1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Është lirimi i Zimmerman-it racizëm?

Vendimi ka përçarë amerikanët. Një adoleshent me ngjyrë vritet, shumë vetë besojnë tek racizmi si motiv. Tani vrasësi lirohet, ndërkohë në SHBA rritet protesta.

Vendimi që ka ndarë amerikanët dhe nuk zë vend vetëm në emisionet e njohura televizive në SHBA, por edhe tek vizitorët në meshën e së dielës në kishën St. Augustine, kisha më e madhe e komunitetit afro-amerikan në Uashington. "Një burrë i bardhë ka vrarë një afro-amerikan; është shumë thjesht që nga kjo ngjarje të kalosh tek racizmi. Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mësojmë prej kësaj", i thotë i riu Raymon Umunna Deutsche Welle-s. Të tjerët nuk argumentojnë me kaq maturi. Një vizitore që nuk do të t'i përmendet emri shan gjykatësit e njëanshëm.

Ndërkohë që interneti është i mbushur me fyerje për të liruarin George Zimmerman dhe gjykatën. "Ai duhet varur", shkruan dikush. Ndërsa një tjetër poston në internet shënimin "se nuk ka barazi para ligjit". Shitësi i gazetave në kioskën përballë kishës psherëtin. E gjitha është "një ngjarje e trishtueshme" në fund të fundit, Trayvon Martin ishte i paarmatosur. Për shitësin e kioskës nuk bëhet thjesht fjalë për racizëm, por për një çështje statusi. Zimmerman është djali i një gjykatësi. "Ata bëjnë ç'të duan" dorëzohet ai dhe kthen kurrizin.

Protesta kundër lirimit të Zimmermanit

Protesta kundër lirimit të Zimmermanit

Vendimi për lirimin e George Zimmerman-it, i cili në vetëmbrojtje vrau një të ri afro-amerikan 17 vjeçar, Trayvon Martin në një qytet në Florida, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë edhe tek famulltari. Gjatë meshës ai përmend raste të panumërta të diskriminimit të drejtpërdrejtë e përjashtimit, por në fund i drejton kërkesën komunitetit të tij të ecë përpara duke dhënë shembullin e mirë.

Përgjegjësi e politikës

Michael Werz, nga "Qendra për Progresin Amerikan" në Uashington thekson përgjegjësinë e politikës. Ligji ekzistues në Florida "Mbroje truallin tënd" lejon në rast të një kërcënimi serioz përdorimin e armës, edhe po qe se ekziston mundësia e daljes prej një situate të tillë rreziku. Eksperti i thotë Deutsche Welle-s se kjo zonë gri e ligjit është terreni më i mirë për njerëz si George Zimmerman, që e shohin veten si "policë privatë". Ata bëjnë roje të armatosur në lagjen e tyre, "duke u përpjekur të përjashtojnë nga këto lagje njerëzit, për të cilët ata mendojnë se nuk e kanë vendin aty."

Obama kërkon ashpërsimin e ligjit të armëve

Presidenti amerikan Barack Obama u bëri thirrje amerikanëve të respektojnë vendimin. "Po qe se unë do të kisha një djalë, atëherë ai do t'i ngjante Trayvon-it", u përpoq ai të ngushëllonte familjen e viktimës. Obama e përdori rastin e Zimmermanit për iniciativën e tij të ashpërsimit të ligjit të armëve në SHBA. Ndërsa aktivisti për të drejtat e njeriut, Jesse Jackson kërkoi ruajtjen e qetësisë. Megjithatë ai përmendi se në jurinë e gjykatës nuk kishte asnjë pjesëtar nga komuniteti me ngjyrë. Prindërit e të riut të vrarë kishin akuzuar më parë gjykatën, se nuk kishte hetuar të gjitha rrethanat, vetëm për faktin se djali i tyre ishte afro-amerikan. Michael Werz ka mirëkuptim për akuzat e prindërve: "Ekziston një lidhje mes prejardhjes etnike, ngjyrës së lëkurës dhe diskriminimit social, që i çon njerëzit shpesh në një situatë të tillë, që bën që policia e gjykatat t'i vendosë ata në pozicionin e humbësit."

Michael Werz, ekspert në Qendrën për Progresin Amerikan

Michael Werz, ekspert në "Qendrën për Progresin Amerikan"

Diskriminim sistematik?

Eksziston vërtet në Amerikë, 50 vjet pas fjalimit të famshëm të Marthin Luther King, "I have a dream" diskriminimi sistematik i minoritetit me ngjyrë? Duket se ekziston një përshtypje e shumëpërhapur në jetën e përditshme se ngjyra e lëkurës ende luan rol në Amerikë, edhe pse nuk duhej të ishte kështu, sipas mendimit të shumicës. Kjo vlen edhe për komunitetet e huaja mes njëri-tjetrit. Zimmerman si "një hispanik i bardhë" ka origjinë amerikanolatine.

Çështja e racizmit shkakton konfrontime të mëdha emocionale si tek mediat amerikane ashtu edhe në internet. Eksperti Michael Werz shprehet se "paragjykimet luajnë rol "se ende ka racizëm në jetën e përditshme amerikane". "Por çështja kryesore, dhe ky qe edhe suksesi i madh i lëvizjes për të drejtat e njeriut ishte që ajo ia doli të sanksiononte kaq fort në ligj kërkesat e individit për trajtim të barabartë - në praktikën e transportit publik, universiteteve, institucioneve të qeverisë - saqë një diskriminim sistematik është shumë i vështirë, për të mos thënë i pamundur."