1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

10 vjet Marrëveshja e Ohrit

Konflikti i armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve u arrit të mënjanohej në gusht 2001. Gjendja politike sot është e qëndrueshme dhe marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar. Megjithatë ende ka pyetje të hapura.

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit

Në pranverë 2001 Maqedonia ishte në prag të një lufte civile. Guerilas shqiptarë u ngritën në luftë kundër shtetit. Ata kërkonin më shumë të drejta për pakicën e madhe shqiptare, e cila përbën rreth çerekun e dy milionë shtetasve të Maqedonisë. Forcat maqedonase të sigurisë u përgjigjën me dhunë. Një zgjidhje u gjet në negociatat disaditore të zhvilluara në qytetin maqedonas, Ohër, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Kriza zgjati rreth një gjysmë viti dhe sipas përllogaritjeve pati 100 të vdekur dhe dëme të mëdha materiale. Veç kësaj u rrit mosbesimi i ndërsjellë ndërmjet popullsisë shqiptare dhe asaj maqedonase.

Guerilas shqiptarë

Guerilas shqiptarë

Marrëveshja, e cila u përmbyll më 13 gusht 2001, krijon sot bazën e bashkëjetesës shumë-kulturore në Maqedoni. Zbatimi i ndryshimeve ligjore të caktuara në të pasqyrohet sot në karakterin shumë-etnik të vendit dhe forcimin e parimeve kundër-diskriminuese. Më së shumti për këtë kanë dhënë ndihmesë disa ligje, të cilat garantojnë përfaqësimin proporcional të pakicave në institucionet shtetërore si dhe decentralizimi e forcimi i vetë-administrimit komunal. Sipas ligjit çështjet që kanë të bëjnë me pakicat duhet patjetër të miratohen edhe prej tyre. Marrëveshja Kornizë e Ohrit veç kësaj garanton pacenueshmërinë territoriale të shtetit.

Një zhvillim thuajse i suksesshëm

Francois Leotard

Francois Leotard

Parë nga sot politikanët maqedonas dhe aktorët e atëhershëm nuk i pushojnë lëvdatat: «Pa marrë parasysh mendimin tonë personal, bindjen tonë, është dëshmuar që në këtë moment u mor një vendim për të ardhmen e vendit. Dhe ai sot ka efekt pozitiv dhe bashkues", thoshte për Marrëveshjen Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov para dy vjetësh. «Ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm i BE-së, për herë të parë pati një diplomaci të mirëfilltë evropiane", thotë nga distanca e sotme Francois Leotard, përfaqësues i BE-së në negociatat e Ohrit 2001. Homologu i tij amerikan, James Pardew, thotë në një intervistë me Deutsche Wellen: «Parimet e Dokumentit të Ohrit – demokracia, të drejtat e barabartë për shtetasit dhe njohja e identitetit kulturor e qytetarëve të ndryshëm të vendit – janë realizuar në pjesën më të madhe. Musa Xhaferi, aktualisht nënkryetar i qeverisë së Maqedonisë, përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, thekson edhe rëndësinë e marrëveshjes sepse është mirë që «kur të dyja palët ankohen ose janë të pakënaqura, atëherë kjo Marrëveshje e ka arritur qëllimin».

Çfarë ka ndryshuar?

Policia maqedonase ruan në bisedimet që zhvillohen me Francois Leotard dhe James Pardew

Policia maqedonase ruan në bisedimet që zhvillohen me Francois Leotard dhe James Pardew

Gjendja e përgjithshme e shqiptarëve në Maqedoni është përmirësuar. Deri në vitin 2001 ata përfaqësoheshin në institucionet shtetërore vetëm me dy përqind, tani me mbi 16 përqind. Sipas ekspertëve ana tjetër e medaljes është se shumë nga të punësuarit e rinj nuk kanë fare detyra ose të tjerë nuk kanë as vend ku të punojnë, sepse nuk janë të kualifikuar për punën që duhet të bëjnë. I ashtuquajturi «diskriminim pozitiv» ka sjellë vetëm përmirësime sasiore, por jo reale.

