1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ç'presin subjektet joshqiptare dhe joserbe nga zgjedhjet në Kosovë

Ndër 29 subjektet politike të paraqitura për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë gjenden edhe shumë lista të boshnjakëve, romëve dhe turqëve. Çfarë presin ata nga zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë?

default

Rrugë në Prizren

Përfaqësuesit politikë të subjekteve joshqiptare dhe joserbe presin që në parlamentin e ri të Kosovës të kenë të paktën nga një deputet dhe të fitojnë më shumë se 10 vende, sa garantohen me Kushtetutë. Por ata janë të vetëdijshëm se do ta kenë vështirë të arrijnë këtë qëllim, sepse ndërkohë ka pasur ndryshime shumë të mëdha në kryesitë e këtyre partive politike. Ata presin zgjedhje të rregullta dhe të lira dhe shpresojnë se ndoshta do të kenë ndonjë vend shtesë në parlament.

Boshnjakët në Kosovë kanë gjithsej tetë parti politike

Rasim Demiri, kryetar i Partisë Demokratike Boshnjake, i cili në këtë post është zgjedhur para një muaji dhe është në koalicionin me partinë VAKAT, pohon: „Shpresoj se do të rikthejmë besimin e qytetarëve dhe të zgjedhësve tanë. Lista jonë është përpiluar nga njerëz, të cilët i kanë kontribuar shumë bashkësisë sonë etnike. Shpresoj se do të fitojmë më shumë se tre vende në parlament, sa kemi pasur deri tani", pohon Demiri.

Boshnjakët në Kosovë kanë gjithsej tetë parti politike, që për një bashkësi kaq të vogël etnike me siguri që është tepër. Emilije Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike megjithatë shpreson se kjo nuk do të ndikojë negativisht në rezultatin përfundimtar. "Përçarjet nuk janë të mëdha. Në media thuhet se numri kaq i madh i partive nuk është i mirë për bashkësinë tonë etnike. Por kjo do të shihet në fund. Unë shpresoj se do të kemi rezultate pozitive", pohon Rexhepi.

Ndihmë nga Turqia

Orhan Lopar, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Partisë Demokratike Turke, pret që kjo parti të ketë më shumë se tre mandate, sa garantohen me Kushtetutë për bashkësinë etnike turke. Lopar, i cili është edhe nënkryetari i bashkisë së Prizrenit, shpreson se ata do të kenë edhe ndihmën e shtetit amë, Turqisë. Turqia i ka ndihmuar bashkëkombasit e vet në Kosovë në të gjitha zgjedhjet që prej përfundimit të luftës në vitin 1999. „Turqia është një vend i madh, më i madhi në Ballkan. Me rastin e vizitës në Prizren kryeministrin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, e kanë pritur 30.000 njerëz. Më shumë njerëz e kanë pritur vetëm Titon. Turqia do të ndikojë jo vetëm tek subjektet politike turke, por në mbarë procesin e zgjedhjeve kosovare", pohon Lopar.

Merxha: pas zgjedhjeve vendosim se me kë bëjmë koalicion

Haxhi Zylfi Merxha ka qenë tri herë deputet në parlamentin e Kosovës. Ai si kryetar i Partisë Rome tani ka vendosur që shansi t'u jepet kandidatëve më të rinj. Kjo parti nuk ka bërë ndonjë koalicion parazgjedhor me ndonjë nga subjektet shqiptare. Ai shpjegon edhe pse: „Jemi partia e vetme në Kosovë, e cila nuk ka konkurrencë. Nuk më duhet as cenzusi prej pesë për qind, që do të thotë se me njërën këmbë jam në parlament. Pas zgjedhjeve do të mendoj, se me cilën parti mund të bëj koalicion. Natyrisht në koalicion nuk do të futem unë, sepse nuk jam kandidat, por unë edhe më tej jam kryetar i Partisë Rome në Kosovë", shpjegon ai.

Disa analistë pohojnë se asnjë subjekt politik në Kosovë nuk do të fitojë shumicën absolute, sa duhet për të krijuar qeverinë. Ata janë të mendimit se përfaqësuesit e bashkësive etnike joshqitpare dhe joserbe do të luajnë një rol të rëndësishëm me rastin e krijimit të koalcionit qeveritar. Kështu ka qenë edhe në të kalurën.

Autor: Refki Alija/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 04.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QPb5
  • Data 04.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QPb5