1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

150 vjet heqje lirie për shkak të mashtrimeve në miliarda dollarë

Xhongleri i financave Bernard Madoff mori dënim e mundshëm maksimal. Manipulimet financiare të Madoffit mendohet se janë mashtrimi më i madh në historinë e SHBA-së.

Bernard Madoff

Bernard Madoff

150 vjet burg të shqiptuara të hënën (29.06) kundër Bernard Madoff është dënimi maksimal i mundshëm që u dha për menaxhimin e një fondi prej 65 miliardë dollarësh bazuar në financime të dyshimta dhe mashtrime prej të cilave janë prekur mijëra investorë nga e gjithë bota.

Një veprim i paparë në këtë shekull

Gjykata e Nju-Jorkut iu përmbajt në këtë mënyrë pretencës së prokurorisë. Avokati i 71-vjeçarit Madoff kërkoi një dënim me 12 vjet për shkak të moshës. Gjyqtari Denny Chin tha se 71-vjeçari Madoff e meriton dënimin më të lartë të mundshëm "për shkak të mashtrimeve afatgjata që ka bërë duke dëmtuar shumë njerëz, një veprim ky i paparë në këtë shekull.

"Para gjykatës në Nju-Jork u sollën dëshmi nga të prekurit prej fondit të krijuar me mashtrime. Burt Ross, një viktimë nga Nju-Xhërsi, ka humbur 5 milionë dollarë. Ross, ish-kryetar bashkie në Fort Lee të Nju-Xhërsit, u dëgjua si dëshmitari i nëntë në seancën gjyqësore. Pas gjyqit ai deklaroi për mediat: "Pasi u lexua vendimi njerëzit në sallë duartrokitën papushim, por unë nuk e bëra këtë. Unë s'kisha gjë kundër atyre që duartotikën. Ky është një moment i rrallë dhe drejtësia u vu në vend. Kjo s'ka të bëjë aspak me hakmarrjen. Ky është një krim historik i pamasë dhe ai duhej t'i nënshtrohej drejtësisë. Kështu duhet dhe kjo s'ka të bëjë me hakmarrje."


Duke iu drejtuar drejtpërdrejt viktimave të manipulimeve të tij Madoffi tha: "Ju kërkoj falje dhe jam i brengosur." Por gjyqtari Chin nuk e vlerësoi pranimin e fajit, duke argumentuar, se Madoffi ka "i kishte gënjyer në mënyrë të përsëritur të gjitha viktimat e tij." Sipas gjyqtarit dënimi kaq i ashpër është i domosdoshëm jo vetëm për shpagimin e së keqes ndaj viktimave, por ka edhe vlerë simbolike, në mënyrë që në të ardhmen të parandalohen krime të ngjashme", që sipas gjyqtarit Chin kanë shkaktuar "tragjedi njerëzore".

Madoffi konsiderohej si gjeni i Wall Street-it

Madoff u shndërrua në fytyrën e krizës financiare që përfshiu Wall Street-in në fund të vitit të kaluar. Ai ishte i pari që u arrestua për drejtimin e një skeme piramide. "Ponzi" ishte një skemë financiare piramidale, në të cilën për vite me radhë është abuzuar me thithjen e vazhdueshme të investimeve. I vlerësuar prej klientëve të tij si shpëtimtar, Madoffi konsiderohej si gjeni i Wall Street-it. Nga një njeri i thjeshtë nga lagja Queens e Nju-Jorkut ai e nisi lojën në bursë me një kapital fillestar prej 5.000 dollarësh. Por premtimet për pasurim të shpejtë që u jepte klientëve ishin thjeshtë vjedhje. Sipas hetuesve Madoffi nuk ka kryer asnjë veprim me aksione. Me paratë e viktimave pasuese ai paguante interesin e depozituesve të mëparshëm. Vetëm kriza financiare bëri që kështjella prej kartoni të rrëzohet. Nga rezidenca luksoze në Manhaten Madoff-it i duhet tani t'i kalojë vitet e mbetura të jetës në qeli. Ai ishte i vetmi njeri në botë që e dinte edhe vetë se kjo ditë do të vinte: Me kalimin e viteve unë e realizova, që kjo ditë do të vinte në mënyrë të pashmangshme", pranoi Madoffi.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 30.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ie2Q
  • Data 30.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ie2Q