1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

14 vjet më vonë - Serbia në pikën zero

Kanë kaluar 14 vjet nga 5 tetori 2000, ndryshimet demokratike në Serbi dhe largimi i Millosheviqit nga pushteti. Por sot Serbia sërish është në duart e bashkëpunëtorëve të dikurshëm të tij. Ku janë liderët e ndryshimeve?

Demonstrata kundër Millosheviçit, Beograd 2000

Demonstratat e 5 tetorit ishin pasojë e mosnjohjes së rezultateve për president të Jugosllavisë së cunguar nga ish-diktatori Sllobodan Millosheviq dhe regjimi i tij, të mbajtura në shtator të vitit 2000. Lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i humbi zgjedhjet nga kandidati i Opozitës Demokratike (DOS) dhe lideri i Partisë Demokratike të Serbisë, Vojisllav Koshtunica.

Në shenjë revolte me regjimin e Millosheviqit kolona të gjata me autobuzë, makina dhe kamionë ishin nisur nga brendësia e Serbisë që nga orët e para të mëngjesit (5.10. 2000) drejt Beogradit. Kordonët dhe bllokadat e policisë nëpër rrugë kaloheshin duke i mënjanuar me buldozerë. Demonstruesit mblidheshin para Kuvendit të atëhershëm federal.

Përdorimi i dhunës

Policia shumë shpejt hoqi dorë nga rezistenca

Policia shumë shpejt hoqi dorë nga rezistenca

Në orët e para të pasditës policia nën kontrollin e Millosheviqit përdori edhe masat e para të dhunës, për të evituar futjen e demonstruesve në godinën e Parlamentit dhe të televizionit. Por pa sukses. Godina e Kuvendit të Jugosllavisë ra shpejt në duart e demonstruesve, të cilët disa pjesëve ua vunë edhe flakën. Njëjtë ndodhi edhe me godinën e Radio Televizionit të Serbisë, i cili deri atëherë ishte nën kontrollin e plotë të regjimit. Policia duke e parë pamundësinë e veprimit, e shumë prej tyre edhe për shkak të bindjes se ka ardhur koha për ndryshime, shumë shpejt hoqën dorë nga rezistenca. Disa njësi iu bashkuan edhe protestuesve.

Në orët e mbrëmjes para qindra mijëra qytetarëve të mbledhur në Beograd foli presidenti i zgjedhur atëherë i Jugosllavisë së mbetur, Vojisllav Koshtunica dhe liderët e tjerë të lëvizjes demokratike. Një ditë më vonë edhe Millosheviqi e pranoi humbjen në zgjedhje dhe i uroi fitoren Koshtunicës. Bindjes së Millosheviqit për të pranuar humbjen i kanë paraprirë edhe disa takime me krerët e lëvizjes së atëhershme opozitare demokratike. Flitej se Millosheviqit i ishte premtuar se nuk do të arrestohet, por këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

Pasojat në njerëz

Gjatë demonstratave ka pasur dy të vdekur dhe rreth 65 persona të plagosur dhe të lënduar. Megjithë këtë bilanc për opozitën demokratike dhe shpresat e Serbisë për ndryshime ishte kjo një prej ngjarjeve më të rëndësishme politike. 18 partitë e futura në një koalicion (DOS), të udhëhequra nga lideri i Partisë Demokratike Zoran Gjingjiq, ofronin shpresë se Serbia do të bëj ndryshime rrënjësore jo vetëm brenda vendit,por edhe në raport me vendet fqinje dhe bashkësinë ndërkombëtare. Ky koalicion fitoi edhe zgjedhjet parlamentare, ndërsa Gjingjiq u zgjodh në postin e kryeministrit të Serbisë.

Zusammenstöße vor Parlamentsgebäude Flash-Galerie

Në prill të vitit 2001, Millosheviqi u arrestua për shkak të shpërdorimeve financiare. Ndërsa dy muaj më vonë, në qershor 2001, u ekstraduan në Tribunalin e Hagës, ku akuzohej për gjenocid Bosnjë-Hercegovinë dhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzisë në Kroaci dhe në Kosovë. Millosheviqi është gjetur i vdekur në qelinë e tij në Hagë me 11 mars 2006, vetëm pak kohë para shqiptimit të vendimit për krime dhe gjenocid. Shpjegimi zyrtar ishte, se ai ka vdekur nga pasojat e sulmit në zemër.

Dështimi i ndryshimeve

Zoran Gjingjiq konsiderohej si shpresa kryesore e ndryshimeve në Serbi. Por ai shumë shpejt u vra, me 12 mars 2003, në hyrjen e pasme të godinës së qeverisë serbe. Për vrasjen e tij është akuzuar klani kriminal i Zemunit. Ekzekutorët janë dënuar me heqje të gjata lirie, por sfondi politik i vrasjes së Gjingjiqit nuk është sqaruar deri më sot. Në vend të Gjingjiqit në krye të Partisë Demokratike erdhi Boris Tadiq, i cili në vitin 2008 u fut në koalicion me Partinë Socialiste të ish - diktatorit të vdekur në Hagë, Sllobodan Millosheviq. Kjo parti në kohën e rikthimit në pushtet udhëhiqej nga lideri i tanishëm i saj Ivica Daçiq.

Në zgjedhjet e majit të vitit 2012 lideri i socialistëve Daçiq ia ktheu shpinën Tadiqit

Në zgjedhjet e majit të vitit 2012 lideri i socialistëve Daçiq ia ktheu shpinën Tadiqit

Shumë shpejt Tadiq dhe Daçiq nënshkruan edhe Marrëveshjen për pajtim. Në zgjedhjet e majit të vitit 2012 lideri i socialistëve Daçiq ia ktheu shpinën Tadiqit dhe u fut në koalicion me Partinë Përparimtare Serbe të Tomisllav Nikoliqit dhe Aleksandar Vuçiqit (të dy ata kanë qenë ndër udhëheqësit e Partisë Radikale Serbe, të Vojisllav Sheshelit dhe pjesë e qeverisjes në kohën e luftës së Kosovës në vititn 1999). Daçiq edhe pse ishte partia e tretë në zgjedhje, duke i falënderuar pazareve me SNS u zgjodh kryeministër i Serbisë. Ndërsa aktualisht është ministër i Jashtëm, pasi që Vuçiq fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme në maj të këtij viti me shumicë absolute dhe u zgjodh për kryeministër.

Çfarë ka mbetur nga opozita demokratike

Shumë parti, të cilat në kohën e DOS-it i kanë kryer ndryshimet në Serbi, nuk ekzistojnë më fare në skenën politike. Partia Demokratike e Gjingjiqit, tani është në opozitë. Pas thyerjeve të rënda, pas humbjes së Tadiqit në zgjedhjet e fundit presidenciale nga lideri i SNS, Tomisllav Nikoliq, kjo parti aktualisht vlerësohet si shumë e dobët. Edhe partitë tjera kryesore, që i kanë udhëhequr ndryshimet demokratike në Serbi, me 5 tetor janë sërish në opozitë. Në pushtet kanë mbetur vetëm dy, të cilat janë futur në koalicion me liderët e partive, të cilat në vitet 90-të i kanë udhëhequr dhe i kanë humbur katër luftëra.