1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

100 ditët e para të koalicionit kristianliberal

Fillimi i qeverisë së re federale të përbërë nga unioni kristiandemokrat-kristiansocial CDU/CSU dhe partia liberale FDP nuk pati sukses, mendon korrespondentja e DW në kryeqytet Bettina Marx.

default

Që prej 100 ditësh është në detyrë koalicioni i unionit kristiandemokrat-kristiansocial CDU/CSU dhe i partisë liberale FDP, koalicioni kristian-liberal. Për këtë emërtim ka këmbëngulur kryetari i unionit kristiansocial, Horst Seehofer. Ai duhet të sugjerojë orientimin drejt vlerave të reja, mundësi të cilën e humbi në muajt e parë të qeverisjes me politikën e tij josociale të uljes së tatimeve. Guido Westerwelle kërkoi madje një kthesë ideore-politike në takimin e partisë liberale, të quajtuar takimi i tre mbretërve. Po ku do të çojë kjo kthesë? Në një kuptim të ri të shtetit, siç u shpreh Westerwelle? Në një përceptim të ri për shtetin, i cili taksat i konsideron kërkesë të tepruar dhe gatishmërinë për t'i paguar „dekadencë“?

Retorika neoliberale e Westerwelles nuk mund ta fshehë faktin se qeveria e re nuk ka se çfarë të tregojë deri tani. Të 100 ditët e saj të para i ka harxhuar për grindje brenda koalicionit dhe politikë të paskrupullt klienteliste: Ulje tatimesh për hotelierët dhe trashëgimtarët, lehtësime, prej të cilave përfitojnë vetëm personat me të ardhura të larta, largim nga konsensi për energjinë atomike, i cili pati sjellë paqen sociale, ndryshim kursi në politikën shëndetësore deri në një sistem shendetësor me dy klasa. Veçanërisht partia liberale FDP del me një bilanc të keq të 100 ditëve të para. Nuk është çudi, që ajo në anketime ka rënë në 10 përqind. Por edhe unioni konservator, partneri më i madh i koalicionit, duhet të dëgjojë kritikat, se nuk i ka shfrytëzuar në mënyrë efektive muajt e parë të qeverisjes, për të treguar një rrugë për daljen nga borxhet dhe kriza ekonomike. Në vend të kësaj CDU/CSU e ka lejuar që liberalët ta tërheqin nga hunda. Kancelarja Angela Merkel i lë liberalët të veprojnë, sikur ajo të mos kishte detyrim para gjithë popullatës, siç ka premtuar, kur bëri betimin. Dhe kjo në një kohë kur anketimet për hulumtimet e opinionit tregojnë se shumica e gjermanëve dëshirojnë një politikë solidariteti dhe të barazisë sociale. Por qeveria gjermane nuk do t'ia dijë. Ajo vazhdon politikën e uljes së taksave, të cilën madje e konsiderojnë të gabuar edhe ekspertë konservatorë të ekonomisë.

Muajt e parë të periudhës legjislative politika e jashtme u dominua nga afera e Kundusit. Ajo çoi një muaj pas krijimit të qeverisë në dorëheqjen e ministrit të parë dhe në ristrukturimin e kabinetit.

Fillimi i „koalicionit të dëshiruar“ nuk ka qenë vetëm i vështirë, por i dështuar. Më të këqia se kaq nuk do të ishin të 100 ditët e para të duetit të ri. Prezantimi i pakoordinuar i qeverisë pak para konferencës së Londrës për Afganistanin bëri fare të qartë se kancelarja dhe tre nga ministrat e saj mbajtën thuajse njëkohësisht katër konferenca shtypi për ta informuar opinionin lidhur me strategjinë e përbashkët të qeverisë.

Siç duket nuk ishte e mundur të gjendej as një afat e përbashkët për një konferencë shtypi lidhur me një temë kaq të rëndësishme.

Jo, 100 ditët e para të kësaj qeverie nuk kanë qenë bindëse. Dhe ato nuk të ngjallin aq besim për vitet, që vijnë pas.

Autor: Bettina Marx

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora