1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

150 vjetori i bashkimit të Italisë

Në Itali u festua 150 vjetori i bashkimit. Më 17 mars 1861 Viktor Emanuelit të II u shpall mbreti i parë i Italisë së bashkuar.

default

Festimet në Romë

Me një numër aktivitetesh të enjten (17.03) u festua në Itali 150 vjetori i bashkimit të vendit. Avionët e forcës ajrore fluturuan mbi Romë duke lëshuar tym të gjelbër, të bardhë dhe të kuq, në ngjyrat e flamurit të Italisë. Njerëzit mbanin flamuj të duar dhe i kishin varur ato në ballkone. Në Romë presidenti italian Giorgio Napolitano vendosi një kurorë në monumentin Vittoriano për nder të Viktor Emanuelit të II, i cili u shpall më 17 mars 1861 mbreti i parë i Italisë së bashkuar.

Në krye të festimeve ishte kryeministri Silvio Berluskoni. Më këtë rast ai zbuloi një statujë të restauruar kohët e fundit të Anita Ribeiros, bashkëshortes së heroit kombëtar Xhiusepe Garibaldi. Garibaldi nderohet për bashkimin e krahinave të ndryshme të Italisë. Për shekuj me rradhë Italia ishte e ndarë në shtete kundërshtare, që ishin nën sundimin, apo nën kontrollin e fuqive të huaja duke përfshirë edhe Austrinë dhe Spanjën.

Demonstration Italien Silvio Berlusconi

Uniteti ende nuk është bërë realitet

Njëqind e pesëdhjetë vjet më vonë, stërmbesa e Garibaldit Anita Garivaldi, thotë se ëndrra e paraardhësve të saj për bashkimin është ende për t'u materializuar. "Eshtë shumë e freskët", thotë ajo. "Ishin shtatë shtete të vogla, krejtësisht të ndara, me administrata të ndryshme, gjithçka të ndryshme, duke përfshirë edhe veshjet dhe gatimin. Njerëzit nuk kanë qenë të gatshëm ta kapërcenin këtë dhe të kuptonin që Italia është trashëgimi e të gjithëve."

Në fakt festimet patriotike të së enjtës shërbyen për të përkujtuar përçarjet e vazhdueshme të Italisë. Qëndrimi i Lega Nord me orientim të djathtë përbën vazhdimisht tension mes Veriut dhe Jugut të Italisë. Partia, që është anëtare në koalicionin qeveritar të Berluskonit ishte kundër përvjetorit. Anëtarët e saj refuzuan të festonin bashkimin me rajonet e Jugut, të cilat i konsiderojnë dembele, plangprishëse me gangrenën e mafies.

Aq më tepër anëtari i Lega Nord, europarlamentari Mario Borghezio e ka quajtur përvjetorin një "ditë zie". Në fillim të kësaj jave anëtarë të partisë u larguan nga një takim i këshillit të qarkut në Milano në shenjë proteste, sepse po luhej himni kombëtar.

Qeveria e provincës autonome alpine Alto Adige me shumicë gjermanofone, e njohur edhe si Tiroli i Jugut dha të kuptojë në fillim të muajit se nuk do të marrë pjesë në festimet e përvjetorit.

Guvernatori i Provincës Luis Durnwalder tha se komuniteti gjermanofon nuk ka "arësye për të festuar" sepse ai nuk ka të drejtën e fjalës në territorin e tij, që iu inkorporua Italisë në vitin 1919.

Fërkimet të cilat vazhdojnë ta ndajnë Italinë duket se rrjedhin nga diversiteti kulturor i Italisë. Dallimet në mes rajoneve mbeten të forta.

Në mbrojtje të identitetit kombëtar

Por kisha katolike romane e ka mbrojtur unitetin e Italisë, duke argumentuar se krahinat në Itali nuk janë të ndara siç pretendojnë shumë. "Bashkimi i Italisë nuk ka qenë fryt i bashkimit artificial të identiteteve të ndryshme, por një identitet kombëtar me ekzistencë të mëparshme", tha Papa Benedikti i 16-të në një mesazh me rastin e përvjetorit.

Feiern zum 150. Jahrestag des italienischen Einheitsstaates

Italia po përballet me kërcenime të vazhdueshme të unitetit të saj kulturor, politik dhe ekonomik. Këtyrë fërkimeve u shtohen edhe skandalet e kohëve të fundit me Berluskonin. Gjatë festimeve të jubileut të 150 vjetorit pati fishkëllima kundër kryeministrit, cili në prill do të dalë para gjyqit i akuzuar për lidhje seksuale me një marokane të mitur.

Analisti Alesandro Politi paralajmëron se mospërfillja për trashëgiminë e vendit dhe mungesa e një sensi të përbashkët për të mirat publike po e vë në rrezik të ardhmen e Italisë. "Nëse dua të jem disi i sinqertë, më duhet të them se Italia po vdes në aspektin e cilësisë së politikës dhe të qeverisjes. Për sa i përket buxhetit, evazionit fiskal, mafias, shkatërrimit të sistemit të arsimit publik, të të rinjve që nuk shohin të ardhme. Ekzaktësisht si homologët tanë në Afrikën e Jugut."

Autor: C. Chelsom-Pill / I.Verbica (dpa, AFP)

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora

  • Data 17.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10bce
  • Data 17.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10bce