1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ç'mund të bëjë Evropa? - Rusia e mbërthen BE me shpatulla pas muri

Pas njohjes së Osetisë Jugore dhe të Abkazisë prej Rusisë, BE nuk e ka të lehtë. Deri tani Brukseli ka theksuar integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe i ka paralajmëruar rusët për ndërmarrjen e një hapi të tillë.

Konferencë shtypi BE- Gjeorgji, 13.08.08

Konferencë shtypi BE- Gjeorgji, 13.08.08

Që me njohjen e dy provincave separatiste të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë presidenti rus krijon fakte, kjo nuk vjen vërtet papritur për Brukselin politik. Një hap i tillë konsiderohej prej muajsh si shumë i mundshëm, i shkaktuar edhe prej mosmarrëveshjes mbi ndarjen e Kosovës nga Serbia. Atëherë shumë vende të Bashkimit Evropian e njohën shtetin e ri të Kosovës. Moska e kritikoi me forcë këtë. Në këtë kohë për shumë ekspertë ishte e parashikueshme ajo që mund të ndodhte të Kaukaz. Megjithatë, Brukseli bën një dallim të qartë midis problemit të Kosovës dhe gjendjes në Kaukaz. Dilema e Kosovës lindi prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, thotë Brukseli, rastet nuk janë të krahasueshme.

Të hënën kancelarja Angela Merkel e kishte paralajmëruar presidentin Medvedev pasi parlamenti rus kërkoi pavarësinë e dy republikave:

„Unë supozoj ose pres që presidenti rus nuk do ta nënshkruaj këtë rezolutë. Përndryshe kjo do të ishte një situatë shumë e vështirë, kritike duke pasur parasysh integritetin territorial të Gjeorgjisë.“

Por kjo nuk i interesoi presidentit rus. Integriteti territorial: kjo është shprehja qendrore për Bashkimin Evropian. Kjo këmbëngulje në integritetin territorial të Gjeorgjisë do të thotë që Bashkimi Evropian duhet ta shohë hapin rus si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Nga qarqet e kryesisë franceze në BE u tha dje, se Parisit "i vjen keq" që Moska vepron kështu. Një zëdhënës i Komisionit Evropian e konfirmoi me kujdes këtë përzgjedhje fjalësh. Kancelarja Angela Merkel, për vizitë në Talin të Estonisë, zgjodhi dje një gjuhë më të drejtpërdrejtë.

"Sipas gjykimit tim dhe tonit, kjo i bie ndesh parimit të integritetit territorial, një parimi bazë të së drejtës ndërkombëtare, dhe kjo është absolutisht e paparanueshme."

Në këtë mënyrë samiti i jashtëzakonshëm, i planifikuar i krerëve të qeverive dhe shteteve të BE-së të hënën e ardhshme fiton fuqi shpërthyese shtesë. Sepse përballë incidenteve asgjë nuk mund ta shmangë diskutimin për ftohjen e mëtejshme të marrëdhënieve. Askush nuk do t'i japë fund plotësisht dialogut, u tha dje në qarqet diplomatike; por tani kanë erë të favorshme ato shtete të BE-së, të cilat janë për një qëndrim më të ashpër: Polonia, baltikasit, Britania e Madhe. Negociatat e saponisura për një marrëveshje të re partneriteti me Rusinë janë vënë tani në pikëpyetje. Edhe dëshira e Rusisë për tu bërë anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë ka hyrë në diskutimin publik, por dje Komisioni Evropian tha se do t'i përmbahet planit.

Veprimi i njëanshëm i Moskës është shuplakë edhe për presidentin francez Sarkozy. Në planin e tij gjashtëpikësh për Kaukazin thuhet, se për problemin e provincave separatiste duhet gjetur një zgjidhje në rrafsh ndërkombëtar. Rusia dhe Gjeorgjia e kishin miratuar këtë. Tani Moska po minon autoritetin e kryetarit të radhës në BE Sarkozy. Ky i fundit ka tani edhe më shumë trysni për të gjetur në samitin e jashtëzakonshëm të së hënës një përgjigje të BE-së, e cila mund t'i bënte përshtypje Moskës.

DW.COM

  • Data 27.08.2008
  • Autor Kristofer Plas/ Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F5O9
  • Data 27.08.2008
  • Autor Kristofer Plas/ Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/F5O9