1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

16 prilli - Dita D për Maqedoninë

Shpresa dhe dilema në Maqedoni para publikimit të raportit të progresit për pranverën, i cili shërben si bazë për caktimin e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Komisioni Evropian më 16 Prill do të publikojë raportin e jashtëzakonshëm për realizimin e detyrimeve të Maqedonisë për të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Raporti do të publikohet nga komisari për zgjerimin i BE-së Stefan Füle në Strasburg, dhe njihet si raporti i pranverës. “Nuk dua të hyj në detaje se çfarë do të përmbajë raporti për Maqedoninë. Tani gjendemi në të ashtuquajturin proces pune, Komisioni Evropian do ta miratojë raportin e jashtëzakonshëm për Maqedoninë më 16 Prill dhe atëherë do të dihet se ç' përmban ai”, shprehet zëdhënësi i komisarit për zgjerimin, Peter Stano.

Qasje serioze ndaj obligimeve të KE-s

Zëvëndëskryeministri për çështjet e eurointegrimeve Fatmir Besimi, thotë se është herët për t'u prononcuar nëse raporti do të jetë pozitiv apo negativ. Vlerësimi i takon Komisionit Evropian, ndërsa institucioneve qeveritare në Maqedoni u mbetet të vazhdojnë të punojnë në drejtim të arritjes të progresit që do të mundësonte në samitin e qershorit që vendi të jetë më afër marrjes së datës së fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Peter Stano,

Zëdhënës i komisionerit Füle, Peter Stano

Sipas  zëvendëskryeministrit Besimi, në takimin e radhës me eurokomisarin Füle, në kuadër të raundit të katërt të bisedimeve të nivelit të lartë do të shqyrtohen konkluzionet dhe progresi për periudhën 4 mujore dhe finalizimi i raportit të jashtëzakonshëm. “Zgjedhjet lokale, roli i mediave, reformat në Kodin Zgjedhor, sistemi i së drejtësisë, Marrëveshja e Ohrit dhe reformat në administratën publike janë fushat që do të vlerësohen në raportin e jashtëzakonshëm për Maqedoninë”

Në planin e jashtëm pritet që në raportin e Komisionit Evropian t'u vihet theks i veçantë raporteve me fqinjët, konkretisht dialogu në nivel ekspertësh me Bullgarinë dhe kontesti me emrin me Greqinë i cili tanimë është bërë element i pandashëm i raporteve të Komisionit Evropian.

Ruzhin : Maqedonia me probleme serioze

Analistët e politikës janë tejet skeptikë nëse do të ketë vlerësime pozitive për Maqedoninë lidhur me raportin e Komisionit Evropian. Profesori i Universitetit të Shkupit, Nano Ruzhin thotë se Maqedonia nuk ka shënuar asnjë hap të vogël pozitiv në negociatat me Greqinë për çështjen e emrit, politika pasive e Maqedonisë në këtë drejtim sigurisht se do të pasqyrohet në raportin e Komisionit Evropian. “Qeveria e Gruevskit nuk është në gjendje të pranojë zgjidhje të emrit, ajo tenton që në çdo mënyrë çështja e emrit të margjinalizohet, por e vërteta është shumë e dhimbshme, evropianët thanë qartë se duhet të zgjidhet problemi i emrit që të merret raport i kushtëzuar pozitiv, që do të mundësonte fillimin e negociatave për caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Përveç problemit të emrit , Maqedonia ka probleme serioze edhe me demokracinë ”, vlerëson Nano Ruzhin.

Zëvëndëskryeministri për eurointegrimin, Fatmir Besimi

Zëvëndëskryeministri për eurointegrimin, Fatmir Besimi

Raport i balancuar  - fitore për Maqedoninë

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Bekim Kadriu është i mendimit  se raporti i KE-së do të jetë i balancuar dhe do të insistojë që Maqedonia të mund t'i fillojë bisedimet të paktën për kapitujt 23 dhe 24. “Kjo qasje do të jetë e balancuar pasi Maqedonisë i jepet motivim, përkrahje se BE-ja ka interes që Maqedonia të fillojë negociatat me BE-në. Në këtë raport BE do të sinjalizojë se nuk lejon që një kontest bilateral me Greqinë të jetë pengesë për eurontegrimet e një shteti kandidat”.

Emri pengesa kryesore për eurointegrime 

Për diplomatin Denko Malevski, deri më 16 Prill nuk mund të presim asgjë spektakulare për zgjidhjen e kontestit të emrit andaj shpresat për marrjen e raportit pozitiv nga Komisioni Evropian janë të pabaza. Çështja e emrit vazhdon të mbajë të bllokuar procesin e integrimit, politikanët në pushtet këtë kontest e shndërruan në çështje të identitetit gjë që e pamundëson edhe më shumë zgjidhjen e problemit. “Ne po largohemi nga zgjidhja e kontestit. Ne këtë problem e kemi ndërlikuar edhe më shumë duke i dhënë dimensionin  e kontestit të identitetit. Duke e shtuar këtë element, prakitikisht ne kemi hyrë në një situatë pa rrugëdalje për zgjidhje të kontestit të emrit”, shprehet Malevski.

Para publikimit të raportit të jashtëzakonshëm të Komisionit Evropian  për Maqedoninë, në Shkup më 9 dhe 10 Prill do të qëndrojë eurokomisari për zgjerim i BE-së Stefan Füle. Nga vlerësimet e raportit të pranverës  do të varet raporti i qershorit, ku përfundimisht do të dihet nëse Maqedonia do të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE ose jo.