1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çollaku: Kosova po bën hapa historik, por dhuna po na pengon

Ministri i Kosovës për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, flet në intervistë për DW mbi anëtarësimin në UNESCO, dhunën në parlament, liberalizimin e vizave...

Deutsche Welle: Zoti ministër, çfarë do të bëjë Kosova për të bindur edhe vendet e tjera që në Asamblenë e UNESCO-s të votojnë për anëtarësimin e saj, sepse në bordin ekzekutiv, ku është sugjeruar pranimi i Kosovës, nuk kanë votuar 2/3 e vendeve, sa është e domosdoshme?

Bekim Çollaku: Kosova ka bërë dje një hap shumë të rëndësishëm drejt anëtarësimit të përhershëm në UNESCO. Bordi ekzsekutiv e miratoi vendimin për ta proceduar më tutje anëtarësimin e Kosovës si anëtare fuqiplote në këtë organizatë. Ky është lajmi i mirë. Por tani të gjithë ne duhet të angazhohemi me të gjitha fuqitë politike dhe diplomatike, që deri në fillim të nëntorit, kur mbahet Asambleja e UNESCO-s, të sigurojmë 2/3 e votave të domosdoshme për anëtarësim në këtë organizatë shumë të rëndësishme të OKB-së.

A jeni optimist se do t'i siguroni votat e duhura, sepse deri atëherë ka mbetur dhe pak kohë ndërsa votat e djeshme nuk mjaftojnë?

Pavarësisht kohës së shkurtër, fakti që dje kishim gati 2/3 të votave është një inkurajim i madh. Mirëpo edhe dje kemi vërejtur që kanë abstenuar disa vende, të cilat e kanë njohur Kosovën. Ndaj ne duhet të punojmë edhe më shumë me këto vende që të sigurojmë votat e duhura. Anëtarësimi i Kosovës është në interes jo vetëm të grupeve etnike në Kosovë por edhe të të gjitha vendeve anëtare të kësaj organizate, e cila promovon shkencë, arsim dhe kulturë.

Beogradi dhe serbët në Kosovë janë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, që do të thotë se ata nuk kanë besim tek institucionet kosovare. A është Kosova në gjendje ta ruajë trashëgiminë kulturore serbe?

Sjellja e palës serbe në Beograd, përfaqësuesve të serbëve në Kosovë dhe përfaqëseusve të Kishës Ortodokse gjatë javëve dhe muajve të fundit është tepër zhgënjyese. Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të duhej të krijonte një besim edhe më të madh se e gjithë trashëgimia kulturore do të mbrohet, promovohet dhe respektohet edhe më shumë. Ne duam të sigurojmë të gjithë civilizimin botëror, dhe të gjitha shtetet anëtare të UNESCO-s, që jo vetëm se do t'i mbrojmë por do t'i promovojmë edhe më shumë të gjitha vlerat kulturore në Kosovë. Ajo është trashëgimia jonë e përbashkët dhe asnjë popull apo shtet nuk mund t'ia lejojë vetes cënimin e vlerave të tilla, sepse ato janë trashëgimi por edhe e ardhme e Kosovës.

Do të thotë, ju garantoni se do t'a ruani këtë trashëgimi?

Ato janë prej shumë vitesh nën përkujdesjen e shtetit të Kosovës. Ne do të kujdesemi që ato të ruhen dhe mirëmbahen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe sipas të gjitha standardeve të UNESCO-s.

Javën e ardhshme pritet edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim mes Kosovës dhe BE. A janë siguruar të gjitha votat për këtë nënshkrim?

Ne sot po presim që Këshilli i BE të japë dritën jeshile për nënshkrimin e MSA me Kosovën. Ndërsa vet nënshkrimi do të bëhet më 27 tetor. Ky është hapi i parë zyrtar drejt anëtarësimit të Kosovës në BE, i cili është një obligim i dyanshëm: Kosova zototohet për reforma, ndërsa BE merr për obligim të ndihmojë Kosovën edhe më fuqishëm këtë proces. Po flasim për një traktat ndërkombëtar, i cili mundëson afrimin e Kosovës me BE dhe është në harmoni të plotë me kriteret e Kopenhagës. Ky është një moment historik, i cili e vendos Kosovën në rrugën e pakthyeshme drejt anëtarësimit në BE.

Kosova ka pasur këto ditë shumë probleme të mëdha me dhunën në parlament dhe jashtë parlamentit, me bllokimin e punës së institucionit më të lartë, me shkarkimin e rektorit Zejnullahu... sa e pengon kjo gjendje angazhimin tuaj për afrimin me BE-në?

Me të vërtetë është për të të ardhur keq për gjithë këtë çfarë po ndodh në Kosovë. Të gjitha ato protesta, gazi lotsjellës në parlament dhe dhuna e dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në një moment kyç, kur ne jemi duke shënuar suksese historike në forcimin e sovranitetit të shtetit dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në afrimin me BE-në. Ne i bëjmë thirrje të gjithë faktorëve politikë që të reflektojnë me ndërgjegjën më të lartë shtetërore dhe kmobëtare, si dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e situatës së tanishme. Ato duhet ta kuptojmë se përdorimi i çfarëdo dhune është i papranueshëm dhe tmerrësisht i dëmshëm për Kosovën. Shpresoj se arsyeja do të fitojë dhe palët do të përfshihen në dialog konstruktiv, me qëllim që të gjejnë një gjuhë e përbashkët për të gjitha problemet.

