të ndryshme. Sabine Bergmann-Pohl : "Natyrisht që kishte përfytyrime të ndryshme dhe ballafaqime. Ata që rridhnin nga lëvizja për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që zinin vend në fraksionin Aleanca 90/Të Gjelbrit, donin një RDGJ të reformuar. PDS-i donte natyrisht të çimentonte kushtet e vjetra, por partitë e tjera donin të përgatisnin ribashkimin, të krijonin parakushtet ligjore për këtë. Dhe vullneti i popullit ishte i madh."

Me votim të fshehtë parlamentarët zgjodhën pak më vonë kryetarin e CDU-së Lothar de Maizière si kryeministër të RDGJ-së. Ai formoi një koalicion të gjerë me socialdemokratët, "Lidhjen e Demokratëve të Lirë" dhe disa ministra pa parti, megjithëse mjaftonin votat për një koalicion midis CDU-së dhe liberalëve. Me qeverinë e parë demokratike, e cila përgatiti në pesë muajt e ardhshëm terrenin për bashkimin e Gjermanisë, morrën fund edhe kohët kur udhëheqësit e SED-së orientonin në drejtimin e dëshiruar shtetin dhe popullin.

Autor: Matthias von Hellfeld / Elert Ajazaj

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 02.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mm2Y
  • Data 02.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mm2Y