1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Çurkin kritikon ashpër misionin e OSBE-së

Ndërkohë që Moska po bën përpjekje për lirimin e ushtarakëve evropianë, ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin deklaroi se " udhëtimi ishte ose një provokim i udhëheqjes së Kievit, ose një budallallëk".

Ambasadori i Rusisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Vitali Çurkin kritikoi ashpër misionin e vëzhguesve të OSBE-së në Ukrainë. "Ky udhëtim ishte ose një provokim i udhëheqjes së Kievit, ose - më falni - një budallallëk", deklaroi Çurkin të mërkurën për agjencinë e lajmeve Itar-Tass në Nju Jork. "Si mund të futen oficerë në një autobus dhe të dërgohen pa marrëveshje paraprake në një rajon të tillë - pa dokumente që vërtetojnë statusin e tyre?", theksoi diplomati rus.

Moska po bën përpjekje për lirimin e vëzhguesve ushtarakë nga duart e separatistëve pro-rusë në Slavjansk, tha më tej Çurkin. Në mesin e ushtarakëve perëndimorë të cilët ishin në mision për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndodhen edhe katër gjermanë - tre anëtarë të Bundeswehrit dhe një përkthyes.

Gjatë një "operacioni anti-terrorist" në lindje të Ukrainës, forcat e sigurisë besnike të qeverisë depërtuan në Slavjansk duke larguar tri postblloqe të aktivistëve besnikë të Moskës, njoftoi udhëheqja në Kiev. Gjatë aksionit nuk ka pasur viktima, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të ish-Republikës Sovjetike. Për dallim në Lugansk dhe Gorlovka demonstruesit pro-rusë pushtuan në mëngjes ndërtesa të tjera të adminsitratës lokale. Në Gorlovka rreth 20 persona të armatosur kanë penguar punonjësit për të hyrë në ndërtesën e Këshillit të Qytetit. Në Lugansk persona të armatosur hynë me forcë në zyrat lokale të Ministrisë së Brendshme.