Opozia ka bërë të ditur se nuk do të heqë dorë nga protestat pa tërheqjen e nënshkrimit për krijimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Ju keni qenë pjesë e dialogut me palën serbe prej fillimit. A është e mundur tërheqja e nënshkrimit?

Nuk mendoj që është e mundshme dhe nuk mendoj se është e nevojshme. Nëse flasim me këtë gjuhë, atëherë i bie që ne duhet të kthehemi pesë vite mbrapa, pra para fillimit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu ka prodhur shumë rezultate pozitive. Nëse tërheqim nënshkrimin, kjo do të thotë se po kërkojmë nga bashkësia ndërkobmëtare dhe Serbia që të rikthehen strukturat paralele ilegale serbe në veri të Kosovës, të vazhdojmë ta cënojë integritetitn e Kosovës, që serbët të mos integrohen në institucionet e Republikës së Ksovoës dhe të vazhdojnë ta mbajë peng afrimin e Kosovës në BE dhe NATO. Ka rrugë të tjera për zgjidhjen e shqetësimeve, sepse Kosova i ka institucionet e veta. Por nuk duhet të heqim dorë nga shtrirja e sovranitetit të Kosovës edhe në veri. Kjo është plotësisht e papranueshme.

Do të thotë tërheqje të nënshkrimit nuk do të ketë?

Kërkesa për tërheqje është plotësisht e gabuar. Mendoj se ish-kryeministri Thaçi dhe kryeminsitri i tanishëm Mustafa nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore dhe kushtetuese. Nëse ka pretendime se janë bërë shkelje të tilla, atëherë ekziston Gjykata Kushtetuese dhe Parlamemti i Kosovës, ku mund të shtrohen këto kërkesa.

Zoti ministër, ju jeni në fakt ai që duhet t'u japë shpjegime autoriteteve ndërkombëtare për zbatimin e reformave në Kosovë. Si mund t'u garantoni atyre se do të vazhdoni reformat, në një kohë kur institucionet janë të bllokuara?

Nëse vazhdojnë trazirat dhe bllokada të tilla të institucioenve, as unë dhe askush tjetër nuk mund të garantojë realizimin e reformave. Por po supozoj dhe dëshiroj që e gjithë kjo krizë arfitificiale e shkaktuar nga partitë opozitare vetëm për të marrë pushtetin me mjete të palejueshme demokratike, do të përfundojë së shpejti. Besoj se opozita do të kuptojë se janë në pyetje interesat e shtetit. Në momentin e stabilizimit të gjendjes, ne mund të garantojmë zbatimin e mëtejshëm të reformave.

Zoti ministër, njerëzit në Kosovë janë lodhur me premtimet e qeverisë se "së shpejti do të hiqet regjimi i vizave". Kur do të hiqen vizat?

Jam i lodhur edhe unë personalisht, e të mos flas për njerëzit që kanë me mijëra nevoja dhe obligime, për shkak se nuk mund të udhëtojnë pa viza. Por puna jonë e deritanishme vërtetë ka qenë serioze për përmbushjen e detyrimeve. Ne si qeveri kemi arritur në pikën kur para qytetarëve tanë mund të dalim dhe të themi: ne i kemi përmbushur detyrimet tona. Ndërsa fjalën përfundimtare e ka BE. Ne po presim me padurim që BE ta thotë fjalën e vet. Nuk ka asnjë shkak teknik, praktik apo logjik që të zvarritet çështja e liberalizimit të vizave...

... kur do të udhëtojnë kosovarët pa viza?

Nuk ka ndonjë datë të saktë, sepse vendimin nuk e marrim ne por BE. Mirëpo të gjiha indikacionet flasin, se shtetasit e Kosovës do të mund të lëvizin të lirë dhe pa viza në vitin 2016.

Kjo është një përgjigje pak më konkrete. Por sa e ndihmon këtë proces klafisikimi i Kosovës në listën e vendeve të sigurta të origjinës?

E ndihmon shumë, sepse këtë e kemi kërkuar edhe ne me vite të tëra. Një nga arsyet e rritjes së fluksit të migrimeve të shtetasve të Kosovës drejt BE, ka qenë pikërisht mundësia që atje të ndihmohen, sepse procedurat kanë zgjatur tepër gjatë. Tani Kosova është ndër vendet e sigurta dhe asnjë kërkesë për azil ekonomik nuk do të pranohet nga vendet e BE, duke përfshirë edhe Gjermaninë. Kjo na e lehtëson neve punën, sepse e ul ndjeshëm numrin e azilkërkuesve nga Kosova. Kjo lehtëson edhe dhënien e dritës jeshile për liberliazimin e vizave.

Gjermania ka paralajmëruar se prej fillimit të nëntorit do të fillojë me dëbimin më të shpejtë të personave që nuk kanë të drejtë për azil. A jeni të gatshëm për pranimin dhjetëra mijëra kosovarëve që duhet të kthehen?

Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm dhe çdo ditë riathesojmë dhjetra apo qindra shtetas të Kosovës. Kjo po bëhet në koordinim të plotë me të gjitha vendet e BE dhe jo vetëm me Gjermaninë. Ky është një proces normal, i cili ka shënuar një dinamikë të shtuar kohët e fundit dhe do të instensifikohet edhe më shumë në ditët dhe javët e ardhshme.

DW.COM