1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çitaku: "Kosova do të respektojë axhendën e MSA!"

Ministrja e Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, thotë në një intervistë për DW,se Kosova pranverën e vitit të ardhshëm do të përmbyllë negociatat e MSA.

DW: Zonja Ministre, jemi vetëm pak ditë para nisjes zyrtare të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit MSA. Është Kosova 100 për qind e përgatitur që të nisë këto negociata?

Çitaku: Kosova është plotësisht e gatshme të nisë negociatat për MSA. Këto negociata me Kosovën do të marrin kohën më të shkurtër të mundshme. Ne kemi paraparë së bashku me BE, katër takime. Takimi i parë do të mbahet me 18 tetor këtu në Prishtinë, takimi i dytë mbahet në muajin nëntor, takimi i tretë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe një takim të katërt në fund të muajit prill me ç'rast edhe do të mbyllet negocimi i marrëveshjes së stabilizim asocimit. Ndërkohë grupet teknike në faza të ndërmjetme do të kenë takime. Kosova ka përgatitur pozicionin e saj negociues dhe ne jemi shumë të sigurt që ky proces do të përmbyllet në axhendën e paraparë.

DW: Cila është kostoja financiare për Kosovën dhe ku janë përfitimet në këtë rast?

Çitaku: Kjo marrëveshje ka një kosto financiare, por ka edhe beneficionet e veta. Kosotoja financiare që parashihet të reflektohet në mbledhjen e të hyrave në doganat e Kosovës është rreth 20 milion euro, mirëpo, përfitimi i qytetarëve të Kosovës parashihet të jetë rreth 100 milion euro, sepse produktet që do të vijnë në Kosovë nga vendet e BE-së do të kenë çmim diku 15 % më të lirë.

DW: Për çfarë periudhe po flasim në lidhje me këtë kosto financiare?

Çitaku: Po flasim për tërë periudhën e marrëveshjes, ndërkohë, kostoja financiare që reflektohet nga marrëveshja e MSA-së të cilën do ta paguajmë ne do të mbulohet nga mjetet financiare të Komisionit Evropian të cilat përmes rrugës së para anëtarësimit u ka dhënë gjithmonë vendeve që kanë nënshkruar marrëveshjen e MSA-së.

DW: Zonja Ministre si do të trajtohet Kosova në marrëveshjen e MSA-së, si shtet apo si një rast i veçantë, jo ngjashëm si janë trajtuar vendet tjera të rajonit?

Çitaku: Ka vetëm një instrument përmes të cilit një vend mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ajo është marrëveshja e stabilizim asocimit. Rrugë tjetër nuk ka. Mirëpo, asnjë marrëveshje e MSA-së në rajon nuk ka qenë e njejtë sepse procesi i zgjerimit është një proces evolutiv në ndërtim e sipër. Përvojat e rajonit gjithmonë janë reflektuar në proceset e më pasme të zgjerimit. Kjo është e para. E dyta. Kosova është e para, apo e fundit në procesin e MSA-së pas hyrjes në fuqi të traktatit të Lisbonës. Kur vendet fqinjë të Kosovës e kanë nënshkruar MSA-në traktati i Lisbonës nuk ka qenë në fuqi. Shumë institucione të BE-së para hyrjes në fuqi të traktatit të Lisbonës, nuk kanë pasur kompetenca që i kanë sot dhe në këtë linjë edhe procesi i MSA-së për Kosovën është i ndryshëm, pikërisht për shkak të kësaj komponente.

DW: Kosova po përmbush pothuaj të gjitha obligimet nga marrëveshja e Brukselit, Kosovë-Serbi. A po e merr atë që kërkon Kosova nga BE-ja?

Çitaku: Marrëveshja e stabilizim asocimit dhe përparimi i Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane nuk është dhuratë për Kosovën, nuk është shpërblim që i është dhënë Kosovës falë konstruktivitetit që kemi treguar në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë. Nuk ka fije dyshimi që ky proces ka krijuar një klimë më të lehtë te vendimmarrësit në Bruksel, që një ofertë e tillë për Kosovën të jetë e mundshme, mirëpo, ne është dashur t'i kryejmë detyrat tona të shtëpisë qoftë për marrëveshjen e stabilizim asocimit, ju e dini që kanë qenë përmbushja e kritereve afatshkurtra që janë përmbushur, janë kriteret afatmesme që janë në përfundim të përmbushjes. Ne kemi pasur kritere teknike të cilat kanë qenë shumë më rigoroze sesa për vendet tjera të rajonit e me përmbushjen e atyre kritereve teknike, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka krijuar një klimë më të favorshme dhe më të lehtë te vendimmarrësit në Bruksel pikërisht për shkak të ndjeshmërisë të rastit të Kosovës, pikërisht kur kemi parasysh që pesë vende të BE-së akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

DW: Zonja Ministre, cilat janë vlerësimet për liberalizimin e vizave? U bë kohë e gjatë që flitet për liberalizimin e vizave, ndërkohë rezultate nuk ka.

Çitaku: Dua të konstatoj me keqardhje se që nga nëntori i vitit të shkuar ne nuk kemi pasur një vlerësim për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ndërkohë që ne kemi punuar intenzivisht në secilin kriter që është kërkuar. Fillimisht është menduar që një vlerësim i Komisionit Evropian të publikohet dhe shkruhet në muajin shtator, Komisioni Evropian nuk e ka bërë ende një gjë të tillë, mirëpo ka zotime nga ana e Komisionit Evropian që gjatë vjeshtës do të vijnë misionet e reja vlerësuese, që do të reflektonte në përmbushjen e kritereve në terren. Ne nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër, nuk po kërkojmë nga Komisioni Evropian që t'i mbyllë sytë karshi mospërmbushjes së kritereve, por vetëm po kërkojmë që të vlerësohet puna e bërë.