1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

15 vjet bashkëpunim Gjermani - Kosovë

Gjermania që nga përfundimi i luftës e ka ndihmuar Kosovën me mbi 420 milionë euro. Bashkëpunimi gjermano-kosovar dhe ndihma gjermane për Kosovën do të vazhdojë.

15 vjet bashkëpunim gjermano-kosovar, mbi 420 milionë euro investime në Kosovë nga Gjermania dhe shumë projekte të tjera në vazhdim. Ky ishte konstatimi i ambasadores së Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, në një konferencë për media në kremtimin e 15 vjetorit të këtij bashkëpunimi. Në këtë konferencë ambsadorja ishte e shoqëruar edhe nga dy përfaqësueset e dy organizatave gjermane që kanë ndihmuar më së shumti në Kosovë, Esther Gravenkotter, (KfW) dhe Veronika Hofinger (GIZ). Ndër organizatat më të njohura gjermane që veprojnë në Kosovë, janë GIZ-i (Shoqёria pёr Bashkëpunim Ndёrkombёtar), KfW-ja (Institucioni Kreditor pёr Rindёrtim), APPK-ja (Agjencia pёr Promovimin e Punësimit nё Kosovё), DAAD-ja (Shёrbimi Gjerman pёr Shkёmbim Akademik). Të gjitha këto organizata gjermane nga data 19 shtator në sheshin kryesor të kryeqytetit shpalosin projektet e tyre sikundër që do të jenë të hapura për pyetjet e qytetarëve.

Pristina Feier Kooperation Deutschland Kosovo 2014

Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë Angelika Viets dhe Përfaqësuesja e Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, Esther Gravenkotter

Shoqëria civile në Kosovë vazhdimisht kritikon institucionet e vendit, të cilat nuk kanë arritur të krijojnë kushte të favorshme për investime të huaja, sidomos ato gjermane. Përfaqësuesja e Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW, Esther Gravenkotter, pyetjes së DW për këtë çështje iu përgjigj, se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen maksimalisht që të krijojnë një ambient më të mirë për investime të huaja. "Ka edhe pengesa sa i përket ndërmarrjeve dhe natyrisht në këtë mes përfshihen edhe institucionet e Kosovës. Institucionet duhet të krijojnë kushte për investime të huaja, siç janë kushtet ligjore të cilat mungojnë, qasja më e mirë në këshillim adekuat dhe financim qoftë përmes granteve qoftë përmes kredive të favorshme", tha Esther Gravenkotter nga KfW.

Në Kosovë tash e disa vjet funksionon Oda Ekonomike Gjermane me pjesëmarrje të rreth 40 kompanive. Ambasadorja Angelika Viets, nga ana e saj tha se Kosova ka potencial për zhvillim. "Unë besoj se potenciali ekonomik që ekziston në Kosovë akoma nuk ka arritur të shfrytëzohet sa duhet. Por kohët e fundit ka pasur iniciativa të ndryshme që fokusi të vendoset sërish në rajonin e Ballkanit dhe këtu dua ta përmend konferencën e fundit që u mbajt në Berlin për Ballkanin Perëndimor dhe që do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme", tha ambasadorja Viets.

Gjermania pos ndihmës ekonomike në Kosovë ka të angazhuar në kuadër të misionit KFOR edhe 700 ushtarë. Misioni në Kosovë është i dyti më i madhi i ushtrisë gjermane jashtë vendit, pas Afganistanit.