1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Është i vështirë parashikimi i vlerësimit të pavarësisë së Kosovës prej Gjykatës Ndërkombëtare

Që të vijë deri atje Serbisë i duhet një shumicë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

default

Prof. Dr. Angelika Nußberger M.A., drejtore e institutit për studimin e sistemeve juridike në vendet e Evropës Lindore me qendër në Këln.

Sesioni i radhës i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara hapet më 16 shtator. Ai do t'i japë përgjigje edhe pyetjes nëse Serbia gëzon mbështetjen e shumicës së vendeve anëtare në përpjekjen për ta vlerësuar përmes Gjykatës Ndërkombëtare ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë prej Kosovës. Edhe në rast se do të vinte deri në një vendim të tillë, karakteri i tij mbetet jodetyrues.


Procesin e njohjeve të njëpasnjëshme prej shteteve të ndryshme të pavarësisë së Kosovës Serbia ka deklaruar se do të përpiqet ta ngadalësojë ose ta ndalë, me synim afatgjatë marrjen mbrapsht, siç thotë ajo, të vendimit të njohjes së pavarësisë prej shteteve dhe arritjen e një raundi të ri negociatash. Nisma e Serbisë për të kërkuar nëpërmjet një shumice në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës paraqet hapin më të bujshëm të ndërmarrë deri tani nga Serbia dhe një risi në fushën juridike, siç pohon profesorja Angelika Nußberger, drejtore e institutit për studimin e sistemeve juridike në vendet e Evropës Lindore me qendër në Këln:


Sqarimi i pyetjes mbi pavarësinë e pjesës së një vendi, i cili shpall pavarësinë, nuk i është parashtruar më parë Gjykatës Ndërkombëtare, megjithatë kjo gjykatë është angazhuar disa herë në nxjerrjen e ekspertizave; natyrisht, veçanërisht të njohura janë ekspertizat për rastin e ndërtimit të murit ndarës në Izrael dhe një ekspertizë tejet e rëndësishme mbi ligjshmërinë e përdorimit të armëve bërthamore.


Por deri në arritjen e një vendimi që do të konfirmonte padinë dhe që gjithsesi nuk do të kishte forcë detyruese, palës paditëse i duhet të grumbullojë një shumicë votash ndër anëtarët e Kombeve të Bashkuara. Nußberger:


Po, Serbisë i duhet një shumicë në asamblenë e përgjithshme dhe kjo është një çështje mjaft politike, pikërisht në situatën aktuale, ku në rastin e Gjeorgjisë bëhet gjithashtu fjalë për përpjekje për pavarësi të dy provincave ose regjimeve de facto të pavarura të Abkazisë dhe të Osetisë Jugore dhe kur pyetja se në ç'masë mund të derivohet prej së drejtës për vetëvendosje të popujve e drejta për shkëputje e preokupon mjaft bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë sfond anëtarët e Kombeve të Bashkuara do të mendohen mirë, nëse duan ta përcjellin në duart e Gjykatës Ndërkombëtare këtë rast, me rrjedhojën e një deklarimi juridik autoritativ. Për momentin e kam shumë të vështirë të parashikoj shanset për sukses të një padie të tillë.


Serbia vetë është shprehur së fundi nëpërmjet ministrit të saj të jashtëm Vuk Jeremic se do të njihte çfarëdo vendimi të gjykatës në fjalë, çka nuk i detyron vendet e tjera të gjykojnë në të njëjtën mënyrë:


Në këtë rast Serbia është treguar paraprakisht e gatshme, ta njohë në mënyrë detyruese vendimin që do të përmbante ekspertiza për këtë çështje, por natyrisht kjo nuk ka efekt mbi reagimin e gjithë shteteve të tjera, nëse ato do ta respektonin vendimin e ekspertizës duke nxjerrë prej tij konsekuencat ligjore. Pra vendimi mbetet jodetyrues.


Dhe sa realiste mbetet kërkesa e Serbisë drejtuar shteteve perëndimore për ta marrë mbrapsht njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sërish profesorja Nußberger:


Mendoj se është e vështirë të parashikohet. Dua të përsëris, që jam e mendimit, se kjo pyetje duhet parë në kontekst me konfliktet për pavarësi në shtete të tjera në kuptimin e gjerë dhe që këtu nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën dhe për situatën juridike të Kosovës. Në rast se gjykata lëshon një ekspertizë, e cila konfirmon qëndrimin serb, do të prodhohej njëfarë trysnie mbi ato shtete, të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, që të përballeshin me situatën juridike dhe të përligjnin, përse nuk janë të kënaqura me një qëndrim të tillë të Gjykatës Ndërkombëtare.

  • Data 23.08.2008
  • Autor Elert Ajazaj
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F4Nm
  • Data 23.08.2008
  • Autor Elert Ajazaj
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F4Nm