1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

13 vjet nga fillimi i bombardimit

24 Mars 2012

Pala kosovare dhe ajo serbe rikujtojnë me këtë ra viktimat e tyre. Qeveria në Prishtinë pohon se janë shënuar shumë rezultate pozitive, ndërsa ajo në Beograd kritikon gjendjen.

https://p.dw.com/p/14Qy1
Ushtarë të Kforit.
KFOR-i dhe Eulexi ende të domosdoshëmFotografi: AP

Në solemnitetin e mbajtur në Prishtinë, në praninë e presidentes Atifete Jahjaga dhe shumë ambasadorëve të huaj, me rastin e 13 vjetorit të fillimit të bombardimeve, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se "bombardimet e NATO-s dhe lufta e UÇK-së i dhanë fund vuajtjeve më të rënda në historinë e pasluftës së Dytë Botërore të një populli dy milionësh. I dhanë fund dskriminimit nacional, dhunës policore, ndjekjeve dhe vrasjeve në Kosovë".
Kulmi i dhunës që në veçanti ishte shtuar gjatë viteve '90-të u arrit në vitin 1998 dhe 1999. "Nga përmasat e krimeve në Kosovë dhe shpërnguljes së gati një milion banorëve u tronditën edhe Washingtoni e Brukseli, Parisi, Londra, Boni dhe Roma. Bota demokratike reagoi në mbrojtje të Kosovës", theksoi kryeministri, i cili falënderoi edhe një herë SHBA, vendet e Evropës Perëndimore dhe vendosmërinë e liderëve të këtyre vendeve për angazhim që rezultoi me dorëzimin e makinerisë luftarake të Millosheviqit.
Fushata 78 ditore e NATO-s arriti rezultate të shumta politike, diplomatike dhe ushtarake. Ajo rezultoi me ndërprerjen e katastrofës humanitare dhe kapitulimin e forcave të Millosheviqit, nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, miratimin e Rezolutës 1244 të KS të OKB, tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe futjen atje të trupave të KFOR-it.

Avioni F-16
Avioni F-16Fotografi: picture-alliance/dpa
Hashim Thaçi
Hashim ThaçiFotografi: picture alliance/dpa

Kryeminsitri Thaçi tha se sot, 13 vjet më vonë, Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga 89 shtete. Ajo është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe së shpejti pritet të bëhet anëtare e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Sipas tij, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet që këtë vit të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë.

Refugjatët
Qindra mijëra refugjatëFotografi: Picture-Alliance/dpa

Vlerësimet e Beogradit

Mendime krejt të ndryshme dëgjohen nga Beogradi. Autoritetet dhe mediat serbe në radhë të parë theksojnë viktimat serbe dhe "gjendjen e rëndë të serbëve" në Kosovë. Thuhet se gjatë fushatës së NATO-s e cila filloi me urdhrin e Javier Solanës, me 24 mars në orën 20:00, janë vrarë rreth 1.200 deri në 2.500 persona (fjala është për viktimat serbe). Bombardimet kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën, objektet ekonomike dhe shkollat, institucionet shëndetësore dhe mediat, objektet e kulturës...

Kryetari i bashkisë së Beogradit Dragan Gjillas me rastin e 13 vjetorit të fillimit të bombardimeve ka vënë kurora lulesh mbi përmendoren e fëmijëve të vrarë në Beograd. Manifestime të ndryshme janë organizuar edhe në qytete të tjera. Ndërsa ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiq ka vënë kurora lulesh tek përmendorja e policëve të vrarë në Batajnicë (në afërsi të vendit ku janë gjetur trupat e pajetë të qindra shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, të transportuar dhe të futur në varrezën masive në Batajnicë). Patriku serb Irinej do të mbajë sot edhe një meshë për viktimat e bombardimeve të NATO-s.

Dëmet ekonomike në Serbi

Treni i bombarduar
Treni i bombarduar gabimisht në afërsi të e LeskovcitFotografi: picture-alliance/dpa

Përfaqësuesit e autoriteteve, organizatave dhe partive të ndryshme kanë bërë pas bombardimeve vlerësime të ndryshme lidhur me dëmet materiale. Autoritetet e atëhershme jugosllave, pas luftës pohonin se dëmet materiale ishin mbi 100 miliardë dollarë. Ata kanë kërkuar edhe dëmshpërblim nga vendet e NATO-s. Ndërsa një grup ekonominstësh nga partia G17 ka vlerësuar se dëmet materiale të Serbisë kanë qenë 29,6 miliardë dollarë.

Sot 13 vjet më vonë në Beograd ende pohohet se Kosova është pjesë e Serbisë. Beogradi këto ditë po bën përgatitjet që me 6 maj edhe në Kosovë të zhvillohen zgjedhjet lokale dhe parlamentare serbe, që është në kundërshtim me vullnetin e qeverisë në Prishtinë dhe autoriteteve ndërkombëtare.

Si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd edhe më tej theksohet si një prej problemeve më të rënda fati i të pagjeturve shqiptarë dhe serbë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani