1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

10 dhjetor: pozicionet e BE, SHBA dhe Rusisë ndaj Kosovës

Drejtuesi i Trojkës së BE do t'i paraqesë sot KS të OKB-së raportin se si do të vejë puna më tej me Kosovën. Pozicionet e Prishtinës dhe të Beogradit për këtë janë të kundërta. BE, SHBA dhe Rusia nuk flasin njësoj.

Në foto: godina e OKB-së në Nju Jork me flamuj

Godina e OKB-së në Nju Jork me flamuj

Edhe pas kalimit të afatit të negociatave për trojkën ndërmjetësuese, për territorin e Kosovës vlen edhe më tej rezoluta 1244 e OKB-së, e cila thotë: Kosova është vërtet pjesë e Serbisë, sipas juridiksionit ndërkombëtar, por ajo ndodhet nën administrimin e OKB-së. Topi tani është sërish në KS, ku Rusia kundërshtoi me veto në verë një rezolutë të OKB-së për një pavarësi të mbikqyrur të Kosovës.

Kjo gjendje praktikisht nuk ka ndryshuar: Rusia vazhdon të qendrojë fort në anën e aleatëve serbë. SHBA nxitin për pavarësi dhe njohje të shpejtë të saj, nëse shqiptarët e Kosovës shpallin në mënyrë të njëanshme pavarësinë. BE është në pjesën dërmuese, por jo njëzëri, për një njohje të shtetit të Kosovës, pa një rezolutë të OKB-së.

Pozicionet të para veç e veç: të paktën 20 shtete anëtare të BE janë për një njohje të shpejtë të Kosovës si shtet, nëse pas 10 dhjetorit ajo shkëputet nga Serbia. Në këtë grup bëjnë pjesë shtetet e mëdha anëtare, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Polonia. Rreptësisht kundër njohjes janë Qiproja, Greqia dhe Sllovakia. Me tepër të lëkundur janë Spanja dhe Hungaria. Këta anëtarë argumentojnë se nuk duhet t'u hapet oreksi për pavarësi minoriteteve në këto vende.

BE kërkon të ruajë me çdo kusht unitetin dhe të gjejë një linjë të përbashkët për Kosovën, aq më tepër kur BE synon të mbajë një mision të madh rindërtues në Kosovë, pas një pavarësie të mundshme të saj. NATO-ja, anëtarë të së cilës janë shumica e shteteve të BE, kërkon t'i lërë në Kosovë 16 mijë ushtarët e saj dhe të mos lejojë të shpërthejnë trazira eventuale. BE do të zhvillojë pas takimit të nivelit të lartë të shefave të shteteve dhe të qeverive, me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun diskutime për hapat e mëtejshëm. Ka gjasa që me qeverinë e Kosovës të negociohet, që ajo të respektojë afatet e parashikuara në planin Ahtisaari, gjë që do të çonte në shpalljen e pavarësisë në mars 2008. Deri atëherë do të jetë arritur një qëndrim i njësuar i BE dhe ndoshta edhe një rezolutë e re në KS të OKB-së.

SHBA janë angazhuar që herët për pavarësinë e Kosovës. Qeveria amerikane udhëhiqet nga parimi se të gjithë popujt në Ballkan duhet të kenë shtetin e tyre të vogël, për të pasur një paqe të qendrueshme.

Për Rusinë, nën presidentin Vladimir Putin, solidariteti me "popullin vëlla" serb është nxitës i fuqishëm i politikë ballkanike. Kremlini kërkon të ushtrojë sërish ndikim më të fortë në Ballkan dhe të ngadalësojë ose madje të pengojë një integrim të këtyre shteteve në BE dhe para së gjithash në NATO. Afatin deri më 10 dhjetor Moska e ka quajtur gjithmonë "artificial". Rusia me siguri do të pengojë edhe që minoritetet në vend, për shembull në Kaukaz ta marrin rastin e Kosovës si shembull për përpjekjet e veta për pavarësi.

  • Data 10.12.2007
  • Autor Bernd Rigert (Riegert)/Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CZSX
  • Data 10.12.2007
  • Autor Bernd Rigert (Riegert)/Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CZSX