1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 vetë humbën jetën nga përmbytjet në Shkup

Fatos Musliu7 Gusht 2016

Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm në Shkup, Ministria e Punëve të Brendëshme konfirmon se kanë humbur jetën 20 vetë dhe 6 llogariten të zhdukur.

https://p.dw.com/p/1Jczc
Mazedonien Unwetter
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

"Deri tani kemi 20 viktima nga shirat e mbrëmshme, 22 janë të lënduar, përderisa 6 llogariten të humbur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre . Të gjitha viktimat janë nga Hasanbegu, Haraçina dhe Stajkovci”, deklaroi Liza Bendeska, zëdhënëse e policisë. Ka mbaruar edhe mbledhja e Komitetit drejtues për ballafaqim me kriza. Kompetentët kanë shprehur shqetësim për katastrofën natyrore në Shkup dhe rrethinë.

“Të gjitha institucionet janë në funksion. Po mundohen t'i ndihmojnë secilit që ka nevojë për ndihmë. Deri tani u është ndihmuar më shumë se 1000 personave nga këto institucione. Deri tani janë vërtetuar 17 të vdekur, numri mund të rritet. Shpresojmë të mos jetë ashtu”, tha zëvendëskryeministri Nikolla Todorov.

Mazedonien Unwetter
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

Më i rëndi në dekadën e fundit

Në Hasanbeg e Singeliq të Shkupit tashmë ka vetëm njerëz që përpiqen të kontrollojnë dëmet e një nate më parë, pasi shumica e banorëve arritën të evakuohen gjatë natës tek të afërmit. Situata edhe gjatë ditës së sotme vlerësohet si tejet e rëndë për faktin se në vendet e prekura nga moti i keq ka rrugë të bllokuara, rrëshqitje dheu, makina të mbuluara deri në majë nga uji. Lagja e Hasanbegu në Shkup ka pësuar më së shumti pas daljes së ujrave të liqenit pranë Kamenikut, i cili arriti deri në katet e fundit të shtëpive. Njerëzit kanë hipur edhe mbi çati që të shpëtonin. Dëmet materiale janë të mëdha, shumë shtëpi janë tërësisht të mbushura me ujë. Kanali i ujërave të zeza që kalon në mes të fshatit ishte rrezik permanent për banorët që jetojnë në afërsi. Autoritetet thonë se shiu i mbrëmshëm, ishte më i rëndi në dekadën e fundit dhe u shoqërua madje edhe me shkarkime të fuqishme elektrike apo reth 800 vetëtima sa u regjistruan në Shkup.

Mazedonien Unwetter
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

Presidenti i Maqedonisë Gjorgji Ivanov aktivizoi ushtrinë, e cila momentalisht është duke ndihmuar me ngritjen e barrierave përgjatë disa lumenjve, për të siguruar rezidentët e këtyre rajoneve se do të jenë të sigurtë përballë rreziqeve natyrore. Kryebashkiaku i Shkupit, Koce Trajanovski është parë në Stajkovci dhe Hasanbeg duke ndihmuar qytetarë. "Qëllimi ynë është për të thyer rrethrrotullimin, sepse ka rrëshqitje të tokës,shumë automjete dhe makineri janë sjellë për të pastruar rrugën”, ka deklaruar kryetari i qytetit të Shkupit, KoceTrajanovsnki.

Apel qytetarëve

Në Spitalin e qytetit ndihmë kanë kërkuar 67 persona të cilët kanë marrë lëndime gjatë vërshimeve ka njoftuar mjeku kujdestar Viktor Kamillovski.

Mazedonien Unwetter
Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Licovski

“Deri ne orën 23:00 kemi pranuar 21 persona prej të cilëve 7 janë mbajtur për kurim të mëtejshëm në spital . 14 të tjerët janë mbajtur në shërbimin ambulator e më pas janë lëshuar. Ju apelojmë qytetarëve, më shumë popullatës më të moshuar tek të cilët reflekset e trupit janë më të lëshuara, që të mos dalin pa nevojë nga shtëpitë në gjendje të tilla shiu pasi shumë pacientë që kanë ardhur, kanë pasur shenja në gjithë trupin dhe thyerje për shkak të fuqisë së madhe të ujit “, thotë mjeku Kamillovski.

Sipas sinoptikantëve Shkupi dhe rrethina edhe gjatë ditës së sotme gjendet nën ndikim të një mase jostabile dhe të lagësht të Mesdheut e që në orët e pasdites dhe në mbrëmje do të sjell mot të paqëdrueshëm dhe me shi, erë e bubullima.