1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

10 vjet nga vrasja e Zoran Xhinxhiçit

Zoran Xhinxhiçi ishte arkikekti i revolucionit paqësor demokratik në Serbi, që përmbysi regjimin e Slobodan Milosheviçit. Ai u përpoq ta modernizonte Serbinë. Më 12 mars 2003 atë e vrau një snajperist.

Pak pas vrasjes së Zoran Xhinxhiçit, president i Serbisë u bë shoku i partisë së tij, Boris Tadiç. Këtë post ai e mbajti deri në vitin 2012. Ai nuk ka shumë dëshirë ta krahasojnë me Xhinxhiçin, thotë Tadiçi. Koha e tij në post paraqet për Tadiçin vetëm një afrim në vizionet e tij për një Serbi moderne dhe evropiane. Është një e vërtetë e njohur, që në realpolitikë vizionet shpesh bien nën rrotat e së mundshmes:

"Ndoshta as Zoran Xhinxhiçi nuk do të kishte qenë në gjendje ta plotësonte vizionin ideal të përfytyruar. Plotësimi i këtij vizioni ishte i vështirë, sepse ai ishte tepër kompleks dhe presupozonte që Serbia të bëhej brenda një kohe të shkurtër pjesë e BE."

Ky tingëllon si justifikimi i lodhur i një burri, i cili kufijtë e asaj që mund të arrihet politikisht i njohu vetëm pasi e humbi pushtetin: ai vetë humbi përballë Tomislav Nikoliçit në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar. Në anketimet më të fundit, Partia e tij Demokratike merr më pak se njëzet përqind të votave. Kritikët e quanin Boris Tadiçin një "maneken të politikës", i cili e kishte mendjen vetëm tek efekti që do të bënte jashtë. Ndërkohë duket se ai i ka humbur cilësitë dalluese: atij i mbeti vetëm posti i kryetarit të nderit të Partisë Demokratike.

Zoran Zhivkoviçi e sheh në mënyrë shumë kritike situatën e sotme në Serbi. Si zëvendëskryeministër nën Xhinxhiçin ai mori përsipër menjëherë pas vrasjes së tij drejtimin e qeverisë dhe e drejtoi demokracinë e re serbe si kryeministër i përkohshëm në gjendjen e jashtëzakonshme që zgjati dyzet ditë. Ai drejtoi aksionin policor "Shpata", në të cilin u arrestuan vrasësit e Xhinxhiçit, të cilin disa e quanin edhe "Kennedy të Ballkanit". Këta sot ndodhen pas hekurave, por ende është e paqartë se kush i ngarkoi ata për aktin që kryen në radhët e politikës.

"Asgjë nuk ka ndryshuar pozitivisht në Serbi, përkundrazi. Vendin e mundojnë të njëjtat probleme, që kanë lindur në shtatë ose tetë vitet e fundit. Ky është para së gjithash korrupsioni i përmasave biblike, i cili e ka mbërthyer qenien e Serbisë si një gjendër kanceroze", ankohet Zhivkoviçi.

Ai sapo ka themeluar "Partinë e Re" dhe e sheh veten si një njeri që synon t'i japë fund politikës së vjetër - edhe asaj nën Tadiçin. Përmes një modernizimi të shpejtë ai synon që ta vendosë Serbinë në mënyrë shumë të vendosur në kursin e BE.

Dhjetë vjet pas vrasjes së Xhinxhiçit në Serbi disa gjëra pra janë ndryshe - por shumë gjëra në njëfarë kuptimi kanë mbetur të pandryshuara. Aktorët e atëhershëm ndërkohë i kanë ndryshuar disa herë rolet. Për shembull ai burrë, të cilin Xhinxhiçi e ndihmoi në vitin 2000 që të fitonte zgjedhjet kundër Milosheviçit: Vojislav Koshtunica bën pjesë sot në kundërshtarët më radikalë nacionalistë të një anëtarësimi të Serbisë në BE.

Megjithatë, në vend është krijuar një shumicë relativisht stabile mbështetësish të BE. Presidenti i ri, Tomislav Nikoliç, dikur një armik i betuar i Xhinxhiçit, bën në pjesën më të madhe atë që pret Brukseli prej tij dhe korr për këtë lëvdata nga Brukseli. Duket sikur mbështetësit më besnikë të Milosheviçit dhe të Xhinxhiçit, kundërshtarë të betuar dikur, tani duan të vënë në jetë vizionin e tij të një Serbie demokratike. A janë ata në mënyrë paradoksale trashëgimtarët e vërtetë të evropianit të bindur Xhinxhiç?

Në një kohë kur Zoran Zhivkoviçi mbetet skeptik përballë qeverisë së re, Boris Tadiçi e sheh sjelljen e sotme të ish-kundërshtarëve të Xhinxhiçit si një socializim të suksesshëm demokratik të ish-antidemokratëve. Kënaqësia e tij megjithatë nuk është e paturbulluar:

"Ne u ndodhëm në një situatë absurde: të gjithë armiqtë e demokracisë, të evropianizimit, modernizimit dhe pajtimit të viteve '90 punojnë sot  si djem të mirë për vënien në jetë të këtyre projekteve. Unë mendoj se kjo është fitorja madhështore e një ideje."

Vizioni i një Serbie demokratike dhe evropiane, për të cilën Zoran Xhinxhiçi në kohën e tij nuk qe në gjendje që të siguronte shumica stabile në parlament, duket se ka mbërritur edhe pa të në realitetin serb. Vërtet që nuk kemi të bëjmë me një vijë të drejtë, por gjithsesi me një lëvizje të vazhdueshme përpara: ngjashëm ndoshta do ta formulonte këtë edhe filozofi i shkolluar në Gjermani, Zoran Xhinxhiç.

Autor: Dragoslav Dedovic/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti