1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shqipëria 1990

2 korriku 1990 - Intervista për DW e ish - presidentit Alia

Ramiz Alia në intervistën dhënë për DW në vitin 2000: "Nga socializmi nuk donim të hiqnim dorë"

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia

Si e përjetoi ish- presidenti i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia këtë ngjarje dhe si e vlerëson ai tani rrugën që ndoqi kjo udhëheqje për gati 50 vjet?

DW: Zoti Alia, 20 vjet më parë, në Tiranë, mijëra qytetarë vërshuan në ambasada në shenjë të kundërshtimit të hapur ndaj diktatures komuniste. Si e përjetuat ju atë ngjarje historike?

Ramiz Alia: 2 korriku, futja e 5 mijë vetëve në ambasadat e huaja është një ngjarje që padyshim ka lënë vragë në jetën politike të vendit. Ngjarja e 2 korrikut ishte një paralajmërim, që situata në vendin tonë po acarohej. Natyrisht kjo qe një gjë e papritur për neve, ajo dyndje masive e njerëzve. Edhe shqetësim ngjalli. Problemi ishte që ajo duhej kapërcyer me qetësi. Në mënyrë që të mos ndodhte asnjë konflikt me masën e njerëzve, që të çonte në përdorimin e forcës. Ky ishte dhe shqetësimi kryesor ato ditë. Prandaj ne u morëm vesh në atë kohë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, i cili dërgoi një person të ngarkuar zyrtar të tij, që u mor vesh me ambasadat e huaja për të hyrë ato në marrëdhënie me qeverinë. Pra me ndërhyrjen e zotit de Kular u bë e mundur që ambasadat e ndryshme të na dorëzonin emrat e të gjithë shqiptarëve, që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja dhe qeveria jonë përgatiti pasaporta për të gjithë, të gjithë u pajisën me pasaporta shqiptare në mënyrë që largimi i tyre, i cili u bë në mënyrë të organizuar, të ishte jo më si refugjatë ilegalë, por si njerëz me pasaporta dhe ata shkuan në vendet ku ata dëshironin. Në këtë mënyrë mori fund si të thuash ajo etapë. Por kjo nuk do të thotë që situata në Shqipëri nga ky moment ndryshoi në kuptimin as pozitiv, as negativ.

'Nga socializmi nuk donim të hiqnim dorë'

DW: Zoti Alia, ndërkohë rënia e Murit të Berlinit, vetëm një vit para ngjarjes së ambasadave ne Tirane, kishte ngjallur shpresa të mëdha edhe në Shqipëri. A e kuptuat ju se rënia e atij Muri ishte një sinjal i qartë që edhe socializmit shqiptar po i vinte fundi?

Ramiz Alia: Këtë ide që të hiqnim dorë nga socializmi, nuk e kishim. Rënia e Murit të Berlinit, ose më mirë përmbysja e sistemit komunist në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik krijoi edhe tek ne një shqetësim, flas për udhëheqjen tonë. Unë në atë kohë padyshim mendova që duheshin bërë ndryshime në vend. Dhe ne filluam të marrim disa masa për një demokratizim të mëtejshëm të jetës së vendit tonë. Pra duke hequr dorë nga disa dogma edhe nga fusha e ekonomike dhe nga ajo politike si dhe nga disa vendime, që ishin marrë më përpara. Por e theksoj që të gjitha ato masa, që po mernim për demokratizimin e vendit nuk çonin në likuidimin e shtetit, në likuidimin e sistemit socialist. Midis masave të ndryshme vendosëm që në shtyp të linim mendimet e lira që të publikoheshin, te shfaqeshin mendime te ndryshme, ku pati në atë kohë artikuj të ndryshëm që dolën dhe nuk u morëm masa kundër këtyre njerëzve, përkundrazi pati diskutime mbi to. Natyrisht ishte një rrugë që ne kërkonim të kapërcehej kjo fazë, jo duke forcuar sistemin e diktaturës së proletariatit, por përkundrazi duke e dobësuar atë, duke hequr dorë nga ajo, por pa rrezikuar, pa hequr dorë nga socializmi.

DW: Zoti Alia, komunizmi provoi të ishte një ideologji dhe sistem që dështoi. A mendoni se i hytë një rruge të gabuar?

Ramiz Alia: Unë mendoj që nuk mund të konsiderohet e gabuar; sepse ne i hymë një rruge: ndërtimit të socializmit në vendin tonë.

'Pro izolimit ishte një zgjedhje e jona'

DW: Ajo që ju e quani ndërtimi i socializmit rezultoi në një politikë ekstreme e izolimit të Shqipërisë nga gjithë bota. Pse ju trembnin kontaktet me botën?

Ramiz Alia: Pro izolimit ishte një zgjedhje e jona. Qysh në 48 jugosllavët kërkuan të vënë shtypjen mbi ne. Kërkuan që Shqipërinë ta shndërronin në republikë të shtatë të Jugosllavisë. Pra nuk iu mjaftonte Kosova, po donin edhe Shqipërinë ta fusnin në suazën e shtetit të tyre, të federatës së tyre jugosllave. Në vitet '60 filloi kontradita tjetër me rusët, e cila nuk ishte vetëm në plan ideologjik, por ishte në plan kombëtar. Ne mbronim lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, sepse Hrushovi u lidh me Titon dhe bashkëpunoi me Titon dhe i dha të drejtë Titos në synimet e tij ndaj Shqipërisë. Pra ne pamë një rrezik, që po i kërcënohej vendit tonë. Tashmë jo vetëm nga Tito, por edhe nga rusët. Dhe ky ishte edhe shkaku që u prishëm me të. Më vonë ndodhi që u prishëm edhe me Kinën , e cila kjo prishje erdhi sipas mendimit tim për fajin tonë. Nga Kina nuk patëm asnjë kërcënim, siç kishim nga jugosllavët apo rusët. Përkundrazi ne u treguam brutalë, sepse ne u zemëruam pse Kina po realizonte marrëdhëniet e saj me SHBA-në.

DW: Por ju nuk e kishit kuptuar që nga izolimi me botën po mjerohej populli, vendi?

Ramiz Alia: Këtë pyetje ma kanë bërë edhe të tjerët lidhur me izolimin. E vërtetë është që ne u izoluam, por edhe italianët, fqinjët tanë, çfarë bënë për ne shqiptarët, iu drejtova disa politkanëve italianë gjatë një takimi. Ne nuk e ndihmonim dot Shqipërinë, sepse e konsideronim Shqipërinë zonë të influencës sovjetike. Dhe nuk na e mbante. Izolimi nuk ishte faktor vetëm i joni. Ne kemi faj, por edhe të tjerët nuk bënë asgjë për të na dhënë dorën.