1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Çmimi Sakarov për mjekun kongolez

Megjithë kërcënimet, Denis Mukwege angazhohet për gratë që kanë qenë viktima të dhunësnë Republikën Demokratike të Kongos. Për këtë ai u nderua me çmimin Sakarov të Parlamentit Evropian.

E enjte 25 tetor 2012: njerëz të panjohur të armatosur rëndë, hyjnë në pronën e një mjeku kongolez ndërkohë që ai sapo kthehej në shtëpi me makinë. Një i punësuar tenton ta paralajmërojë mjekun dhe e paguan këtë me jetë. I zoti i shtëpisë shpëton pa u lënduar. Atentati deri sot nuk është zbardhur. Mjeku, i cili ishte objektivi i vërtetë i sulmuesve, është Denis Mukwege, drejtues i spitalit Panzi në qytetin universitar Bukavu në lindje të Kongos. Ai është specialist për ndërhyrje gjinekologjike dhe mjekon çdo ditë gra, të cilat kanë rënë viktimë e dhunës seksuale. Në mënyrë të përsëritur ai është shprehur kundër dhunës seksuale si mjet i luftës dhe duket se angazhimi i tij për disa e ka kaluar cakun.

Për këtë angazhim ai tani u nderua me çmimin Sakarov të Parlamentit Evropian. Kryetarët e grupeve parlamentare votuan njëzëri për kongolezin, tha Presidenti i Parlamentit të BE-së Martin Schulz të martën (21.10.2014) në Straßburg. Që prej vitit 1988 akordohet ky çmim çdo vit nga Parlamenti për personalitete te jashtëzakonshme, të cilët luftojnë kundër intolerancës, fanatizmit dhe shtypjes. Ai shoqërohet nga një shumë parash prej 50.000 eurosh.

"Në ndihmë të të tjerëve"

Alternativer Nobelpreis 2013 Denis Mukwege

Në 2013 Mukweges iu dha nobeli alternativ

Puna e tij është pasion për 58-vjeçarin. Burim i frymëzimit ka qenë i ati, një famulltar. "Ai më përcolli dhuntinë të ndihmoj të tjerët", tha Mukwege për DW, kur në 2009 iu dha çmimi Palma Olof. "Për mua kjo ishte një gjë e vogël por mendova se do të ishte mirë ta vazhdoja këtë punë". Pas studimeve për mjekësi në vendin fqinjë Burundi ai punoi fillmisht në një spital në lokalitetin e vogël Lemera në rajonin rural Kivu jugor. Ai u trondit nga numri i lartë i gravë që vdisnin atje çdo ditë p.sh gjatë lindjes. "Kjo më shtyu që të specializohem më shumë në trajtimin e grave", thotë mjeku. Ai kreu një studim për gjinekologji në Francë.

Me kthimin në Kongo, që atëherë quhej ende Zaire, Mukwege u përball me sfida krejt të reja. Lemera në mes të viteve 1990 gjendej në mes të zonës së luftimeve të luftërave të Kongos dhe në 1996 u shkatërrua plotësisht. Grupet e ndryshme rebele dhe ushtarët përdorin gjithnjë e më shumë përdhunimet si mjet në luftë. Më mbështetje ndërkombëtare Mukwege ngriti një projekt të ri, spitalin Panzi në kryeqytetin e provincës Bukavu. Spitali bëri shpejt emër në veçanti me pavionin e tij të gjinekologjisë. Aty Mukwege dhe kolegët e tij trajtojnë gra nga e gjithë provinca, të cilat janë në mëshirë të fatit në fshatrat e përfshira nga lufta.

Angazhim për të drejtat e grave

Panzi Krankenhaus in Bukavu Demokratische Republik Kongo

Spitali Panzi i themeluar nga Mukwege

"Janë gratë ato që mbajnë në jetë shoqërinë kongoleze", thotë gjinekologu. "Mjafton të ecësh nëpër rrugë që të shohësh se janë gratë që japin kontributin më të madh në shoqëri." Kështu ato mbështetin pikërisht brezin në rritje duke financuar shkollimin e fëmijëve. Për këtë arsye agresorët vendosin me vetëdije të sulmojnë në radhë të parë gratë.

Prej kohësh Mukwege është më shumë se një mjek, ai është mbrojtës i vendosur i të drejtave të grave në Kongo. Ai ka ngritur programe për kujdesin psikologjik dhe juridik të viktimave të përdhunimit. Mukwege do ta trajtojë problemet me rrënjë dhe flet kundër ekonomisë së luftës që lulëzon prej vitesh në Kongo, me anë të së cilës qeveritë dhe rebelët duan të sigurojnë të ardhurat nga lëndët e para. Pa trysni ndërkombëtare asgjë nuk do të ndodhë këtu, thotë ai: "Burgosja e rebelëve të veçantë nuk do të ndryshojë asgjë. Sot futet një në burg dhe nesër lind një i ri." Në angazhimin e tij për paqen në Kongo, Mukwege në shtator 2012 foli para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Plot një muaj më vonë u krye atentati. Me gruan dhe dy fëmijët e tij ai më pas u largua për në Evropë.

Kthim në atdhe

Por fati i popullit të tij nuk e lë të qetë kongolezin. Veç kësaj organizata të grave u angazhuan për të dhe ofruan madje të ngrinin një shërbim rojesh për mjekun. As tre muaj më vonë Mukwege u rikthye dhe që atëherë jeton 24 orë në ditë në spitalin e tij Panzi ku ndihet më i sigurt.

Gjinekologu është nderuar shumë herë për angazhimin e tij. Në tetor 2013 ai mori çmimin e mirënjohur "Right Livelihood Award", të njohur më mirë si nobeli altermativ. Bashkëpunëtorja e Mukweges Gisela Schneider, drejtoreshë e Institutit Gjerman për Misionin e mjekut (DlfäM) e vlerëson atë si "një person që angazhohet me gjithë jetën e tij për paqen dhe drejtësinë." Ajo bashkëpunon prej më shumë se dhjetë vjetësh në institut në mënyrë intensive me Mukwegen, mbështet spitalin e tij dhe kualifikimin mjekësor atje. "Ai e ka pasur shpesh mundësinë të vendoset në Evropë dhe megjithatë është kthyer vazhdimisht në Kongo, thotë Schneider në bisedë me DW.

Ndër të nominuarit e tjerë për çmimin Sakarov 2014 është edhe lëvizja ukrainase proevropiane Euromaidan dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, aktualisht e burgosur, Leyla Yunus nga Azerbajxhani, e cila angazhohet për paqe dhe liri në vendin e saj. Çmim do i jepet Mukweges në 26 nëntor.