Shqipja është tani gjuhë zyrtare në komunat ku më shumë se 20 përqind e banorëve janë shqiptarë. Veç kësaj rregullat e Marrëveshjes së Ohrit vlejnë edhe për pakicat e tjera në Maqedoni, siç janë turqit, romët, serbët ose boshnjakët. Në parlament deputetët dhe ministrat lejohen të flasin në gjuhën amtare, vetëm në mbledhjet e qeverisë flitet vetëm maqedonisht.

Ndërkohë ka edhe dy universitete të financuara nga shteti, me disa degë dhe fakultete në gjuhën shqipe. Para vitit 2001 kishte vetëm një Akademi Pedagogjike në gjuhën shqipe, por edhe shkolla fillore dhe të mesme, gazeta, teatro dhe emisione radiotelevizive disaorëshe në shqip. Shqiptarët e Maqedonisë lejohen ta mbajnë të ngritur flamurin e Republikës së Shqipërisë, me të cilin ata identifikohen. Dhe deri më sot ka ndonjë zyrtar komune në administratën lokale që «harron» se pranë flamurit shqiptar duhet varur edhe ai i Maqedonisë.

Si funksionon bashkëjetesa sot?

James Pardew, djathtas dhe Francois Leotard

James Pardew, djathtas dhe Francois Leotard

Arritja më e madhe e Marrëveshjes së Ohrit është stabilizimi i gjendjes politike, çka reflektohet edhe në të përditshmen e njerëzve. Studimi më i fundit i OJQ-së «Qendra maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar» me seli në Shkup tregon se ngjarjet më të rëndësishme si për shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit janë pavarësimi i Maqedonisë, lojërat e kombëtares maqedonase dhe Marrëveshja e Ohrit. Për dy të tretat e njerëzve figurat më të rëndësishme janë ish-presidenti Boris Trajkovski, i cili në shkurt 2004 humbi jetën në një aksident me avion, dhe Nënë Tereza. Gati gjysma ishte shprehur për vlera të reja të përbashkëta.

Të rinjtë nga të dyja etnitë takohen sërish, njihen me njëri-tjetrin dhe i besojnë më shumë njëri-tjetrit. Një incident tragjik në Shkup dëshmon se brezi i ri po bëhet një: një shqiptar humbi jetën kur po përpiqej të ndihmonte shokun e tij maqedonas gjatë një rrahjeje në oborrin e shkollës. Ka shumë shembuj miqësish e respekti të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Mund të gjenden edhe po aq kundër-shembuj, varet se çfarë perspektive merr. Të gjitha janë pjesë e realitetit në Maqedoni dhjetë vjet mbas 13 gushtit 2001 dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Kapitulli nuk ka përfunduar ende

Segmenti kohor është tepër i shkurtër për të përfunduar mozaikun e ngjarjeve, e aktorët e atëhershëm janë sot në pushtet. A ishte një revolucion i drejtuar nga Kosova, gjë që e mendojnë akoma shumë maqedonas apo ishte një kryengritje e shqiptarëve të Maqedonisë? A Ishte një luftë për më shumë të drejta, siç theksojnë shqiptarët, apo për territorin, siç besojnë disa maqedonas? Kush e mban fajin për fatin tragjik dhe ende të pa sqaruar të 18 maqedonasve dhe shqiptarëve të humbur?

Ngjarjet dramatike të 2001shit ende janë në pritje të përpunimit, të konfrontimit me fajin për to. Amnistia për dorasit në katër rastet që Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë i pat kaluar drejtësisë maqedonase do të thotë faktikisht fundi i ndjekjes penale. Por këta njerëz nuk janë të çliruar nga përgjegjësia morale. Edhe kjo duhet të jetë një pjesë e përpunimit të së kaluarës. Vetëm kur të jetë e mundur të flitet hapur edhe për këtë, për të zbardhur të vërtetën, atëheër po që nuk do të ketë më temë, për të cilën nuk do të mund të flasin e të bien dakord maqedonasit dhe shqiptarët e Maqedonisë.

Autor: Zoran Jordanovski/ Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama