1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

100 ditë të vështira të koalicionit të madh

Konservatorët dhe socialdemokratët kanë shumicën dërrmuese. Megjithatë ata e kanë të vështirë të qeverisin së bashku. Opozitës i mungojnë temat dhe profili. Kjo vetëm mund të dëmtojë kulturën politike.

"E do atë. Do ta kesh." Ky është sllogani i një kompanie të telefonisë mobile gjermane, me të cilin ajo angazhohet që të bëjë pwr vete klientët e rinj. Të ashtuquajturit koalicioni i madh midis CDU / CSU dhe SPD-së ky sllogan mund t'i shkonte mirë, nëse do të modifikohej pak: "Ju e deshët atë. E morët.” Me "ju" në këtë rast mendohet elektorati, i cili në shtator të vitit 2013 votoi për koalicionin e madh. Dy ndër tre gjermanë votuan në zgjedhjet e përgjithshme ose për Unionin Kristiademokrat të Angela Merkelit, partinë simotrën e saj bavareze, Unionin Kristiansocial ose për Partinë Socialdemokrate. Këtyre tre partive pastaj iu deshën tre muaj kohë derisa ranë dakord për marrëveshjen e koalicionit.

Protagonistët justifikuan negociatat e tyre të tejzgjatura me fjalën e urtë: më mirë të kesh kujdes se të nxitohesh. Rezervat e tyre ishin të kuptueshme duke pasur parasysh krijimin me nxitim të koalicionit të kaluar qeveritar mes konservatorëve dhe liberalëve. Ky koalicion ka befasuar nga viti 2009 deri në vitin 2013 opinionin me mosmarrëveshje të vazhdueshme, të cilat binin në kurriz të qeverisjes efikase. Nga një spektakël i tillë kancelarja Merkel deshi të kursejë opinionin dhe veten në mandatin e saj të tretë qeveritar. Por ky objektiv është arritur vetëm pjesërisht në 100 ditët e para te qeverisjes së përbashkët me SPD-në. Për këtë ka shpjegime të ndryshme.

SPD ishte vetëm zgjedhja e dytë për Merkelin

Në shikim të parë mund të thuhet se shkaku kryesor mund të jetë e ashtuquajtura çështja Edathy. Në vazhdën e akuzave për konsum pornografie me fëmijë kundër ish deputetit të SPD-së në Bundestag, Sebastian Edathy, u desh të japë dorëheqjen ministri i sapozgjedhur i Bujqësisë, Hans-Peter Friedrich (CSU). Ai dha dorëheqjen për shkak të veprimeve të tij gjatë kohës sa ka qenë ministër i Brendshëm. Kur ai ishte ministër i Brendshëm e kishte paralajmëruar SPD-në se emri i ish-deputetit Sebastian Edathy qe shfaqur në hetime ndërkombëtare, që lidheshin me konsum pornografie me fëmijë. Një nga dy partitë e koalicionit u desh të paguajë çmimin politik për veprën e dyshuar të socialdemokratëve. Kjo kuptohet që shkaktoi zemërim në kampin e konservatorëve. Harmonia e shfaqur fillimisht u zhduk shumë shpejt.

Kryetarët e partive Merkel, Gabriel, Seehofer: Atmosferë e tendosur

Kryetarët e partive Merkel, Gabriel, Seehofer: Atmosferë e tendosur

Për një besim në rritje në mes të partnerëve të koalicionit as që mund të bëhet fjalë. CDU /CSU dhe SPD për një kohë të gjatë kanë hedhur baltë mbi njëra-tjetrën dhe jo vetëm gjatë fushatës elektorale. Merkel me dëshirë do të qeveriste ende me liberalët, sikur ata të arrinin të futeshin në parlament.

Pra Partia Socialdemokrate SPD ishte zgjedhja e dytë, por megjithatë në sytë e opinionit publik luan shpesh violinën e parë. Edhe kjo i zemëron konservatorët dhe elektoratin e tyre. Kjo për shkak se pavarësisht faktit që socialdemokratët nuk kanë arritur të fitojnë as 25 për qind të votave, në titujt e lajmeve dominojnë temat socialdemokrate: paga minimale, kuota e grave, koha e daljes në pension, lartësia e qerave. Dhe çfarë kanë për të ofruar partitë e Unionit në perceptimin e publikut ? Angela Merkel-in!

Të gjelbërit proqeveritarë, e Majta e izoluar

Rreth tre muaj pas fillimit të punës së koalicionit të madh qeveritar të drejtuar nga ajo, kancelarja ndoshta është e zemëruar si asnjëherë më parë për faktin pse nuk është arritur krijimi i një koalicioni me të gjelbërit. Partia e Gjelbër prezantohet aq proqeveritare si brenda ashtu dhe jashtë Bundestagut sikur të ishte vetë pjesë e qeverisë. Kjo vlen si për qëndrimin e tyre ndaj krizës së Krimesë ashtu dhe për pagën minimale.

Në përgjithësi, është e vështirë që zëri i opozitës të dëgjohet në seancat e Bundestagut. Dhe kjo ka të bëjë vetëm pjesërisht me faktin që të Gjelbrit dhe e Majta së bashku morën vetëm 17 për qind të votave në zgjedhjet e përgjithshme. Më i rëndësishëm në këtë mes është fakti që të Gjelbrit me programin e tyre ndodhen diku në mes të konservatorëve dhe Socialdemokratëve dhe e Majta jashtë gjithë të tjerëve.

Asnjë gjurmë nga ndryshimi i disponimit politik

Në këtë situatë të përzier është pak a shumë e vështirë që vendi të qeveriset me sukses. Por për sa kohë që Gjermania në sytë e pjesës më të madhe të shoqërisë do të duket se qëndron shumë mirë ekonomikisht, për aq kohë koalicioni i madh qeveritar nuk duhet të shqetësohet për veten. Dhe aktualisht në sondazhet e ndryshme nuk vërehet të ketë ndonjë ndryshim të disponimit të elektoratit, që do të shkonte në dëm të CDU / CSU dhe SPD-së.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17519488,00.html